• |
ide | kryesore

Shkatërrimi me licencë i pyjeve të Elbasanit, zgjaten koncesionet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Elbasanit



Dhjetëra kompani, që kanë marrë me koncesion pyjet në qarkun e Elbasanit, vazhdojnë të presin dru, edhe pse që prej vitit 2016 është në fuqi moratoriumi. Pjesa dërrmuese e këtyre kompanive kanë bërë kërkesë për shtyrjen e koncesionit përtej afatit 10-vjeçar, e drejtë që ua njeh ligji, nëse “sillen mirë”. INA MEDIA sjell dëshmi se si pyjet e Elbasanit shkojnë për eksport, ndërsa kompanitë po presin pyjet, duke iu shpëtuar sanksioneve.

Autore: Fatbardha Nergjoni

Në afërsi të kthesës së fshatit Dardhë në Librazhd gjendet një pikë e madhe e grumbullimit të lëndës drusore. Sasi të konsiderueshme drurësh zbresin çdo ditë nga pyjet e Dardhë-Xhyrës, duke u grumbulluar në këtë pikë fundore. Që këtu fillon shpërndarja.

Me një sipërfaqe prej rreth 400 ha, me pyje të virgjëra, të dominuara nga ahu, fshati Dardhë ndodhet në kufi të Rezervatit Natyror Dardhë-Xhyrë, një status që i jep mbrojtje të veçantë. Rezervate natyrore, të mbrojtura me ligj në Librazhd, janë edhe ekonomitë pyjore Polis, Stravaj, Sopot dhe Qarrishtë, por as ky status dhe as moratoriumi, që hyri në fuqi në vitin 2016, nuk i kanë shpëtuar pyjet e këtij qarku nga prerjet.

Banorët e zonës dëshmojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për dru zjarri, por edhe trupa të mëdhenj pemësh. Ndërsa ngjitemi në Dardhë, rrugës ndeshemi me dy-tri mjete të mëdha, që transportojnë drurë.

“Situata është shumë keq, sikur ke hapur tokë të re, – thotë Hajdar Duka, banor i zonës së Dardhës. – Nuk reagon askush për shfrytëzimin e pyllit pa kriter këto 30 vite”, – ankohet ai.

Mjet qe transporton lëndë drusore nga zona e Dardhës, Librazhd

foto: Bardha Nergjoni

“Nuk dua të flas me emrin tim, pasi këtu të gjithë përballen me presionin: “Pse fole? Pse the?”. Janë njerëz të fuqishëm, që i kanë krahët e ngrohta. Ne vetëm mund t`i shikojmë e nuk bëjmë dot asgjë”, – thotë Arjani, një tjetër banor i zonës.

Edhe rruga kombëtare Librazhd-Përrenjas është e mbushur me pika të shitjes së lëndëve drusore. Më të kërkuarit janë drutë për ngrohje, që aktualisht kanë një çmim prej 7 mijë lekësh/m3. Por, pas druve të zjarrit, në brendësi të pikës së shitjes “fshihen” trupa të mëdhenj ahishte, lisa dhe lloje të tjera, duke shkelur moratoriumin e pyjeve.

 

Zhdukja e pyjeve, me licencë

Në qarkun e Elbasanit prerja e pyjeve bëhet me licencë. Në qarkun e Elbasanit janë në fuqi dhjetëra kontrata koncesionare, të firmosura një dekadë më parë, të cilat janë amenduar me disa aneks-kontrata.

Për të shpëtuar pyjet nga prerjet masive, në vitin 2016 qeveria vendosi moratoriumin 10-vjeçar, duke supozuar ndalim total të prerjes së pyjeve, por neni 3 përjashton nga moratoriumi rastet e “shfrytëzimit të lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri”, duke shpëtuar kështu nga kjo ndalesë kompanitë që kishin marrë me koncesion shfrytëzimin e pyjeve për një periudhë 10-vjeçare, duke u amenduar me aneks-kontrata. Si pasojë e kësaj “hileje” kompanitë koncesionare, por edhe vetë bashkitë, vijojnë të pashqetësuara prerjen e pyjeve.

Prerje masive të pemëve të reja, Dardhë, Librazhd

Më konkretisht, Bashkia e Librazhdit sqaron se ka 5 kontrata koncesionare, të lidhura nga viti 2012 deri në vitin 2015. Paradoksi është se nuk specifikohet sipërfaqja e dhënë me koncesion, por sasia e lëndës drusore që kanë të drejtë të shfrytëzojnë këto kompani. Dhe, në këtë zonë 5 kompanitë koncesionare kanë të drejtën të presin 284.813 m3 lëndë drusore.

Kompania Viti i kontratës Administratorët Ekonomia Pyjore
Almex Wood dhe Sinani sh.p.k. 2012 Arbër Zaimi Polis
Alcani sh.p.k. 2013 Shaqir Alcani Neshtë-Prevallë
2A & Z2AK sh.p.k. 2013 Agim Sula Arben Shkalla Polis
Sinani & Durazzo Legnami sh.p.k. 2014 2014 Kolë Sinani Dardhë-Xhyrë
Almex Wood & Pisha sh.p.k. 2015 Agim Pisha Polis

Kompanitë koncesionare, me të cilat ka kontratë Bashkia e Librazhdit

Pas hyrjes në fuqi të moratoriumit, Bashkia e Librazhdit deklaron se ka lidhur aneks-kontrata me ngastrat përkatëse të këtyre koncesioneve.

Vetëm në ekonominë pyjore Dardhë-Xhyrë janë lidhur dhe janë prej vitesh në operim tri kontrata koncesionare. Kontratat përcaktojnë se këto kompani kanë të drejtë të shfrytëzojnë pyjet, jo vetëm për dru zjarri, duke e bërë nul moratoriumin që e ndalon prerjen e pyjeve.

Koncesioni i parë, i firmosur në vitin 2012 me bashkimin e shoqërive Almex Wood dhe Sinani sh.p.k. përfundon pas muajit nëntor të këtij viti. Sipas kësaj kontrate, kompania ka të drejtë të shfrytëzojë 173 mijë m3 lëndë drusore, nga të cilat 152 mijë m3 janë lëndë përpunimi dhe vetëm 21 mijë m3 janë dru zjarri.

Deri në vitin 2015, kur pyjet nuk iu kishin kaluar ende në administrim bashkive, kjo kompani kishte vjelë rreth 99 mijë m3 lëndë drusore, nga të cilat, 41 mijë m3 lëndë përpunimi dhe 58 mijë m3, dru zjarri. Në vazhdim, sipas aneks-kontratave, bashkimi i kompanive të mësipërme ka vjelë rreth 11 mijë m3 dru përpunimi dhe 16 mijë m3 dru zjarri.

Kontrata e dytë, e lidhur më 25 shtator 2014 me bashkimin e shoqërive Sinani & Durazzo Legnami, ka për objekt shfrytëzimi 4 ngastra në Dardhë-Xhyrë. Kompania ka të drejtë të shfrytëzojë 51 mijë m3, nga të cilat, 45 mijë lëndë përpunimi dhe vetëm 6 mijë m3, dru zjarri. Kjo kompani ka lidhur disa aneks-kontrata me ish-Drejtoritë e Shërbimit Pyjor dhe Bashkinë e Librazhdit. Për periudhën 2016-2021 rezulton të ketë shfrytëzuar rreth 13 mijë m3, nga të cilat, 5 mijë lëndë përpunimi dhe pjesa tjetër, dru zjarri. Në total ky subjekt dokumentohet se ka vjelë 15.5 mijë m3 lëndë drusore.

Kontratat koncesionare në këtë ekonomi pyjore kanë vijuar të lidhen edhe në vitin 2015 me Almex Wood & Pisha në dy ngastra, ndërsa dy ngastra të tjera kjo kompani i ka në Polis. Sipas të dhënave të bashkisë, në periudhën 2016-2021, ajo ka vjelë rreth 15.400 m3 lëndë drusore, nga të cilat 5.900 lëndë përpunimi. Në bilancin e vitit 2020 kompania deklaron fitime të mira nga eksporti i materialit pellet, që është derivat i lëndës drusore.

Kompania Alcani, që përfundon kontratën 10-vjeçare në vitin 2023, ka marrë me koncesion sipërfaqen Neshtë-Prevallë. Sipas kontratës ajo duhet të shfrytëzojë 61 mijë m3 lëndë drusore, por deri në vitin 2021 ka vjelë vetëm 16 mijë m3.

Këto kontrata konfirmojnë se në fakt prerja e pyjeve për qëllime përpunimi nuk është ndërprerë, edhe pse moratoriumi është në fuqi prej 6 vitesh.

Kompanisë 2A & Z2AK, që ka me koncesion pyjet e Polisit, i përfundon kontrata në korrik 2023. Ajo ka të drejtë të shfrytëzojë 112 mijë m3, nga të cilat 100 mijë m3 janë lëndë përpunimi dhe 12 mijë, dru zjarri. Kjo kompani ka arritur të vjelë deri në vitin 2021 rreth 19 mijë m3 lëndë drusore, ku vetëm 8 mijë janë lëndë përpunimi.

Pavarësisht se pyjet e fshatit të tyre po priten prej dekadash, herë me licencë e herë pa licencë, banorët e fshatit Dardhë nuk përfitojnë asgjë.

Si të gjithë banorët e zonës edhe Arjani ngrohjen e siguron me dru zjarri, por, ndryshe nga kompania, ai nuk ka të drejtë të presë asnjë dru për ngrohje. Ligji ia ndalon rreptësisht këtë gjë. Për pasojë, Arjani dhe banorët e tjerë të zonës i blejnë te pika e grumbullimit, që ndodhet në hyrje të fshatit të tyre.

“Detyrohemi t`i blejmë këtu, me çmimin që duan këta”, – rrëfen Arjani.

Fotografi të siguruara nga Investigative Network Albania në pjesën e sipërme të Dardhës tregojnë se si po zhduken dhe po zhvishen sipërfaqe të tëra me pyll.

“Po presin dhe filizat e vegjël. Pyjet po zhvishen dhe do vijë momenti që nuk do të ketë asgjë më për të prerë”, – thotë Halimi, një tjetër banor, që ka parë nga afër dëmin e madh që po i bëhet pyllit.

Ministria e Mjedisit, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk iu përgjigj një kërkese për informacion në lidhje me ecurinë e kontratave koncensionare për shfrytëzimin e pyjeve dhe pretendimet e banorëve për prerje të paligjshme.


Prerje në Stravaj, Librazhd

Zgjaten kontratat koncesionare

Ndonëse disa nga kontratat janë në prag të përfundimit, gjasat janë që ato t`i zgjasin afatet. Një aneks i kontratës iu jep të drejtën që të kërkojnë shtyrje të afatit të koncesionit deri në shfrytëzimin e të gjithë sasisë së parashikuar. I vetmi kusht është që të përmbushin detyrimin për të mbjellë fidanë, sipas listës së damkave të prerjeve që kanë realizuar.

Nga të dhënat e deklaruara prej bashkive këto kompani e kanë realizuar këtë kusht. Por, ndryshe nga bashkitë, dëshmi të banorëve dhe të dhëna nga specialistët tregojnë se në të vërtetë koncesionarët po bëjnë masakër në pyje. Një specialist, që ka qenë pjesë e administratës, thotë se është e vështirë t`i dokumentosh shkeljet, pasi kompanitë presin pyjet e bashkisë, por jo në ngastrat e tyre.

“Shkonim në kontroll në ngastra dhe damkimi e prerjet ishin sipas parashikimit të specialistëve, por mjafton të hidhje sytë në një ngastër pranë kufirit të koncesionit dhe do të shihje që ishte një kasaphanë e vërtetë”, – thotë ai me kërkesën e vetme të mos-identifikimit.

“Kështu, firmat nuk kapen dot me shkelje dhe as bashkitë nuk i kontrollojnë dot”, – shpjegon më tej ai.

Peng i reformave të vazhdueshme, sektori i pyjeve në qarkun e Elbasanit ka pësuar rrudhje drastike, si në numrin e inspektorëve, por më absurdja është heqja e mjeteve në dispozicion. Aktualisht janë rreth 9 punonjës të sektorit të pyjeve, që do të duhet ta monitorojnë pa mjete në dispozicion të gjithë sipërfaqen e madhe pyjore të qarkut të Elbasanit.

Pa kapacitete teknike dhe mjete, me një administratë të politizuar, eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, mendon se kalimi i pyjeve në pronësi të bashkive i dëmtoi më shumë ato.

Trungje të mëdha pemësh në vendgrumbullimin e lëndës drusore të firmës “Kopaci sh.p.k”

“Nuk mund të ruhet pylli nga zyra, pa mjete dhe pa specialistë. Gjysma e të punësuarve në pyje janë njerëz partiakë, pa arsimin përkatës dhe nuk mund ta bëjnë monitorimin e pyjeve”, – përfundon Mehmeti, i cili këmbëngul se, nëse do të vazhdohet me rinovimin e kontratave, pyjet e qarkut të Librazhdit rrezikojnë zhdukjen.

Poshtë urës së Bushtricës ndodhet një tjetër pikë depozitimi lëndësh drusore, që i përket ekonomisë pyjore, Dardhë-Xhyrë. As këtu nuk ka asnjë informacion, se cila është kompania dhe për çfarë aktiviteti ka marrë leje.

“Nëse do dru, hajde të hënën, pasi këto i kemi për bashkinë”, – thotë një punëtor, ndërsa një tjetër nxiton të lajmërojë pronarin. Pak më tej dallohen makina të mbuluara, që transportojnë trupa ahu dhe lisash të sapo-prerë.

Vendgrumbullimi i kompanisë Kopaçi sh.p.k pranë Urës së Bushtricës

Kompania Kopaçi sh.p.k., me administrator Sokrat Kopaçin, që zotëron këtë vendgrumbullim, ka nënshkruar dy kontrata me Bashkinë e Përrenjasit. Kontrata e parë ishte njëvjeçare dhe është lidhur në fund të vitit 2016 me bashkimin e kompanive Ardit dhe Kopaçi, me objekt shfrytëzimi pyjet e Sopotit dhe Stravajt. Kjo kontratë është shoqëruar me dy shtesa prej 6 muajsh, duke e shtyrë përfundimin e kontratës në gusht 2018.

Pa mbaruar kontrata e parë, në maj 2018, kompania Kopaçi ka lidhur kontratën e dytë koncesionare me objekt “Prodhim, transport dhe stivim dru zjarri në fushën e bashkisë”. Kontrata kishte një afat 8-mujor, por edhe kjo është shtyrë me një vit, deri në fund të vitit 2019 për shfrytëzimin e ngastrave Stravaj, Lëpushë dhe Sopot.

 

Gjykata, vendime qesharake për prerjen e paligjshme

Prerja e pyjeve, që vazhdon prej dekadash, mbetet e pandëshkuar. Edhe në ato pak raste, kur përfundojnë para drejtësisë, dënimet janë qesharake. Disa vendime të Gjykatës së Elbasanit, të konsultuara nga INA MEDIA, sugjerojnë se dënimi maksimal, që kanë marrë prerësit e paligjshëm të drurëve është, ose shërbim prove, ose një gjobë minimale nga 40-80 mijë lekë të reja. Në të gjitha rastet, shkelësit e kësaj vepre kanë fituar lehtësirat që parashikon Kodi Penal.

Referuar Kodit Penal, neni 205, saktësohet se “Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit“.

Në vitin 2020 me miratimin e ligjit “Për pyjet” u rritën masat ndëshkuese për ata që ngrenë pa leje sëpatën mbi pemët. “Kur pasojat janë të rënda, dënimi me gjobë për prerjen pa damkë të drurëve dhe prerjen pa leje të pyjeve varion nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë”, – thuhet në nenin 36, pika 9/a, të këtij ligji.

Por, pavarësisht ashpërsimit të kuadrit ligjor, organet e drejtësisë kanë vijuar të japin dënime minimaliste, që nuk i trembin abuzuesit.

Më 5 qershor të këtij viti, krye-gjyqtarja e Elbasanit, Matilda Fetahu, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për dënim me gjobë ndaj 3 personave, që u kapën me një kamion me dru pa leje. Ngjarja u regjistrua në fshatin Mëxixë, të njësisë Orenjë dhe bashkë me kamionin u kapën edhe motosharra dhe mjete të tjera, që shërbenin për prerjen e lëndës drusore. Pavarësisht rëndësisë së kësaj vepre, gjyqtarja Fetahu kërkoi lehtësira për tre të akuzuarit në kushtet e pranimit të veprës penale. Në përfundim, 3 personat e gjetur fajtorë për veprën penale “Prerja e Paligjshme e Pyjeve” morën një dënim me gjobë prej 80 mijë lekësh të reja.

Gjyqtarja Pajtime Fetahu më 24 shtator 2020 ka marrë vendimin, duke miratuar edhe një marrëveshje fajësie për të pandehurin. Më 18 korrik 2019, në pyjet e Kostenjës, mes Librazhdit dhe Tiranës, Administrata e Zonave të Mbrojtura kapi në flagrancë një automjet IFA, pa targa, me 36 pemë të prera me motosharrë. Ky ishte i vetmi rast, ku është përmendur moratoriumi i pyjeve në një vendim gjyqësor. I pandehuri banonte në Sauk dhe, sipas provave, gjykata ka vlerësuar se ai e ka kryer plotësisht veprën penale të prerjes së paligjshme të pyjeve, të bazuar në nenin 205 të Kodit Penal. Edhe në këtë rast i pandehuri përfitoi lehtësira dhe mori dënimin alternativ në punë me interes publik.

INA MEDIA disponon një tjetër vendim gjyqësor, që mban datën 11 tetor 2021. Në këtë rast gjyqtarja Miranda Konica ka vendosur dënimin me një gjobë prej 40 mijë lekësh të reja për dy drurë ahu me diametër 42 cm, të prerë në zonat e mbrojtura.

Prokuroria e Elbasanit i thotë INA MEDIA-s se për vitin 2021 janë regjistruar 16 procedime penale, me 2 persona nën hetim dhe 1 të pandehur. Të trashëguara nga vitet e tjera janë dërguar për gjykim 7 procedime penale me 10 të pandehur. Edhe për vitin 2022 janë regjistruar 16 procedime penale, ndërsa prokuroria i është drejtuar gjykatës për pushim për 7 procedime penale. Këto shifra dëshmojë se shumë pak raste përfundojnë në gjykim dhe akoma më pak me dënime, në bazë të ligjit, duke zbatuar edhe moratoriumin e pyjeve të vitit 2016.

Ahmet Mehmeti e sheh ngërçin në faktin se organet e drejtësisë nuk pranojnë ekspertiza në lidhje me prerjet. “Për pasojë, shumica e çështjeve janë pushuar, para se të mbërrijnë në gjykatë”, – thotë ai.

 

Nuk ndalen eksportet

Moratoriumi nuk e ndaloi dot, as prerjen e pyjeve, por as eksportin. Investigative Network Albania ka mundur të evidentojë se paku një rast, kur kompanitë raportojnë në bilancet e tyre se eksportojnë lëndë drusore.

Bashkimi i operatorëve, Sinani & Durazzo Legnami, që ka kontratë 10-vjeçare për shfrytëzimin e 110 ha pyje në zonën Dardhë-Xhyrë, “pranon” se eksporton. Referuar pasqyrave financiare të kompanisë, të dorëzuara për vitin 2020, rezultojnë fitime nga eksporti i lëndës së përpunuar pellet, që krijohet nga përpunimi i lëndës drusore.

elbasanit

Pasqyrat financiare të kompanive Sinani & Durazzo Legnami

Bashkia e largon përgjegjësinë dhe justifikohet me paqartësitë e kontratës koncesionare, që është lidhur me procedurë ankandi në vitin 2014 me Ministrinë e Mjedisit, përpara se pyjet të transferoheshin pranë pushtetit lokal.

“Bashkimit të shoqërive Sinani & Durazzo Legnami sh.p.k., i ka lindur e drejta deri në zbatimin e plotë të prerjeve përfundimtare, në objektin “Ekonomia Pyjore Dardhë-Xhyrë”, deri më 24.09.2024 (me të drejtë rinovimi deri në përfundimin e prerjeve përfundimtare)”, – sqarohet në përgjigjen e Bashkisë së Përrenjasit.

Po ashtu, Bashkia e Përrenjasit deklaron se nuk ka dokumentacion që vërteton eksportin e lëndëve drusore.

“Nga rakordimet mujore dhe nga evidencat e hyrjeve dhe daljeve, të bëra ndërmjet subjektit dhe Bashkisë së Përrenjasit, nuk rezulton ndonjë dokumentacion që subjekti për këtë ngastër të eksportojë lëndë drusore jashtë vendit”, – thotë Bashkia e Përrenjasit.

Edhe të dhënat e INSTAT-it konfirmojë se eksportet vijojnë të jenë në shifra të larta. Në vitin e parë të hyrjes në fuqi të moratoriumit, pra në vitin 2016, u eksportuan 55 mijë m3 lëndë drusore, nga 96 mijë që ishte eksporti i një viti më parë. Por, në vitin 2017 të dhënat e INSTAT-it tregojnë një rritje të eksporteve në 78 mijë m3 lëndë drusore. Kjo e dhënë ka shënuar një rënie modeste vit pas viti dhe bilanci i eksportit për vitin 2021 ishte 53 mijë m3.

Institucioni vendor sqaron se Bashkia e Përrenjasit ka ushtruar kontroll në ngastrat prej 110 hektarësh, të administruara nga ky bashkim kompanish në zonën Dardhë-Xhyrë dhe nuk ka konstatuar probleme, por fotot e siguruara nga Investigative Network Albania dëshmojnë se në këto vend-depozitime të lëndës drusore nuk ka vetëm dru zjarri.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk iu përgjigj një kërkesë për koment në lidhje me eksportin e lëndës drusore të përpunuar nga kompanitë që shfrytëzojnë pyjet me koncension dhe të dhënat e INSTAT.

Ndërsa përshkon rrugën Qukës – Qafë Plloçë, rreth 2 kilometra në brendësi, zbulon një kompleks gjigant investimi, që pret përfundimin e rrugës. Pak dru për ngrohje qëndrojnë përballë kamionëve me stiva të mëdha dërrasash për përpunim. Banorët thonë se firma është ndër më të fuqishmet e zonës dhe ka shfrytëzimin e lëndës drusore në Stravaj të Librazhdit.

“Tani nuk ka shumë, por gjatë gjithë verës ka lëvizur sasi e madhe. Çfarë nuk na kanë parë sytë të zbresë nga mali dhe nuk dihet, ku shkon”, – thotë një grua, që e ka shtëpinë afër kompleksit modern, që ka edhe pjesën e lëndës drusore.

elbasanitVendgrumbullim në Stavraj të Librazhdit

Bashkia e Përrenjasit ka vazhduar të nënshkruajë aneks-kontrata me bashkimin e kompanive Sinani & Durazzo Legnami, duke e shtyrë afatin e shfrytëzimit deri më 15 nëntor të vitit 2022, shtesë e cila vjen për shfrytëzimin e lëndës drusore, të fituar nëpërmjet koncesionit në vitin 2014 me Ministrinë e Mjedisit.

elbasanit

Vendgrumbullim në Stavraj të Librazhdit

Edhe Bashkia e Gramshit vazhdon të ketë aktive dy kontrata koncesioni për shfrytëzimin e materialit drusor, të lidhura në tetor të vitit 2008 dhe 2011. Edhe pse ka përfunduar afati 10- vjeçar, ato vazhdojnë të jenë aktive pas nënshkrimit të 14 aneks-kontratave, njëjtë si në Librazhd e Përrenjas. Përfituese të këtyre kontratave janë Al Mex WOOD sh.p.k

Përvec atyre ekzistuese, për vitin 2020-2021 Bashkia Gramsh ka lidhur 3 kontrata të reja. Objekti i këtyre kontratave është shfrytëzimi i lëndës drusore për pastrimin e pyllit apo kalim të linjave elektrike, si dhe të ngastrave të dëmtuara nga faktorë të ndryshëm natyrorë, njerëzorë dhe nga zjarret.

Por pavarësisht se kontratat parashikojnë vetëm pastrim të pyllit për ngrohje, banorët pretendojnë se pritet edhe lëndë drusore, siç janë trupat që shkojnë për përpunim. Siç edhe dëshmon kjo foto, nuk bëhet fjalë për lëndë drusore për ngrohje që vjen nga pastrimi i pyllit, por drurë me diametër të madh për përpunim.

elbasanitVendgrumbullim nga kompanitë shfrytëzuese me kontrata nga Bashkia Gramsh

 

Moratoriumi nuk i ndaloi prerjet në bashkinë e Elbasanit

Me reformën territoriale të vitit 2014 ndryshoi edhe pronësia e pyjeve dhe kullotave, duke ia kaluar pushtetit vendor, por ato trashëguan edhe kontratat afatgjata të shfrytëzimit të pyjeve, që i kishte firmosur më parë Ministria e Mjedisit. Një VKM e miratuar në vitin 2017 dhe që lejonte ri-negocimin e kontratave përcaktonte se prerja “do të bëhet vetëm për shëndetësimin e pyjeve, plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive dhe enteve të tjera për dru zjarri”.

elbasanitAhmet Mehmeti, inxhinier pyjesh

Ahmet Mehmeti, inxhinier pyjesh në profesion dhe një aktivist i mjedisit, thotë se moratoriumi nuk ka pasur atë efekt që pritej.

“Mjafton një vëzhgim i thjeshtë në vendet e depozitimit, në rrugë dhe në pyje, për të kuptuar që ligji nuk po zbatohet. Unë vetë kam rastisur makina të mëdha me trupa, madje kam lajmëruar organet kompetente, por nuk i kam parë të veprojnë”, – thotë Mehmeti.

“Ligji dhe VKM-ja lejojnë vetëm për shëndoshje dhe dru për nevojat e ngrohjes. Kjo gjë nuk shkon, kur trupa dhe stiva me dërrasa lëvizin pa të keq”, – akuzon ai.

Ai i shikon si të pafuqishme institucionet vendore për të bërë monitorimin e pyjeve.

Lexo më tej: Nisin debatet e para në Big Brother Vip 

“Bashkitë nuk arrijnë t`i monitorojnë. Nuk kanë ekspertë, që ta vlerësojnë situatën dhe kështu iu jepet dorë e lirë abuzuesve”, – thotë Mehmeti.

Të zhgënjyer dhe shpresë-pakë për të ardhmen në fshatin e bekuar nga natyra, banorët e Dardhës shpresojnë që të anulohen këto kontrata, që po iu zhdukin pyjet.

“Kemi shpresën, që kontratat e tyre nuk do të rinovohen, në të kundërt Dardha nuk do të ketë më pyll”, – përfundon njëri nga banorët e Dardhës.

Ky artikull u botua pranë “Investigative Network Albania” 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *