• |
ide | kryesore

Çështja Betinho, nga divizioni i tretë te Manchester United… vetëm për pak orë

-Instant, Sport
Betinho



Me përfundimin e Kupës së Botës, vëmendja është e gjitha te merkato e transferimeve. Shumë klube tashmë kanë filluar punën për të sjellë menjëherë lojtarë të rinj në skuadër. Shembulli kryesor është ai i Liverpool, që mori Cody Gakpo nga PSV. E ndërkohë, emrat e tjerë të mëdhenj të futbollit europian patjetër që nuk po rrinë të vështrojnë. Madje, ndodh të blejnë edhe pa negociuar fare dhe pa… lajmëruar as lojtarët në fjalë. Siç dëshmon historia e çuditshme e Betinho.

NGA DIVIZIONI I TRETË NË OLD TRAFFORD

Kush është Betinho? Një futbollist portugez 29-vjeçar i cili më parë ka luajtur për Sporting Lisbona dhe Brentford. Tani ai është pjesë e skuadrës së S.C Espinho, divizioni i tretë luzitan. Megjithatë, siç rrëfen Sportbible, ai ishte një futbollist i Manchester United për disa orë. Të paktën duke gjykuar nga listat në uebsajtin e Premier League. Lojtari në fjalë është raportuar si numri i ri 11 i Djajve të Kuq. E logjikshme që tifozët u nisën menjëherë për të zbuluar se kush ishte nënshkrimi i ri i skuadrës së tyre. Natyrisht që mbetën jo pak të befasuar kur panë se bëhej fjalë për një lojtar nga kategoritë e ulëta portugeze. Imagjino pastaj kur United shpjegoi se ishte vetëm… një gabim.

GABIM TEKNIK, OSE NDOSHTA JO?

Një gabim teknik, që kushedi si bëri që Betinho të përfshihet në skuadrën e Manchester United. TheAthletic është munduar të sqarojë situatën. “Nuk ka të bëjë fare me klubin, që tashmë ka njoftuar Premier League. Është një problem teknik, të cilin stafi tashmë po e rregullon. Duket se dikush donte të bënte humoristin”. Me pak fjalë, ndoshta ata që punojnë në menaxhimin e faqes së Premier League kanë bërë shaka me Djajtë e Kuq, duke vënë një portugez, Betinho, në vend të një tjetri, CR7. Si e priti lajmin Betinho? Sapo e mori vesh, ai falënderoi United dhe me shaka i shkroi në Twitter bashkatdhetarëve të tij Bruno Fernandes dhe Diogo Dalot: “Mezi pres të luaj me ju”. Sa keq që ishte vetëm një ëndërr… e fundit të dhjetorit!”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *