• |
ide | kryesore

Kosova, porta e rrugës evropiane për Serbinë

-Instant, 2, Ide
ditmir bushati



1.
Në Samitin BE – Ballkan Perëndimor të mbajtur në Tiranë në kulmin e luftës në Ukrainë, Serbia ishte i vetmi vend që deklaroi hapur aleancën me Rusinë, duke refuzuar thirrjet e vazhdueshme të Perëndimit për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së. Disa ditë më pas, Serbia rishfaqi zellin e saj luftarak, si prishëse e stabilitetit rajonal, duke kërcënuar integritetin territorial të Kosovës me gjoja rikthim të forcave serbe në Kosovë, patrullime në zonën kufitare, apo shpallje të situatës së jashtëzakonshme që e krijon po vetë, si pretekst për t’u shmangur nga thelbi i çështjes: bashkimi i Serbisë me botën demokratike.
2.
Inkurajimi i dhunës, goditjeve ndaj policisë, institucioneve të Kosovës dhe atyre me mandat ndërkombëtar, sikundër vendosja e barrikadave dhe përdorimi i strukturave të inkriminuara në veri të Kosovës, është pjesë e strategjisë së Serbisë për kalçifikimin e gjendjes së tensionit dhe mbajtjes peng të Kosovës e rajonit në retorikën e së shkuarës. Ukshin Hoti shkruante me plot të drejtë se: “Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe europianizimit të saj të ardhshëm”. Edhe sot, Serbia ka një raport ende të pazgjidhur me lirinë dhe të ardhmen e saj.
Lexo me tej:
3.
Më shumë se një dekadë më parë Vuçiç erdhi në krye të Serbisë me premtimin që do të zgjidhte “çështjen e Kosovës”, duke hapur rrugën e Serbisë drejt BE-së. Ai rishpiku veten duke u “arratisur” nga e shkuara e tij e errët në konfliktet e përgjakshme në ish-Jugosllavi. Perëndimi e mbështeti në funksion të paqes dhe prosperitetit të rajonit, duke i dhënë statusin e vendit kandidat dhe duke e pranuar Serbinë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjithashtu, Serbia firmosi partneritetin individual me NATO-n, duke zhvilluar ndërveprueshmërinë me aleancën brenda suazës së politikës së saj neutrale, pa ndërprerë për asnjë çast bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë e Kinën.
4.
Që nga përmbysja e regjimit të Millosheviçit në Serbi janë ndryshuar disa herë qeveritë. Mirëpo, mbështetja e pakursyer e Perëndimit ndaj qeverive të ndryshme nuk ka sjell as demokratizim dhe as europianizim të Serbisë. Dhe as hapa vendimtarë për të përmbyllur konfliktin me Kosovën, apo për të trajtuar me vërtetësi krimet e së shkuarës, siç na tregojnë shembujt e botës së civilizuar ku duam të bëhemi pjesë. Ndërkohë që Perëndimi pret të korri frutet e këtij investimi për të ankoruar Serbinë përfundimisht në rrjedhat europiane, udhëheqja e saj flet për “rrezikun” e dominimit gjerman të rajonit. Ç’është më e keqja, në horizontin politik serb ende s’duket alternativa e njimendtë europiane.
5.
Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë e ka bërë njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës domosdoshmëri. Për shkak të kësaj situate, Gjermania dhe Franca janë përfshirë edhe më drejtpërdrejt në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga ana e BE. Proces që mbështetet fuqimisht nga SHBA-të. Përballë presionit në rritje, Serbia edhe pse pretendon anëtarësimin në BE ka bërë hapa pas, duke mos linjëzuar qëndrimet në politikën e jashtme me atë të BE-së. Në votimin e fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për evidentimin e krimeve ruse në Ukrainë, Serbia nuk u bashkua me vendet e botës demokratike.
6.
Në këtë luftë që po zhvillohet në kontinentin tonë, më mirë se kushdo tjetër, Europianët kanë kuptuar gabimin e madh të mbështetjes për vite me radhë tek Rusia në lëmin ekonomik, me shpresën se bashkëpunimi ekonomik do të shërbente edhe si zbutës i mosmarrëveshjeve politike. Qasja “fillimisht ekonomia e më pas politika” ra jo vetëm në raport me Rusinë, por edhe në raportin e komplikuar të SHBA-ve me Kinën që po zhvillohet në hapësirën e Indo-Paqësorit. Që ky mësim të reflektohet në praktikë, pesë shtetet anëtare të BE-së që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të lëvizin drejt njohjes. Kjo do shënonte një pikë kthese për vetë BE-në, si përgjegjëse për mbarëvajtjen e punëve në oborrin e saj.
7.
Serbia, në raport me Kosovën, është para zgjedhjes së rrugës europiane, e cila për të është domosdoshmëri. Adresa e vetme ku duhen përqendruar energjitë është procesi i dialogut Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja me mbështetjen e SHBA-ve. Një proces që për objektiv të vetëm duhet të ketë njohjen e ndërsjellë dhe zhbllokimin e rrugës europiane, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të gjashtë shtetet e rajonit tonë. Me gjasë Serbisë do t’i duhet më shumë kohë për të pranuar realitetin e pakthyeshëm, për të linjëzuar qëndrimin e saj me atë të BE-së. Ndërkohë, kjo e fundit nuk duhet të humb investimin e saj në rajon për transformimin e “gjeografisë së armiqësisë” në një gjeografi të paqes e prosperitetit brenda BE-së.
Marre nga Facebook i autorit Ditmir Bushati, ish minister i jashtem



5 Comments

  1. Me beri pershtypje nje konstatim i drejte i Bushatit tek shkruan : “Mbeshtetja e pakursyer e
    Perendimit ndaj qeverive te ndryshme nuk ka sjelle as demokratizim as europianizim te Serbise”
    Do ti thoja Bushatit se e njejta gje po ndodh edhe ne Shqiperi, mbeshtetja e perendimit per
    Ramen nuk ka sjelle as demokratizim as europianizim te Shqiperise, perkundrazi te gjithe
    treguesit jane perkeqesuar, pushteti eshte bere me arrogant e autokratik, korrupsioni eshte
    bere menyre qeverisese, zgjedhjet jane farse dhe e kane humbur mundesine qe pushteti te
    alternohet ne menyre paqesore, varferia, pasiguria,kriminaliteti , pabarazia jane rritur, shpresat
    e brezit te ri per te ndertuar te ardhmen ne vendin e saje pothuajse jane shuar duke pare
    vetem emigrimin si alternativen e vetme per mbijetese. Per cfare e mbeshtet perendimi
    kete qeveri ? Per gjoja stabilitet ? Cfare sarkazme. Edhe ne reanimacion ka shume stabilitet

  2. Po keto numrat nga paragrafet edhe mund t’ja hiqnit se na cuditet aq shume sa s’lexova fare shkrimin.

    Se ca te lexosh?! Shkrimin e nje nje rrote kari qe i shenon paragrafet me numer?! What the fucking fuck!

    Na lemeriset mi motra! Ua ua ua… Cudira.

    Se edhe mund ta kuptoja nese titullit do te thoshte dicka si “7 arsye perse…”

    1. Po qe për numura, ti psikopati Palikaris, një sozi bastard i Ramës, mban rekordin e komenteve idiote e në të njëjtën kohë rrugaçërore në këtë portal.
      Sa për shkrimin e ish ministrit të jashtëm, Z.Bushati, përgjithësisht mendoj se i ka trajtuar problemet e mardhënieve Kosovë-Serbi , apo Serbi-BE me realizëm.
      Por nga ish ministri prisja që të komentonte realitetin absurd që 5 vënde të BE nuk e kanë njohur akoma pamvarësinë e Kosovës.
      Në bindjen time, Serbia e Vuçiçit më shumë se nga Rusia e Putinit, trimërohet me deklaratat e saj se nuk do ta njohim kurrë Kosovën si shtet të pamvarur, pikërisht nga mbështetja e 5 vëndeve të BE që vazhdojnë akoma të mos ta njohin Kosovën.
      Ndërmjet këtyre vendeve është Spanja, e komisar i politikës së jashtëme të BE është spanjolli Borrel , e Sllovakia, kur komisari i zgjerimit të BE , është sllovaku Lajçak.
      Pa i hyrë detajeve sa i takon bindjeve personale të këtyre dy zotërijve politikanë që përfaqësojnë politikën e jashtëme të BE, është fakt se qeveritë e vëndeve të tyre nuk e njohin pamvarësinë e Kosovës, pamvarësisht për shkaqet e politikës së tyre nacionale për minoritetet etnike.
      Në fund të fundit, a nuk është pretendimi i Putinit për minoritetin etnik rus të
      Donbasit me të cilin ai i hyri luftës për të pushtuar gjithë Ukrainën ?
      Jo më Rusia e Kina por edhe vetë Serbia do të detyrohet ta pranojë pamvarësinë e Kosovës, kur këtë ta kenë bërë edhe 5 vendet e BE.
      Kjo mund të arrihet vetëm nëse vendimet e Parlamentit europian do të jenë të detyrueshme e nëse ky parlament me shumicë absolute votash do të detyrojë 5 shtetet antare që të njohin pamvarësinë e Kosovës, atëhere nuk do të dëgjojmë më fjalën “kurrë” të Vuçiçit për njohjen e Kosovës si shtet të pamvarur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *