Një lëvizje në kulisa nga ndërkombëtarët që duan të ulin tensionet? Një ndikim mbi drejtësinë i qeverisë Kurti që gjendet me shpatulla për muri? Apo thjeshtë një rastësi…Të gjitha këto pyetje po gëlojnë sot në Prishtinë, pas lirimit nga burgu të policit me kombësi serbe Dejan Pantiç, i cili u bë shkak për ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Pantiç u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, i akuzuar për terrorrizëm, pasi dyshohej se kishte organizuar sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit qëndror të zgjedhjeve, por sot me kërkesë të prokurorisë speciale, gjykata e ka lënë atë nga burgu në arrest shtëpiak.
Menjëherë pas ndryshimit të kësaj mase ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili po akuzohet nga kundërshtarët se qëndron pas saj, për faktin se e ka të pamundur të përballet me heqej e barrikadave dhe kthimin e normalitetit në Veri të Kosovës.
Kurti ka shfaqur mospajtimin e tij me këtë vendim duke thënë se do të ishte shumë kureshtar ta dinte se kush është prokurori që ka kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak dhe cili është gjyqtari që e ka aprovuar lirimin e një të akuzuari për terrorizëm si Dejan Pantiç. “Kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak.. , unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që kërkon arrest shtëpiak e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, tha Kurti para gazetarëve.
Lexo me tej:
Veriu/ Kosova në prag lufte. Rusia: “konfikti i madh nuk është larg”
Lirimi i Dejan Pantiçit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës të cilët në shenjë proteste ngritën mbi 10 barrikada që bllokuan lëvizjen e lirë drejt pikave kufitare dhe atë mes Mitrovicës jugore dhe asaj veriore.
Çështja e lirimit të Pantiqit u bë e madhe pasi me të u mor personalisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili gjatë gjithë kohës ka bërë publike kontaktet me bashkëshorten e Pantiçit, Suzana Pantiç.
Po pse kjo histori mori këto përmasa dhe përse fati i një njeriu të vetëm u shndërrua në mollë sherri mes dy shteteve? Për të kuptuar këtë duhet ditur ajo ç’ka ka ndodhur muajt e fundit. Qeveria Kurti vendosi të zbatojë parimin për reciprocitetin e targave dhe dokumentave me Serbinë. Një lëvizje e tillë i bëri përfaësuesit e minoritetit të bojkotonin institucionet. Deputetët e Lista Serbska dorzuan mandatet në parlament, të zgjedhurit lokalë dhanë dorëheqjen, gjyqtarët dhe policët, një prej tyre qe dhe Pantiq, zhveshën uniformat dhe u larguan nga postet. Presidentja e Kosovës iu kundërpërgjigj këtyre masave me shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat e veriut. Këtu autoritetet kosovare dyshojnë se Dejan Pantiç, ka organizuar një akt terrorrist duke e sulmuar zyrat e Komisionit zgjedhor.
Ndonëse i akuzuari i mohon akuzat, madje pretendon se ka edhe një video alibi në kohën kur ka ndodhur sulmi, ai u mbajt në burg nga policia e Kosovës. Menjëherë pas kësaj serbët lokalë u rebeluan bllokuan rrugët dhe që prej 10 dhjetorit kanë ngritur barrikada. Ata vunë si kusht për heqjen e tyre lirimin e ish policit.
Në këtë kontekst nga një fat personal çështja Dejan Pantiç, u shndërrua në mollë sherri mes dy komuniteteve.
Nga njëra anë serbët lokalë që Prishtina i trajton si terrorrisë po sfidonin shtetin, ligjin dhe policinë duke bllokuar rrugët dhe kufinjtë. Në anën tjetër qeveria Kurti, ndonëse pretendonte se e kishte fuqinë për ti çliruar ato dhe për të vendosur në vend sovranitetin e shtetit, pengohej nga ndërkombëtarët dhe trupat e KFOR, që i tremben përshkallëzimit të situatës në një konflikt të armatosur.
Makineria e propagandës serbe: Prishtina do të na sulmojë me 1500 trupa
Prandaj, në këtë situatë, dyshimet janë se mos prokurori Afrim Shefkiu dhe gjykatësi Mentor Bajraktari, që vendosën të zbusnin masën e arrestit për ish policin, kanë vepruar jo si juristë por të nxitur nga politika? A qëndron pas lirimit të Dejan Pantiç, qeveria Kurti që do të mbulojë me këtë zbutje pafuqinë e saj për të ndërhyrë ne Veri? Ndonëse me deklarata publike kryeministri kosovar e ka hedhur poshtë këtë version, kritikët e tij e akuzojnë se ai qëndron pas kësaj loje.
Tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç urdhëron gatishmërinë e ushtrisë dhe policisë
Nga ana tjetër, ka nga ata që mendojë se gjithçka është organizuar në kulisa nga ndërkombëtarët, që kanë një influencë të gjërë në drejtësinë kosovare, për të shmangur një ndërhyrjen e paralajmëruar policore në veri, që do i kishte hedhur benzinë zjarrit në një kohë që trupat e sigurisë së Beogradit janë vendosur në kufi me Kosovën.
Tani kur Aleksandar Vuçiçi i është gëzuar dërgimit në shtëpi të Dejan Pantiç, pyetja është: a do të mjaftojë zgjidhja e fatit të këtij polici të thjeshtë, për ti dhënë fund krizës? A ishte gjithë ky tension për një njeri të vetëm? A do të tërhiqen barrikadat, apo mos vallë do të gjendet një tjetër Dejan Pantiç si sebep, për të mbajtur të ndezur zjarrin në Mitrovicën e veriut?
©Lapsi.al