• |
ide | kryesore

Reagim i ashpër nga Gjermania: Retorika serbe e papranueshme

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
barrikadat



Qeveria gjermane u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat dhe të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. Barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës duhet të hiqen sa më shpejt dhe bllokimi i djeshëm i kalimit kufitar të Merdarës nga ana e Serbisë e ashpërson situatën edhe më shumë” – zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christoph Burger në konferencën e rregullt për shtyp në Berlin.

Më tej ai kritikoi retorikën nacionaliste të Serbisë dhe bëri thirrje që kjo e fundit të heqë dorë prej saj.

“Retorika nacionaliste, që kemi dëgjuar nga pala serbe në kohët e fundit është tërësisht e papranueshme dhe rritja e pranisë ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën jep një sinjal krejt të gabuar, prandaj edhe ne presim një qasje konstruktive nga ana e Serbisë dhe këtë e kemi bërë të qartë në kanale të ndryshme”, – tha Burger.

Burger tha gjithashtu se serbët e Kosovës duhet të kthehen sa më shpejt në institucionet Kosovës. “Kjo është në interes të njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës”, – argumentoi ai.

Qasje më konstruktive edhe nga ana e Kosovës

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë kërkoi gjithashtu qasje më konstruktive edhe nga ana e Kosovës.

“Kosova duhet ta pranojë që të vërë në agjendën e dialogut të udhëhequr nga BE-ja krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, – tha ai duke rikonfirmuar edhe mbështetjen e Berlinit për “bisedimet shumë instensive të udhëhequra nga i ngarkuari i BE-së me dialgun, Miroslav Lajçak, dhe nga KFOR-i, për të arritur një shtensionim të situatës në terren dhe progres në dalogun e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Ndaj zhvillimeve aktuale mes Serbisë dhe Kosovës kanë reaguar edhe raportuesit e partive për Ballkanin Perëndimor në Bundestag. Deputeti socialdemokrat, Adis Ahmetovic, në një deklaratë për shtyp kërkoi nga Serbia gatishmëri për negociim.

“Në vend të provokimeve të mëtejshme – p.sh. duke vënë forcat serbe të sigurisë në gatishmërinë më të lartë luftarake ose duke bllokuar rrugët e trafikut dhe kalimet kufitare – më në fund duhet të ketë një vullnet real për të negociuar në mënyrë që të parandalohet një konflikt i armatosur” – tha ai.

Ahmetovic kritikoi qëndrimin e Serbisë dhe kërkoi sqarimin e njoftimeve të pakonfirmuara për praninë e forcave ruse në Serbi.

“Përkundër kërkesave të ndërkombëtarëve dhe të kryeministrit kosovar që i kërkoi forcës paqeruajtëse të Kosovës, KFOR-it , të heqë barrikadat, arteriet e rëndësishme të trafikut vazhdojnë të mbeten të bllokuara dhe pikat kufitare të mbyllura. Informacioni ekzistues – nëse konfirmohet – se forcat e sigurisë Wagneriane tashmë janë të vendosura në Serbi duhet të sqarohet menjëherë”, – tha Ahmetovic.

Sipas tij BE dhe SHBA kanë një rol kyç për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm. “Më shumë se kurrë, BE-së dhe SHBA-ve u kërkohet të marrin masa të menjëhershme konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar paqen në Kosovë, për shembull duke rritur përsëri numrin e trupave të KFOR-it në vend, tha deputeti. “Llogaritja e qartë për të përsëritur një kapitull të errët të historisë, nuk duhet të funksionojë”, – deklaroi raportuesi i socialdemokratëve në Bundestag, Adis Ahmetovic.

Hacker: Serbët të heqin bllokadat

Me rastin e tensioneve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, edhe raportuesi përgjegjës i grupit parlamentar të partisë liberale FDP për vendet e Ballkanit Perëndimor, Thomas Hacker, kërkoi nga serbët të heqin bllokadat.

“Lirimi i ish-oficerit të policisë serbe, Dejan Pantic, tani duhet të përdoret për t’u dhënë fund menjëherë kufizimeve sistematike të lirisë së lëvizjes në dhe rreth qytetit verior të Kosovës, Mitrovicës”, – shkruan deputeti në një deklaratë për shtyp.

“Me vendimin e sotëm nuk ka më arsye të kuptueshme për mbajtjen e barrikadave. Këto tani duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, nën mbikëqyrjen e forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Udhëheqja e Beogradit do të ishte mirë gjithashtu që të hiqte dorë nga retorika agresive dhe destruktive dhe t’u kthehej toneve konstruktive që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe”, – deklaroi deputeti i liberalëve. /DW



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *