• |
ide | kryesore

Dështon skema e degëve prioritare në universitete/ Vetëm 7% e studentëve kërkojnë bursë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Pedagogët, universitete



Studentët nuk janë tërhequr aspak nga pagesa për të ndjekur disa prej degëve që qeveria i ka shpallur prioritet kombëtar.

Të dhënat flasin. Deri tani, të vetmit përfitues janë rastësisht të tillë, pasi asnjë prej tyre nuk është regjistruar në një program studimi, nxitur nga nisma e qeverisë.

Shifrat e para

U bë rreth një muaj që Ministria e Arsimit ka hapur thirrjen për studentët që dëshirojnë të përfitojnë nga programi i mbështetjes studentore. Gjatë kësaj kohe, mësohet të kenë aplikuar vetëm 86 studentë pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë. Edhe këta, nuk dihet nëse do të shpallen të gjithë fitues nga Por në total figurojnë 1236 studentë të regjistruar në degët me prioritet kombëtar.

Pra, vetëm 7% e këtij totali kanë aplikuar. Një analizë më e detajuar e këtyre të dhënave e tkurr edhe më tepër përqindjen. Nga 86 aplikime, 30 studentë janë ekselentë. Ata kanë zgjedhur degën e Mjekësisë së Përgjithshme, e cila kërkon një mesatare shumë të lartë, çka i bën automatikisht përfitues të bursës nga qeveria, pa marrë parasysh nismat e kësaj të fundit për të nxitur studimet në degë prioritare. Po ashtu, një aplikues rezulton fitues në një olimpiadë ndërkombëtare dhe 55 të tjerët janë përfitues të mirëfilltë të pagës mujore minimale.

Pra, kanë zgjedhur një nga ato degë (sipas tabelës përbri) me shpresën e përfitimit të pagës dhe shmangies së tarifës vjetore të studimeve së paku për një vit. Për ta vijuar mbështetjen, do të duhet të ruajnë nivelin e mesatares, çka është tejet e vështirë në fakultet. Një shifër e ngjashme studentësh, me shumë gjasë, kanë qenë pjesë e auditorëve të këtyre degëve edhe vitet e kaluara.

Krahasuar me mijëra studentët aplikues dhe dhjetëra mijëra të tjerë që hyjnë në auditorë çdo vit, numri është krejt i papërfillshëm duke dëshmuar që kjo nismë ka dështuar që në vitin e parë të saj. Për këtë janë ankuar edhe dekanët e fakulteteve, pasi kanë parë frytet e para të kësaj nisme që nuk dha rezultat. Ndonëse kanë ende kohë për të aplikuar (brenda muajit janar), shumica e studentëve që mendojnë se mund të jenë në mesin e përfituesve e kanë bërë tashmë pas thirrjeve të njëpasnjëshme të qeverisë e MAS.

Përfituesit

Universiteti më i madh në vend, me Gjuhë-Letërsinë dhe degë shkencore nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka numrin më të lartë të aplikuesve për bursë, 21 të tillë. Ndjekur nga Universiteti Politeknik i Tiranës me profilet e inxhinierive në zhdukje, Navale, Menaxhimi detar, Nafta e gazi, Gjeoinformatikë, Gjeologji e Gjeomjedis me 16 aplikues. Më pas, Universiteti Bujqësor që prej vitesh ka lëshuar alarmin për tkurrjen e studentëve në degët Agronomike, Akuakulture e Zooveterineri dhe më pak në universitetet e rretheve, Vlorë e Shkodër.

Premtimi, zero tarifë për mësuesit

Nga mbrëmja e fundvitit me mësuesit, Kryeministri Edi Rama premtoi ta zgjerojë skemën e mbështetjes së programeve prioritare, duke i mëshuar fort degës së mësuesisë. Jo vetëm disa degë si Gjuhë-letërsia apo Matematikë, Fizika do të mbështeten, por të gjithë ata të rinj që vendosin të ndjekin një profil mësuesie, e cila në vetvete ka kriter të fortë mesataren që në aplikim. Sipas Ramës, ata që do të ndjekin shkollën e mësuesisë nga viti i ardhshëm do t’u zerohet tarifa e shkollimit dhe do të përfitojnë bursë në nivelin e pagës minimale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *