• |
ide | kryesore

“Buuu” raciste në momentin e zëvendësimit, shpërthen Vinicius: “La Liga nuk bën asgjë, tani qenka faji im”

-Instant, Sport
vinicius



Një tjetër episod racizmi ndaj Vinicius, i shënjestruar nga tifozët e Valladolid, që i rezervuan ‘buuu’ të turpshme racizmi të premten në mbrëmje. Sulmuesi i Real Madrid ka reaguar ndaj provokimeve dhe të nesërmen ka sulmuar ashpër La Liga me një postim në rrjetet sociale: “Racistët vazhdojnë të shkojnë në stadiume dhe të shohin nga afër klubin më të mirë në botë dhe La Liga ende nuk bën asgjë… Do të mbaj kokën lart dhe do të festoj fitoret e mia dhe të Real Madrid. Në fund, është faji im”.

I zëvendësuar nga Ancelotti në minutën e 86, Vinicius priti në vijën anësore pak poshtë sektorit të tifozëve vendas, fundin e aksionit të Real përpara se të shkonte në dhomat e zhveshjes. Në atë moment nga tribuna erdhën disa buuu të turpshme raciste. E pikërisht në atë moment Benzema shënoi dygolëshin e tij dhe golin që vulosi fitoren 0-2. Vinicius në atë moment mori hakmarrjen e tij të menjëhershme, duke festuar në dytyrën e të gjithë atyre që deri pak çaste më parë kishin nisur ato kore të turpshme. Në këtë moment thirrjet raciste u intensifikuan në intensitet dhe mbi të gjitha objekte të shumta fluturuan në drejtim të sulmuesit brazilian.

PRECEDENTI PARA DERBIT ME ATLETICO

Tema e racizmit ndaj Vinicius Junior shpërtheu në Spanjë në shtator para derbit kundër Atletico Madrid. Deklaratat e Koke para ndeshjes (“Në Ëanda është më mirë të mos kërcejë për të festuar”) shkaktuan komentin e Pedro Bravo. Menaxheri spanjoll foli në transmetimin “El Chiringuito”: “Nëse do të kërcesh samba shko në Sambodromo në Brazil. Këtu duhet të respektosh kolegët dhe të reshtësh së qeni majmun”.

Fjalë këto që zemëruan të gjithë Spanjën, e ndaj të cilave Vinicius iu përgjigj: “Përderisa ngjyra e lëkurës është më e rëndësishme se shkëlqimi në sy, atëherë do të ketë luftë. Unë e kam këtë fjali të bërë tatuazh në trupin tim dhe, në jetën time, kam një sjellje që e fut këtë filozofi në praktikë. Thonë se lumturia të bezdis. Lumturia e një braziliani të zi, fitues në Europë, i mërzit shumë më tepër. Por vullneti im për të fituar, buzëqeshja ime, shkëlqimi në sytë e mi janë shumë më të mëdha se të gjitha këto. Isha viktimë e ksenofobisë dhe racizmit në një deklaratë, por asgjë nga këto nuk filloi dje. Ata kanë kriminalizuar prej kohësh kërcimet e mia. Të cilat nuk janë vetëm të miat: ato i përkasin Ronaldinho, Neymar, Paquetá, Pogba, Matheus Cunha, Griezmann dhe João Felix. Ata vijnë nga Reggaeton dhe zezakët amerikanë.

Kërcehet për të festuar diversitetin kulturor në botë. Pranoje. Respektoje. Ose çmendu. Unë nuk do të ndalem. Zakonisht nuk merrem me kritikat. Jam sulmuar dhe nuk kam folur. Lavdërohem, e prapë nuk kam folur. Unë punoj, shumë. Brenda dhe jashtë fushës. Kam zhvilluar një aplikacion për të nxitur arsimin në shkollat publike pa ndihmën financiare të askujt. Unë dua që brezat e ardhshëm të jenë aq të përgatitur sa unë. Për të luftuar racistët dhe ksenofobët. Përpiqem të jem gjithmonë model në fushën profesionale dhe në jetën e përditshme. Por kjo nuk duket në rrjetet sociale, kështu që frikacakët shpikin disa probleme për të më sulmuar. E skenari përfundon gjithmonë me një ndjesë, me një ‘jam keqkuptuar’. Por e përsëris, racist: Nuk do të ndalem së kërcyeri”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *