• |
ide | kryesore

Edhe pas kritikave, ministria e Bujqësisë vijon të propagandojë suksesin në eksporte

-Instant, Lajme, Të fundit



Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar pas analizës së Lapsi.al për rritjen e eksportit të pretenduar nga qeveria.

Ndërsa ish-zëvendës kryeminstri Erion Braçe nuk i ka kursyer kritikat kundrejt qeverisë pikërisht për neglizhimin e sektorit të bujqësisë, ministria që përfaqëson këtë sektor vijon të mbështesë idenë e zhvillimit dhe progresit të vazhdueshëm.

Edhe ish zv.ministrja e financave, Irena Beqiraj, shfaqi hapur skepticizmin e saj duke hedhur poshtë llogaritë e bëra nga ministrja Krifca dhe të shpallura më tej si suksese nga kryeministri Rama. “Për 11 mujorin çmimet e produkteve buqësore, në Europë (ku ne kryesisht eksportojmë) janë rritur me më shumë se 14 % , ku frutat edhe perimet janë rritur me 25%.

Po të llogarisim indeksin e rritjes se cmimit për portofolin tonë të eksportit kam frikë se rritja e çimimeve e tejkalon 17%, duke e kthyer pamjen përmbys.

Por le të bejmë një llogari të thjeshtë jo te detajuar. Le ti referohemi indeksit te Bankës Botërore , i cili thotë që indeksii cmimeve për produktet buqësore pa perfshirë grurin është rritur 14.9%. Thenë këte rritja reale mesatare e eksportit është ne rastin më të mirë 17%-14.9% = 2.1%”, ka shkruar Beqiraj në Facebook-un e saj.

Sot ministria e Bujqësisë ka reaguar sërish, duke mbrojtur pretendimet e saj për rritje të eksporteve.

Reagimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

Eksportet bujqësore drejt rajonit, Evropës dhe botës u rritën në  vlerën e 55.1 miliardë lekëve, gjatë vitit 2022,duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së tyre në bujqësi.

Krahasuar me një vit më parë eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15.6% gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18.1% më shumë. Përkatësisht eksportet bujqësore nga 360.7 mijë tonë në vitin 2021 arritën në 416.8 mijë tonë. Ndërsa në vlerë u rritën nga 450 milionë dollarë në 500.8 milionë dollarë.

Produktet më të eksportuara sipas sasisë janë pjeprat dhe shqalqinjtë me 18.4%, domatet me 15.5%, kastravecat me 14%, agrumet me 9.8%, zarzavatet me tjera 9.2%, lakrat me 9%, bimët aromatike dhe medicinale me 4.8% dhe mollët e ftonjtë me 3.2%.

Nderkohe produktet më të eksportuara në vlerë janë bimët medicinale dhe aromatike me 23.8% të eksporteve të kategorisë bujqësore, domatet me 15.6%, kastravecat me 12,1% dhe zarzavatet e tjera me 11%.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtare ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit duke alokuar 5.1 miliardë lekë dhe mbështetur drejtpërdrejt rreth 48 mijë fermerë. Gjithashtu nëpërmjet programit IPARD vetëm në vitin 2022 janë investuar 19 milionë euro rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese për bujqësinë shqiptare.

Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit janë puna e fermerëve pavarësisht një viti të veshtirë, rritja e ndjeshme e masave mbështetese nga buxheti shtetit si dhe shtimi i pikave te grumbullimit dhe eksportit.

Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone.

Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete të botës.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se, eksportet bujqësore shqiptare, kanë përshpejtuar trendin e rritjes në sasi dhe në vlerë. Ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda kësaj dekade eksportet e prodhimeve bujqësore të arrijnë në një miliard USD nga 500 milionë USD që janë sot.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *