• |
ide | kryesore

Historia/ Çfarë e detyroi nënën të hedhë fëmijën e saj në lumë

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Historia e 32-vjeçares Orjana Gremi që hodhi fëmijën e sapolindur në lumë ka shokuar me detajet e një ngjarjeje tragjike, nga ato që prodhon varfëria dhe mungesa e institucioneve në rrethina.

Gremi duket se ka pasur një shtatëzani të padëshiruar, por as nuk ka dashur ta abortojë foshnjën e saj. Në fillim, kur u paraqit në maternitet në datën 30 Dhjetor, ajo i ka thënë mjekëve se nuk do ta mbante fëmijën.

“Zonja ka kërkuar dorëzimin në shtëpinë e foshnjës. Kemi njoftuar drejtorinë e shtëpisë së foshnjës për proçedurat” tregoi Senad Halluni- shef i shërbimit obstetrik gjinekologjik në spitalin e Shkodrës.

Sipas tij, gruaja nuk kishte shfaqur asnjë shenjë se vuante nga shëndeti mendor. Orjana Gremi, banore e fshatit Golem të Shkodrës nuk i kishte kushtet për ta mbajtur fëmijën. Si punonjëse e një fasonerie në Shkodër është vizituar nga shoqet e punës, që i kanë folur ta mbante fëmijën dhe të mos e braktisë në jetimore.

Të paktën këtë lë të kuptohet mjeku i maternitetit të Shkodrës, Sajmir Selmanaj.

“Kanë ardhur kolegët e punës ku ajo ka punuar në një fabrikë këpucësh, të cilët i kanë sjellë dhurata dhe lekë dhe e kanë bindur që të mos e linte fëmijën në jetimore por ta mbante” ka rrëfyer Selmanaj.

Përballë presionit, përzier me urimet e kolektivit, nëna e re ka refuzuar ta dërgojë fëmijën në jetimore dhe është larguar bashkë me të. Mjekët tregojnë edhe një detaj që e bën akoma më tragjike situatën e 32-vjeçares. Ajo kishte refuzuar të tregonte se kush ishte babai i fëmijës, një detaj që tregon edhe presionin e shumëfishtë në të cilin është gjendur Orjana Gremi.

Katër ditë më pas, ajo ka shkuar tek murgeshat në Shkodër dhe u ka rrëfyer se djalin e porsalindur e kishte hedhur në lumë. Me t’u njoftuar për ngjarjen, policia ka nisur kërkimet dhe në orët e para të së shtunës e gjeti fëmijën në lumë, pranë Postribës. Foshnja ishte i mbuluar me batanije dhe plasmas, por nuk kishte mundur t’i mbijetonte të ftohtit gjatë natës.

“E hodha në lumë, s’kisha mundësi ta mbaja”, ka thënë 32-vjeçarja në polici, ndërsa i ati i fëmijës ende nuk dihet./Lapsi.al



2 Comments

  1. Nje ngjarje rrenqethese qe vetem ajo nena e din se cfare ka kaluar ne ato momente te veprimit qe kreu . Varferia,papunesia dhe mbi te gjitha mentaliteti qe ekziston ne Shqiperi jane disa nga faktoret qe e shtyne drejt atij akti.

  2. E tmershme.E kuptoj rrethanat në cilat i ndodh por zgjidhja ishte. Shtëpia e fëmijës.Sepse nuk ka kuptim veprimi i saj.Nuk është as adoleshente por një grua e rritur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *