• |
ide | kryesore

Artan Hoxha: Ka edhe një vilë tjetër të Ervis Martinajt në Surrel ku s’ka hyrë policia, i lanë kohë të zhdukte çdo provë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Gazetari Artan Hoxha është shprehur se kontrollet në shtëpitë e të zhdukurit të shumëkërkuar Ervis Martinaj, janë bërë qëllimisht me kaq vonesë, në mënyrë që 40-vjeçari të mund të zhdukë gjithçka që e kompromenton. I ftuar në News24, Hoxha u shpreh se është edhe një vilë e dytë e Martinajt në Surrel, që mesa duket nuk është kontrolluar, por është ruajtur për një moment të dytë.

“Është lënë gjithë kjo kohë, për shkak se nëse do të kishte gjë që mund ta kompromentonte, të mund ta hiqte. Aty ai ka jetuar vetë, me gruan dhe tre vajzat, nuk e di nëse në atë kohë i kishte lindur djali. Mbaj mend që vajzat i kishte në shkollë në të njëjtën zonë. Është gjetur pasaporta me emrin Admir Koca, duhet hetuar dhe kjo pasaportë, për të parë se si është mundur të dalë kjo pasaportë. Ekziston në sistem dhe i jepte mundësi të lëvizte jashtë vendit. Di që kjo banesë mirëmbahej nga një person. Banesa është blerë nga Martinaj dhe nuk e di se si janë bërë letrat që shtëpia iu kthye sërish Vuthajt. Si veprime më duken të vonuara, di që është kontrolluar njëra shtëpi, nuk di nëse është kontrolluar tjetra, pasi ka dy vila në atë zonë. Duhej që hetimi të ishte më i shpejtë në mënyrë që të kishim diçka konkrete se çfarë ka ndodhur me të,”- tha Hoxha.

Deklarata e Hoxhës vjen vetëm dy ditë pasi, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë zhvilluar kontrolle në dy vilat e Martinajt, që ndodhen shumë pranë banesës së kryeministrit Edi Rama, në Surrel. Kontrolli zgjati dy orë dhe efektivët dolën që aty vetëm me një tufë me dokumente që nuk dihet nëse do t’i shërbejnë hetimit. Asgjë e paligjshme nuk u gjet, ndryshe nga aksioni i zhvilluar në Fushë Kuqe që zbuloi arsenalin me armë e uniforma policie në kosheret e bletëve. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë.

Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë gjurmë. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version. Ish-efektivi Jeton Lami që u arrestua pas zhdukjes së tij është personi kyç që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit, por efektivi deri më tani nuk ka hapur gojë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *