• |
ide | kryesore

Çfarë gjeti policia nga kontrolli në shtëpinë e Ervis Martinajt në Surrel

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kontrolli i ushtruar një ditë më parë në vilën e Ervis Martinaj në zonën e Surrelit, ka zbuluar detaje të reja rreth pronësisë së kësaj shtëpie. Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews” se forcat speciale të RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, hynë brenda në vilën luksoze me shpresën e kapjes apo qoftë dhe gjetjes së gjurmëve të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ervis Martinaj.

Brenda në banesë nuk është gjetur asnjë familjar i të zhdukurit Martinaj, por një person tjetër që pretendonte se ishte ai personi që kishte në pronësi banesën që po kontrollonte Policia e Shtetit.
Shtëpia ishte me certifikatë pronësie nga një person tjetër, Fatmir Vuthaj. Policia dhe BKH-ja janë ndeshur me këtë person, i cili rezulton të jetë pronari i kompanisë së ndërtimit “Vuthaj Sh.p.k”, i cili u ka treguar hetuesve se vila ishte blerë prej tij në vitin 2017 dhe nga kjo periudhë e në vijim ia ka dhënë me qera përmes një kontrate qeraje, Ervis Martinaj. Ndërsa emri i Fatmir Vuthaj, është vendosur në certivikatën e pasurisë të kësaj prone, për të maskuar pasuritë që disponon Martinaj.
Po ashtu, nga dokumentat e sekuestruara, është gjetur një pasaportë e Kosovës, nën emrin Admir Koca, por me fotografi të biznesmenit Ervis Martinaj. Pasaporta do i nënshtrohet ekspertizës mbi origjinalitetin e saj. Por për t’u testuar janë edhe dokumentat e tjerë që janë gjetur në vilë, të cilat janë në emër të Fatmir Vuthajt.

Kontrolli zgjati dy orë dhe efektivët dolën që aty vetëm me një tufë me dokumente që nuk dihet nëse do t’i shërbejnë hetimit. Asgjë e paligjshme nuk u gjet, ndryshe nga aksioni i zhvilluar në Fushë Kuqe që zbuloi arsenalin me armë e uniforma policie në kosheret e bletëve. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *