• |
ide | kryesore

U akuzua se nuk donte Benzema në ekip, Lloris rrëfen çfarë ndodhi: “Nuk e favorizuam lamtumirën e tij”

-Instant, Sport
Lloris



Hugo Lloris, pak javë pas humbjes në finalen e Botërorit ndaj Argjentinës, i thotë lamtumirë kombëtares franceze. Ish-kapiteni mban edhe rekordin absolut të paraqitjeve me fanellën e Les Bleus (145) duke parakaluar Lilian Thuram (142): “Kam vendosur t’i jap fund kësaj faze të karrierës. Kam ndjesinë se kam dhënë gjithçka dhe nuk mund të bëja më shumë se kaq. Dhe është e rëndësishme që ta them tani sepse pas dy muajsh e gjysmë janë ndeshjet e para të eliminatoreve europiane”.

Portieri i Tottenham, në rastin e njoftimit të tërheqjes nga kombëtarja, ka folur me L’Equipe edhe për çështjen Benzema. Sulmuesi i Real Madrid braktisi grumbullimin e Francës për shkak të dëmtimit. Benzema u rikuperua para finales, por ai nuk u mor më në konsideratë nga tekniku. Nga aty, u tha gjithçka për lamtumirën e Benzema nga kombëtarja, duke ndezur debatet.

Lloris, duke folur me L’Equipe, dha versionin e tij të fakteve: “Për sa i përket Benzema, të gjithë mbetëm të befasuar. Ajo që ne lojtarët përjetuam me largimin e tij është kjo: u stërvitëm në mbrëmje, ai u dëmtua, shkuam në shtrat dhe të nesërmen kur u ngritëm na thanë se Karimi ka ikur. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”.

LLORIS: “BENZEMA ASET I RËNDËSISHËM”

Por, përse u largua? Ish-kapiteni ka folur për një problem mjekësor. Portieri nënvizoi gjithashtu se Benzema është një aset i rëndësishëm: “U paraqit si një problem mjekësor dhe ne lojtarët e zbuluam në mëngjes. Kjo, në një kohë kur diçka ndodhte pothuajse çdo ditë. Por ka shumë gjëra që janë thënë që janë të rreme apo qesharake. Atmosfera ishte shumë e mirë para se të largohej, e shumë e mirë më pas. Natyrisht ne të gjithë do të kishim preferuar që Topi i Artë, veçanërisht duke parë se çfarë ka sjellë që nga rikthimi i tij, të ishte me ne. Është ende një aset i rëndësishëm”.

Në fund, Lloris heshti zërat që qarkullojnë javët e fundit. Ai dhe shoku i tij i kombëtares Antoine Griezmann u akuzuan se nuk e donin Benzema. Madje ata kishin këmbëngulur që ai të largohej. Të gjitha false: “Të thuash se jemi përpjekur që ai të largohej është krejtësisht e rreme. Ai ishte vendimtar për tetëmbëdhjetë muaj. Ai na ndihmoi të fitonim Ligën e Kombeve. Rikthimi i tij në kombëtare ishte vetëm pozitiv. Është vërtet e pandershme të thuash se disa prej nesh do ta donin lamtumirën e tij. E pastaj, kur e paskemi bërë? Dhe si?”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *