• |
ide | kryesore

Edi Rama ndalon komisionin hetimor për udhëtimet e tij me çarter

-Instant, Arkiva, Të fundit



Socialistët rrëzuan të enjten në Konferencën e Kryetarëve një kërkesë të deputetëve të opozitës për hetim parlamentar lidhur me shpenzimet e udhëtimeve me avion çarter të kryeministrit Edi Rama, si dhe paralajmëruan ndryshime ligjore për ngritjen e komisioneve hetimore.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i cilësoi kërkesat e opozitës “të pakufijshme”, por shtoi se mazhoranca po planifikonte të bënte ndryshime urgjente në ligjin për komisionet hetimore parlamentare si pasojë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

“E vërteta është që kërkesat e opozitës janë të pakufijshme në të drejtën e tyre për të propozuar, por kjo nuk do të thotë që edhe ne nuk kemi të drejtë t’i shqyrtojmë,” tha Balla.

Sipas Ballës, në Konferencën e Kryetarëve pati dakordësi që Kuvendi të adresojë “në mënyrë urgjente dhe të menjëhershme” vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë lidhje me ligjin për organizimin e komisioneve hetimore.

Por përfaqësuesit e opozitës duket se kanë pritshmëri të ndryshme nga mazhoranca për ndryshimet e pritshme ligjore. Deputetja Jorida Tabaku e cilësoi mohim të një drejtë ligjore të deputetëve për hetim parlamentar, vendimin e Konferencës së Kryetarëve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë opozitës që të ngrejë një komision dhe gjendet dakordësia vetëm për objektin e punës së komisionit hetimor,” tha Tabaku.

Tabaku gjithashtu pranoi se ligji ka nevojë për ndryshime dhe shtoi se PD ka depozituar propozimet e saj më herët ne Kuvend.

Kërkesa e firmosur nga 35 deputetët e PD-së kishte si objekt hetimor “verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit të kryeministrit Edi Rama nga data 10 shtator 2013 deri në 31 tetor 2022”.

Duke marrë shkas nga publikimi i të dhënave për 137 udhëtime me çarter të kryeministrit në këtë hark kohor, PD hedh dyshime për keqpërdorim të parave publike dhe mungesë transparence nga ana e qeverisë për shpenzimet e kryera.

Në kërkesë ishin ngritur disa pyetje mbi përdorimin e avionit “Ismaili” të kompanisë Air Albania për udhëtimet e kryeministrit, duke kërkuar transparencë të faturave dhe akteve zyrtare që lidhen me këtë çështje.

Gjatë sesionit të shkuar, socialistët refuzuan disa herë kërkesën për hetimin e ligjit për investimet strategjike dhe një tjetër kërkesë për çështjen e arbitrazhit të qeverisë me biznesmenin italian, Francesco Becchetti. Të dyja vendimet u ankimuan në Gjykatën Kushtetuese, ku edhe u rrëzuan.

Në rastin “Beccheti”, gjykata vlerësoi se kërkesa nuk plotësonte standardet kushtetuese për ngritjen e një komisioni hetimor, ndërsa kërkesën tjetër nuk e futi në shqyrtim në seancë pasi nuk ishte formalisht në rregull.

Blerina Gjoka / Birn



25 Comments

  1. Ah ky vendi jone vec nga nji budallik nxjerr perdit. Boti shko cep e n cep se at pun ka ju thon rri ktu. Jopo hajde izolohemi si ne koh te zhaxhit

  2. O ju ne nji vrim i bini … mos me punu jopo pse spuno me punu jopo ti ik per gje tjeter …na cat karin me lajme kari qe beni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *