• |
ide | kryesore

Përvetësonin automjete duke mashtruar qytetarët dhe më pas i shisnin, arrestohet 38-vjeçari

-Instant, Lajme, Të fundit



Një 38-vjeçar, Elton Rrushi, është arrestuar nga policia e Tiranës, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, pasi së bashku përvetësonin automjete të shtetasve të ndryshëm duke i mashtruar ata, dhe më pas i shisnin nëpërmjet kontratave noteriale false.

Policia bën me dije se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i provave të siguruara nga një hetim disamujor, i ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mekanizmi”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin E. Rr., 38 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i 38-vjeçarit, shtetasi B. B., 35 vjeç.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përvetësonin me anë të mashtrimit, automjete të shtetasve të ndryshëm, dhe më pas i shisnin këto automjete nëpërmjet kontratave noteriale të falsifikuara.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një automjet i përvetësuar me anë të mashtrimit. Vijon puna për kapjen e shtetasit B. B., si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *