• |
ide | kryesore

Mbishkrimet “Wagner” në veri të Kosovës: Nisin hetimet nga Prokuroria

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Pjesa veriore e Kosovës është zgjuar sot me parullat e mbishkrimet me emrin e grupit të mercenarëve rusë “Wanger”. Për këtë çështje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë tashmë ka nisur hetimet.

Vepra penale e cila është kryer në këtë rast, dyshohet të jetë “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

“Ju njoftojmë se është njoftuar prokurori kujdestar, ka udhëzuar policinë për grumbullimin e informatave dhe zbulimin e kryesve, tani për tani në drejtim të veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për gazetën Nacionale.

Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbishkrimet “Wagner” janë shfaqur në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan.

“Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe “WAGNER”. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Është raportuar se në në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime “WAGNER”. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Vazhdimisht është raportuar se në pjesën veriore kanë qëndruar anëtarë të grupit “Wagner”, të cilët kanë qenë edhe nëpër barrikada kur ato ishin vendosur ditë më parë./Nacionale



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *