• |
ide | kryesore

Video/ Bajrami asist për golin që dënoi Inter: Empoli bën goditjen e madhe në San Siro

-Instant, Sport, Video
Bajrami



Goditje e madhe e Empolit në San Siro, në ndeshjen e prapambetur të javës së 19 të Serie A. Toskanët mundën me meritë 1-0 Inter, që mbeti me 10 lojtarë nga minuta e 40′, për shkak të përjashtimit të Skriniar. Një ndeshje nën ton e zikaltërve që vinin nga suksesi i tyre në Superkupën e Italisë. Skuadra e Inzaghi vuajti gjallërinë dhe truket e Empolit dhe u shembën në minutën e 66′. I sapofuturi Baldanzi, i shërbyer në perfeksion nga Nedim Bajrami, befasoi me një goditje qendrore Onana. Inzaghi luajti me treshen Lautaro-Dzeko-Lukaku përpara, por ishte De Vrij ai që iu afrua barazimit në minutën e 77. Goditja me kokë e mbrojtësit u stampua në traversë. Inzaghi zbret në -12 nga Napoli dhe i thotë lamtumirë titullit.

Lexo më tej: Me gërma kineze e detaje në të verdhë kundër Empolit: Inter me fanellë speciale për Vitin e Ri kinez

Superkupa, e festuar para dhe gjatë ndeshjes, i përket së shkuarës. E tashmja për Interin është një disfatë shumë e hidhur ndaj një Empoli për duartrokitje. Një ndeshje e dhimshme përtej golit të pësuar nga talenti Baldanzi me asistin e mesfushorit të kombëtares së Shqipërisë Bajrami. Për të panumërtën herë në këtë 2023, skuadra e Inzaghit ka ulur nivelin e performancës ndaj një ekipi të nivelit inferior. Nëse me Napolin dhe Milanin, ishte i vendosur dhe i guximshëm, kundër Monza, Parma, Verona dhe tani Empolit, zikaltrit u rishfaqën si të ndrojtur.

SKRINIAR SHFAQ PROBLEMET E PARA

Një Inter i panjohur edhe kur ndeshja ishte 11 kundër 11. E për më tepër, ka vuajtur për herë të parë pasojat e çështjes Skriniar. Mbrojtësi në ikje drejt Parisit e komplikoi ndeshjen me dy ndërhyrje të vrazhda në 40 minutat e para. Dy të verdha të kota janë shenja se qetësia nuk jeton më këtu, sidomos pas refuzimit të rinovimit të propozuar nga shoqëria që u bë publike.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *