Skandali i korrupsionit shpërtheu më 22 janar, kur Ministria e Mbrojtjes u akuzua nga një gazetë investigative për mbipagimin e furnizuesve për ushqimin e ushtarëve ukrainas. Furnizuesi ka thënë se faji ishte i tyre nga një gabim teknik dhe se nuk ishin dhënë para shtesë. Ministria tha se akuzat ishin të pabaza.

Në të njëjtën ditë, zëvendësministri i Infrastrukturës i Ukrainës u arrestua me dyshimin se kishte marrë ryshfet prej 400 mijë dollarësh për importimin e gjeneratorëve në shtator, një akuzë të cilën ai e mohon.

Nënkryetari i administratës presidenciale, Kyrylo Tymoshenko, njoftoi më 24 janar se i kishte paraqitur dorëheqjen Zelenskiyt. Pak kohë pas njoftimit të Tymoshenkos, zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov, që ishte përgjegjës për furnizimin e ushtrisë me ushqim dhe pajisje, gjithashtu dha dorëheqje, duke përmendur “akuzat e mediave” për korrupsion.

Dy zëvendësministra, Vyacheslav Nehoda dhe Ivan Lukerya nga Ministria e Komuniteteve dhe Zhvillimit të Territoreve të Ukrainës dhanë gjithashtu dorëheqje më 24 janar. Po të njëjtën ditë, Oleksiy Symonenko, zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, u shkarkua. Largimet e zyrtarëve pasuan njoftimin e presidentit Volodymyr Zelensky, më 23 janar, se do të bënte ndryshime në udhëheqje në nivele të larta dhe të ulta. Zelensky u zotua për çrrënjosje të korrupsionit nga administrata e tij.