• |
ide | kryesore

Ndryshon formati i Ligës së Kombeve dhe i Europianit: UEFA miraton vendimet

-Instant, F1, Sport
formati



Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi mbledhjen e parë për këtë vit në ‘Shtëpinë e Futbollit Europian’ në Nion të Zvicrës. Në këtë mbledhje u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s aprovoi disa formate të reja për kompeticionet e ekipeve kombëtare. Veçanërisht me rëndësi formati i ri për Ligës së Kombeve dhe Europianin, që pritet të hyjnë në fuqi në shtator të vitit 2024.

Pas konsultave të gjata me të gjitha federatat anëtare në UEFA, u vendos që të modifikohen formatet aktuale të Ligës së Kombeve dhe kualifikueseve të Kampionatit Europian, për të dhuruar e për të ofruar një garë më të fortë dhe më emocionuese brenda datave ekzistuese, dhe në të njëjtën kohë për të forcuar burimet e federatave anëtare e për të siguruar një rikuperim më të qëndrueshëm të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

FORMATI I RI I LIGËS SË KOMBEVE

Liga e Kombeve do të zgjerohet me një raund të ri eliminues që do të luhet në muajin mars. Kështu krijohet vazhdimësinë midis fazës së grupeve, që përfundon në muajin nëntor e finaleve të luajtura në muajin qershor. Fituesit dhe skuadrat e vendeve të dyta në grupet e Ligës A, do të marrin pjesë në këto ndeshje play-off për të përcaktuar pjesëmarrësit në Final Four. Skuadrat e treta të grupeve të Ligës A do të luajnë ndaj ekipeve të dyta në grupet e Ligës B, si dhe skuadrat e treta të Ligës B me vendet e dyta të Ligës C, do të luajë gjithashtu ndeshje play-off për ngjitjen dhe rënien. Zgjerimi i Ligës së Kombeve të UEFA-s, me ndeshjet e luajtura në muajin mars do të ketë të bëjë vetëm me një numër të përzgjedhur skuadrash. Ekipet e mbetura do të jenë të disponueshme për të filluar kualifikueset europiane.

FORMATI I RI I KUALIFIKUESEVE PËR EUROPIANIN E BOTËRORIN

Formati i ri i kualifikueseve për Kampionatin Europian apo për Kampionatin Botëror do të jetë më i konsoliduar. Me 12 grupe, tashmë, me katër dhe pesë skuadra, për të rigjallëruar më shumë këtë kompeticion. Kjo do të dhurojë më shumë garë në të gjitha nivelet.

Në grupet me pesë skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisin në muajin mars. Ose në muajin qershor nëse ato janë ende duke garuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s, apo janë përfshirë në ndeshjet e playoff. Ndërkaq, në grupet me 4 skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisë në muajin shtator.

Fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në finalet e Kampionatit Europian ose atij Botëror. Ndërsa skuadrat e vendit të dytë ose do të kualifikohen në mënyrë direkte, ose do të marrin pjesë në ndeshjet e play-off-it. Në këtë fazë do të marrin pjesë edhe ekipet e UEFA Nations League për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian. Nuk është propozuar asnjë ndryshim për finalet e Europianit, ku do të vijojnë të marrin pjesë 24 ekipe. Ky format i ri i aprovuar ditën e sotme do të hyjë në fuqi pas EURO 2024.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera shumë të rëndësishme. Finalja e Superkupës do të transferohet nga Kazani në Athinë, më 16 gusht 2023 dhe do të luhet në stadiumin “Georgios Karaiskakis” të kryeqytetit grek. Gjithashtu, Sllovakia do të presë finalet e Kampionatit Europian 2025, për ekipet kombëtare të grupmoshës U-21. U miratuan gjithashtu edhe rregulloret e Kampionatit Europian UEFA U-21 (2023-2025) dhe rregulloret e Kampionatit Europian për femra (2023-2025). Pas pandemisë Covid-19, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të ndërpresë aplikimin e ‘UEFA Return to Play Protocol’. Ai u miratua në vitin 2020 si masë e rëndësishme për parandalimin e shpërndarjes së virusit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *