• |
ide | kryesore

Dy operacione e katër cikle kimio, Haller rrëfen makthin e sëmundjes: “Trupi im ishte shkatërruar përbrenda”

-Instant, Sport
Haller



Pas më shumë se gjashtë muaj pasiviteti, Sébastien Haller më në fund u kthye në fushë. Ai e bëri këtë të dielën në ndeshjen e Bundesligës kundër Augsburg, të fituar 4-3 nga Borussia Dortmund. Një prezencë që pasoi miqësoren e luajtur ditët e fundit ndaj Fortuna Dusseldorf. Fundi i një makthi për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, i cili në mikrofonat e L’Equipe rrëfeu fazat më të vështira të sëmundjes.

Pas një sezoni e gjysmë me fanellën e Ajax, me të cilin shënoi 47 gola në 66 paraqitje, verën e kaluar Haller kaloi te Borussia Dortmund. Më pas, gjatë grumbullimit veror, erdhi lajmi për sëmundjen. Një tumor malinj në testikuj, që tronditi jetën e lojtarit. Prej aty lamtumira momentale me aktivitetin konkurrues, dy operacione dhe katër cikle kimioterapie.

HALLER: “TRUPI IM ISHTE SHKATËRRUAR PËRBRENDA”

Një makth që, pas kthimit të tij në fushë, Haller e ka rrëfyer në një intervistë për L’Equipe: “Kimioterapia më shkatërroi trupin brenda. U përpoqa të tregoja se gjithçka ishte në rregull, por ishte e vështirë ta bëja para shikimeve të dhimbshme të njerëzve. Më kishin rënë flokët, buzët ishin të zeza dhe sytë të futur. Dukesha i sëmurë. Për shkak të kateterit në fyt, ditët e para nuk mund të flisja normalisht. Sikur kisha një të ftohtë të rëndë”.

Lexo më tej: Haller kthehet në fushë pasi mposhti sëmundjen me një mesazh në këpucë: “F*ck Cancer”

Një nga fazat më të vështira për lojtarin nga Bregu i Fildishtë ishte detyrimi për të dhënë lajmin në familje: “Paralajmërova gruan time, e cila ishte me pushime me fëmijët tanë. U përpoqa të jem sa më i drejtpërdrejtë për ta bërë të kuptojë se gjërat do të ndryshonin. U kërkova vëllezërve të rrinin me nënën time. Kjo sepse tezja më kishte vdekur pak më parë dhe trauma ishte ende e pranishme në familje”.

Me pak fjalë, një makth gjashtëmujor nga i cili megjithatë duket se ka dalë. Tani, në dritën e rikthimit të Haller në fushë në Bundesligë, gjithçka që mbetet vecse të shijojmë veprimet që e kanë bërë atë një nga sulmuesit më tërheqës në skenën ndërkombëtare.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *