Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim në Gjykatën Kushtetuese. Ende nuk dihen arsyet e kësaj vizite të ambasadores Kim. Vetë Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka mbajtur një mbledhje të posaçme dhe ka vendosur fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit të ri. Institucioni i ka hapur rrugë edhe depozitimit të kandidaturave.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese. Ai ka mandat për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri. Pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, kryetari caktohet me short.