Ndërsa deklaroi se Shqipëria do shpërthejë me fuqinë më të madhe politike dhe qytetare sa i takon çështjes se fundit ‘McGonigal’, Sali Berisha u shpreh se Edi Rama është zhdukur prej 48 orësh, duke shtuar se nuk dihet nëse ai ka fluturuar jashtë vendit për të kërkuar ndihmë te George Soros.
“Tirana po zien, një revoltë e thellë ka përfshirë dhe po përfshin qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë.
Një revoltë e cila, pa diskutim do shpërthejë me fuqinë më të madhe politike dhe qytetare për largimin me urgjencë nga skena politike, de facto kryeministrit më të korruptuar të planetit, i cili, ia ka mbathur.
Është zhdukur prej 48 orësh. Ka fluturuar me Ismailin apo jo, këtë nuk kemi asnjë lajm. Është nisur te padrino i tij, Xhorxh Soros për të kërkuar ndihmë, apo gjetiu, nuk kemi asnjë lajm. Sepse në kodin e mafies, lajmet nuk pipëtijnë.”, tha ai.
Lexo më tej: Skandali i shpjeguar thjeshtë/ Lidhja e Ramës me agjentin e arrestuar të FBI
Berisha deklaroi se Rama rekrutoi me korrupsion Charles Mcgonigal për t’i futur thikë opozitës dhe për të marrë peng kreun e opozitës. Ai shtoi se kjo ngjarje ka revoltuar qytetarët.
“Por, ajo që ka revoltuar në shkallë ekstreme qytetarët shqiptarë, është fakti se Edi Rama ka arritur me fuqinë e tij korruptive të shndërrojë në mburojë korrupsionin ndërkombëtar, në mburojë të pushtetit të tij të korruptuar. Unë kam denoncuar këtu para jush këtë fenomen, ndër më të rrezikshmit, këtë pasojë, këtë fenomen, i cili arrin në formën më kulmore në rastin e regjimit të Edi Ramës.
Paguhet njeriu më i besuar i FBI-së për të sulmuar, për të ndërmarrë veprime, akte kundër opozitës demokratike të një vendi, me qëllimin makabër të marrjes peng të kreut të saj. Kur një akt i tillë kryhet ndaj një zyrtari të atij niveli të një vendi të lirë, përbën krimin më të shëmtuar, të cilët nuk mund të veprojnë kurrë ndaj një vendi tjetër të lirë. SHBA udhëheqin me vlerat, parimet dhe lirinë që ato mbrojnë. Edi Rama rekruton me korrupsion McGonigal për t’i futur thikën opozitës, për të çimentosur pushtetin korruptiv të Edi Ramës.”, tha ai.
Lexo më tej: Teoria konspirative / A e “amniston” Lul Bashën skandali McGonigal
Rama ka përdorur edhe paraardhësin e tij kundër opozitës, sipas Sali Berishës.
“McGonigal jo rastëssiht ka zgjedhur Tiranën. Megjithatë unë i bëj thirrje FBI-së dhe Kongresit të SHBA, të hetojnë me seriozitetin më të madh se cilat janë pikat që bashkuan Edi Ramën me McGonigal. kush e solli, kush e rekomandoi, kush qëndron në mes të këtij akti makabër ndaj një vendi partner, ndaj SHBA.
Shtoj këtu se në grupin e personave që hetohen nga pala amerikane është edhe parardhësi i McGonigal, Lou Bladel, i cili ka kontrata të firmosura me qeverinë e Edi Ramës, i cili rezulton të jetë i implikuar direkt, sipas të dhënave, në betejat kundër opozitës. I bëj thirrje edhe njëherë Kongresit të SHBA dhe FBI-së, të hetojnë të gjitha veprimtaritë e McGonigal dhe paraardhësit të tij”, tha Berisha.
Lexo më tej: Alibia e Edi Ramës për t’iu shmangur implikimit në çështjen “McGonigal”
Sipas tij, gjykata amerikane e konsideron qeverinë shqiptare një çerdhe korrupsioni.
“Gjithashtu dua të sjell në vëmendjen e madhe se Juria e Madhe e San Françiskos, që ka urdhëruar hetimin e çdo regjistrimi, materiali, dokumenti, personi, përfshi këtu telefonat, emailin, aplikacionet e enkriptuara, mesazhet zanore, midis Charles McGonigal për pikat që vijojnë: Agron Nezës, Tomas Fitzgerald- bashkëpunëtor i McGonigal, Lou Bladel- i kontraktuar nga Edi Rama për veprimtari me pamje të parë policinë, por në fakt kundër opozitës, qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe çdo personi të lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Imagjinoni se çfarë çerdheje, çfarë votre korruptive e konsideron gjykata amerikane qeverinë e Shqipërisë, çdo personi të lidhur me qeverinë këtu, përfshi këtu dhe jo vetëm kryeministrin Edi Rama.
Çdo lloj dhurate, pagese për Charles McGonigal nga Agron Neza, Dorian Duçka apo person tjetër i lidhur me qeverinë e Shqipërisë”, u shpreh Sali Berisha.
©LAPSI.AL