• |
ide | kryesore

Shehi, Xhixha e Guindo, të nderuar nga Sylvinho e Carembeu: ja më të mirët e vitit 2022 në mbrëmjen gala të FSHF

-Instant, F1, Sport
Guindo



Në mbrëmjen gala të FSHF-së janë dorëzuar cmimet për protagonistët e vitit 2022. Përvec cmimeve të mëdha për Orges Shehin, Saliou Guindo, Redon Xhixhën, apo talentin Simoni, është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit 2022. Përzgjedhja ka qenë mbi 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre në kampionatin elitar të Shqipërisë.

Për të shpallur emrat e fituesve është ftuar në skenë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala. Ish-mesfushori ka lexuar emrat e fituesve të përcaktuar sipas votimit të bërë nga gazetarët e emisionet sportive në vend. “Kur isha në holl para eventit pashë disa lojtarë të viteve ‘80 dhe mu rrënqeth mishi. Jam rritur me emra të mëdhenj. Takova shokë dhe lojtarët e rinj, shpresoj të vazhdojnë kështu. Kemi dhe një stadium perfekt. Stadiumi i ri na zbukuron dhe qytetin”, – tha Lala teksa zbuloi edhe emrat e fituesve.

Përbërja e formacionit të vitit është kjo: Visar Bekaj (portier), Erdenis Gurishta (mbrojtës), Eneo Bitri (mbrojtës), Filip Najdovski (mbrojtës), Esin Hakaj (mbrojtës), Arinaldo Rrapaj (mesfushor), Mentor Mazrekaj (mesfushor), Masanga Matondo (mesfushor), Taulant Seferi (sulmues), Redon Xhixha (sulmues), Xhuliano Skuka (sulmues).

ORGES SHEHI “TRAJNERI I VITIT 2022”

Orges Shehi është shpallur sot nga FSHF si fituesi i çmimit “Trajnerit i vitit 2022”. Tekniku ia doli që të udhëhiqte ekipin e Tiranës drejt titullit të 26-të kampion! Të nominuar për të fituar këtë çmim ishin edhe trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, si edhe trajneri i Egnatias, Shpëtim Duro.
Trajneri i ekipit kombëtar, Sylvinho i dorëzoi trofeun e rëndësishëm trajnerit të Tiranës, Orges Shehi. “Eshtë kënaqësi të jem këtu. Pasioni im është futbolli dhe e di që të gjithë këtu janë dashamirës të futbollit”, tha trajneri i Kombëtares para se t’i jepte trofeun teknikut bardheblu. Shehi u shpreh i lumtur që është vlerësuar me këtë çmim teksa u shpreh: “Ndihem i nderuar dhe i vlerësuar për dy arsye. E para që isha midis dy trajnerëve të mi. Jemi kolegë, por i thërras akoma mister. Do doja ta ndaja me stafin tim teknik këtë çmim, edhe pse është individual”, – tha Shehi.

REDON XHIXHA “TOPI I ARTË 2022”

Redon Xhixha është fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2022, duke u shpallur kështu futbollisti më i mirë në Shqipëri. Sulmuesi i Tiranës triumfoi përballë rivalëve si Xhuliano Skuka, ish-sulmuesi i Partizanit dhe Mentor Mazrekaj, sulmuesi i Laçit. Ky është ‘Topi i Artë’ i parë në karrierën e ish-sulmuesit të Tiranës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Evis Kushi i dorëzoi trofeun e rëndësishëm kapitenit të KF Tiranës, Marsel Ismajlgeci, në mungesë të sulmuesit shqiptar, i cili së fundmi është transferuar në ekipin e Qarabag-ut në Azerbajxhan.

Përmes një video-mesazhi, Redon Xhixha u shpreh i emocionuar që është vlerësuar me këtë çmim. Ai e cilësoi futbollin shqiptar si një vitrinë për të bërë hapa të rëndësishëm në karrierë. ‘Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim. Por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty. Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion. Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane. Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”, – tha Redon Xhixha në video-mesazhin e tij.

SIMON SIMONI “TALENTI I VITIT 2022”

Dy nga çmimet më të veçanta ishin ato për “Talentin e vitit 2022” për djem dhe vajza. Mes djemve tre kandidatët për trofeun ishin Simon Simoni, Arinaldo Rrapaj dhe Rejan Alivoda. Për të dorëzuar çmimin është ngjitur në skenë eksperti i edukimit në UEFA, Savvas Constantinou. Portieri i talentuar 18-vjeçar ka qenë një nga zbulimet e vitit të kaluar. Ecuri që kulmoi me transferimin e tij vetëm pak javë më parë nga Dinamo te Eintrahti i Frankfurtit në Bundesligën gjermane.

Duke qenë se vetë Simoni nuk mundi të ishte i pranishëm fizikisht për shkak të impenjimeve me klubin gjerman ai ka përshëndetur të pranishmit përmes një video-mesazhi, ku ka falënderuar të gjithë për vlerësimin. “Mirëmbrëma të gjithëve! Në radhë të parë ndihem i nderuar për këtë çmim që po marr sot. Do të doja t’ju falënderoja nga afër, por për shkak të impenjimit që kam me ekipin nuk munda të jem sot në sale. Ndaj ju falënderoj të gjithëve. Ky çmim në veçanti i dedikohet familjes time që ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Personave që më kanë qëndruar afër dhe më kanë ndihmuar në zhvillimin tim ditë pas dite. Trajnerëve të Akademisë së Shënkollit dhe Dinamos e gjithashtu trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave. Besoj se në Shqipëri ka mjaftueshëm talente që kanë cilësi. Por duke punuar shumë dhe duke u stërvitur shumë mund të arrijnë në klube të njohura europiane. Ju uroj suksese në vijim”, – tha Simon Simoni në video-mesazhin e tij.

SALIOU GUINDO “KËPUCA E ARTË 2022”

Këpuca e Artë 2022 për djem i ka shkuar sulmuesit të Laçit, Saliou Guindo. Ai e mbylli sezonin e kaluar në kuotën e 19 golave, duke e siguruar kështu çmimin e golashënuesit me të mirë. Për t’i dorëzuar trofeun sulmuesit Guindo në skenë është ftuar një personazh i veçantë. Ish-kampioni i Botës dhe i Europës me Francën, Christian Carembeu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: “Dua t’u përgëzoj të gjithëve për këtë organizim, gjithashtu gjithë futbollistët, gjyqtarët. Dua të falënderoj presidentin Duka për politikën dhe strategjinë që po ndjek me të rinjtë. Trajnerit të ri Silvinjo dhe stafit të tij dua t’u dhuroj suksese dhe sa më shumë fat”. Më pas Carembeu i dorëzoi trofeun Guindo, që falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *