• |
ide | kryesore

Video/ Dy këndore dënojnë Tiranën në Kukës, Shehi thumbon kundërshtarin: “Me 9 vetë prapa bëhet e vështirë”

-Instant, F1, Sport, Video
Shehi



Tirana rrëzohet në Kukës pas tre fitoresh radhazi. Bardheblutë e teknikut Shehi  janë dorëzuar me rezultatin 2-0, në javën e 19′ të Superiores, duke i dhënë mundësi afrimi ndjekësve. Vendosën takimin Ovusu dhe Bytyçi, por Hallaçi duhet të falenderojë edhe Halimin, që mbajti të paprekur portën. “Mendoj se shkoi siç e kisha parashikuar – shpjegoi tekniku i bluve -. Skuadra nuk doli nga rreshtimi taktik e këshillat që i kisha dhënë. Kemi mbajtur topin në kontroll ndoshta jo aq sa duhet, se kur shënon duhet të mbrosh edhe golin. Jam i kënaqur nga kjo ndeshje, por sa mbaron njëra vjen tjetra. Duhet kujdes se nuk jemi në kushte komode. Më vjen mirë për Lamçen i cili është qendërmbrojtës, por është përshtatur si i djathtë”.

Kështu verilindorët largohen nga vendi i fundit dhe ngjiten momentalisht në vendin e 8. Suksesi i dytë radhazi për Kukësin, që tenton të largohet nga zona e rrezikut: “Fituam por u thashë lojtarëve të jemi të kujdesshëm se nuk jemi të qetë. Vijnë ndeshjet e radhës se kundërshtarët janë të fortë – tha Hallaçi -. Edhe ata duan maksimumin. Është normale që drejtuesit të flasin për objektivat, por ne me skuadrën nuk duam të flasim për objektivin në kampionat. Duam thjesht të dalim nga ky pozicion për momentin”.

TIRANA E RRËZUAR NGA DY KËNDORE

Tirana vazhdon të kryesojë, por rivalët e saj Partizani e Vllaznia mund të përfitojnë për t’iu afruar: “Kemi humbur një ndeshje vetëm me dy korne – analizoi Shehi -. E në futboll nuk fiton gjithmonë ai që luan më mirë. Me dy korne kundërshtari të merr fitoren kur gjatë gjithë kohës ishim ne dominantë në zonën e kundërshtarit”. Tekniku i Tiranës nuk ka ngurruar të shigjetojë kundërshtarin, për sjelljen difensiviste: “Kur rri me 9 në zonë bëhet më e vështirë. Tentuam në pozicion goditje, nuk ishim të saktë. Ajo që nuk shkoi ishte përqendrimi në goditje standarte. Të vjen keq që të dalësh nga ndeshja pa pikë pikërisht për dy korne”.

Në dy momente në goditjet standarde blutë kanë ndëshkuar, me Behiratche nën kritika, për mbulim të mangët. E megjithatë Shehi nuk kërkon të shkarkohet te qendërmbrojtësi nigerian: “Mendoj se kemi tre qendërmbrojtës që janë afërsisht të njëjtë. Najdovski është zëvendëskapiten dhe pjesë e boshtit se është një nivel më sipër. Ne kërkojmë të luajë një herë njëri e njëherë tjetri. E futa Behiratche se i përshtat sa më shumë Barbosës, për të qenë sa më të sigurt në lojën në ajër. Nuk më pëlqen të delegoj fajin, se nuk është vetëm i tij. Ne na mungoi përqendrimi dhe lojtarëve kur i vjen rasti duhet të japin më të mirën. Kush e meriton, do luajë, mund të bënim më mirë në qendër të mbrojtjes. Kundërshtari gjatë gjithë kohës luajtën me top të gjatë dhe Barbosa i fitoi thuajse të gjitha duelet” e mbylli Shehi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *