• |
ide | kryesore

Kosova, një garanci amerikane

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një lexim i editorialit të z. Chollet dhe z. Escobar; ose, pse Kosova dhe shqiptarët, po se po, por edhe Evropa sot, ky kontinent shtëpi e 750 milionë banorëve, nuk do të ishte kjo që është pa aleancën e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

ÇKA NA THANË Chollet dhe Escobar?

1. Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve.

2. Si vendi më prokosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet.

3. Çka nuk do të ishte Asociacioni? Nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkëmenaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare.

4. Një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik. Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet e tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen.

5. Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike. Jemi të gatshëm që ta mbështesim Kosovën për ta përmbushur këtë zotim dhe do të qëndrojmë krah vendit tuaj në çdo hap.

ÇKA DUHET TË DIMË ne?

Derek Chollet është Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar është i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. SHBA-ja është shteti pa të cilin me shumë gjasë Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore do të mbetej vetëm nocion gjeografik, Kosova nuk do të të çlirohej nga Serbia dhe nuk do ta fitonte pavarësinë, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, Kosova nuk do ta kishte ushtrinë e saj.
Asnjë shtet tjetër në botë nuk ka kontribuuar më shumë se SHBA-ja që shqiptarët të jenë këtu ku janë sot, kudo që jetojnë, duke qenë në kulmin historik të zhvillimit të tyre. Kurrë përgjatë historisë shqiptarët nuk kanë jetuar më mirë se sot.

Pse duhet kujtuar këto? Për shkak se jemi me fat që interesimi i SHBA-së vazhdon të jetë i kthyer drejt nesh.

A do të mund ta paramendonim një situatë paralele?

Çka nëse SHBA-ja, e zënë me çështje të tjera, do ta linte çështjen e Kosovës dhe Serbisë krejtësisht në duar të Bashkimit Evropian? Dhe atë, nën vullnetin e 27 shteteve të BE-së, pesë prej të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e nja pesë të tjera e kanë njohur Kosovën vetëm pse këtë ua ka kërkuar SHBA-ja, siç ua ka kërkuar SHBA-ja njohjen e Kosovës edhe rreth gjysmës së shteteve anembanë rruzullit.

Thënë këto, dikush do të mund ta çonte argumentimin edhe më larg. Paramendojeni një situatë paralele kur vetë shtetet e Bashkimit Evropian do të ishin pa mbështetjen e SHBA-së karshi agresionit që ka bërë Federata Ruse në Ukrainë. Sa do të ishte e sigurt sot kjo Evropë, alamet shtete si Gjermania dhe Polonia, në qoftë se nuk do ta kishin përkrahjen e parezervë të SHBA-së për t’i bërë bashkë ballë Putinit?

Nëse të gjitha shtetet e BE-së do ta kundërshtonin agresionin e Putinit në Ukrainë, por vetëm SHBA-ja ta përkrahte, sot Zelenskyy, në rastin më të mirë, do të ishte President i Ukrainës në ekzil, kurse Ukraina sigurisht pjesë e Rusisë.

Thjesht, Evropa sot, ky kontinent shtëpi e 750 milionë banorëve, nuk do të ishte kjo që është pa aleancën e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ÇKA NUK DUHET TË HARROJMË ne?

Joe Biden ështē politikani më i lartë amerikan i lidhur politikisht dhe emocionalisht me Kosovën. Ky politikan i lartë i lidhur kaq ngushtë me Kosovën ka qëlluar të jetë edhe njeriu më i fuqishëm i rruzullit – President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Chollet dhe Escobar janë të dërguarit e administratës së zyrtarit më të lartë amerikan, i cili njëkohësisht është miku më i madh i shqiptarëve në Amerikë, shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Vështirë se mund të parashihet se ndonjëherë në të ardhmen e afërt do të ketë një president amerikan më proshqiptar se sa Joe Biden. Që në të njëjtën kohë do të mund të interpretohet – vështirë që në një të ardhme mund të presim që të ketë një president amerikan që do të kujdeset e investohet më shumë se Biden që Kosova dhe shqiptarët të jenë mirë.

Atëherë, prej nga na vjen frika? Prej kujt duam të kemi garanci më të mëdha se Kosova do t’ia dalë mirë se sa nga administrata Biden?

ÇKA DUHET TË KËRKOJMË ne?

Në pikat e ndara më lart nga editoriali i përbashkët i zyrtarëve amerikanë Chollet dhe Escobar për „Asociacionin“, ata janë kujdesur që t’i adresojnë një për një të gjitha brengat e Kosovës lidhur me këtë marrëveshje. Dhe të japin garancitë e shtetit që përfaqësojnë.

A bëjmë mirë që kemi brenga? Absolutisht, po. Kemi përballë Serbinë, e cila historikisht ka punuar kundër shqiptarëve, ka diskriminuar, ka vrarë e masakruar civilë, ka dëbuar gjysmën e shqiptarëve, nuk ka respektuar në plotni asnjë marrëveshje të deritashme.

Por, kush ka qenë gjithmonë edhe garancia më e madhe se Serbia kurrë më nuk mund të bëjë çka të do karshi shqiptarëve? Natyrisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetit që sot udhëhiqet nga miku më i madh i shqiptarëve, Joe Biden, dhe po përfaqësohet këtu nga Chollet dhe Escobar.

Kosova për SHBA-në është shtet sovran dhe i pavarur. Kosova me mbështetjen e SHBA-së do të mbetet shtet sovran dhe i pavarur.

Pa SHBA-në, siç u tha, as Evropa, e lëre më Kosova, do të mund të ishte kjo që është sot.

Kështu që, edhe kësaj radhe, shqiptarët dhe Kosova nuk duhet humbur fokusin. Aleanca dhe koordinimi me SHBA-në janë dhe do të mbetet arma më e fortë që e kemi në dorë kundrejt Serbisë dhe Rusisë.

Këkesa jonë duhet të jetë që kjo aleancë dhe ky koordinim të jetë i përhershëm.

[email protected]



6 Comments

  1. Asociacioni hedh bazen ne harte, dhe TI HEDH FIRMEN , ku serbia mund te abuzoj pa fund, dhe eshte nje shtet qe nuk ka refletuar pas luftrave ne ishjugosllavi, madje ben dhe viktimen dhe do kompesim se i kane rene ne qafe. Amerika eshte partneri jone strategjik por gjerat duhet folur hapur, Asociacioni hap dicka ne Kosove qe Serbia mund te perdori deri ne ekstrem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *