Presidenti kroat Zoran Millanoviç është përpjekur këtë të mërkurë të sqarojë deklaratën e dhënë prej tij pak ditë më parë kur tha se “Kosova ishte pjesë e Serbisë, por se është aneksuar nga ndërkombëtarët”. Ai thotë tani se deklarata e tij “është keqkuptuar”, duke shtuar se “Serbia në njëfarë mënyre duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, dhe se Beogradi duhet ta kuptojë se romanca serbo-ruse do të rezultojë në një mashtrim”.
Gjatë një konference për media në Zagreb në prezencë të presidentes së re sllovene Natasha Pirc Musar, ai tha se në Serbi “disa gjëra duhet të ndryshojnë” në mënyrë që Serbia të mund të arrijë në Perëndim, aty ku e mirëpresin.
“Situata në Ukrainë është fillimi i fundit të një romance të parashikuar serbo-ruse, ku Serbia do ta kuptojë se është një dashnore e mashtruar. Rusia po tenton diçka me Ukrainën, e shembulli i Kosovës po i duket si gjemb në sy. Rusia do të duhet ta njohë Kosovën në një moment ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të legalizojë atë që po bën në Ukrainë. Ky është realiteti”, – tha Presidenti kroat.
Marrëdhënien mes Rusisë dhe Serbisë ai e quajti si një marrëdhënie pa dashuri, por e bazuar vetëm në interesat e Moskës dhe shërbimet që Beogradi i bën Rusisë. Presidenti kroat bëri të ditur se Serbia “duhet ta gjejë mënyrën për ta njohur Kosovën”, dhe se politikanët në Kosovë “duhet të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, pra sipas tij duhet zbatuar gjithçka që është nënshkruar.
Millanoviç ka qenë përpara disa vitesh këshilltar i jashtëm i kryeministrit Edi Rama gjë që ky i fundit e ka pranuar edhe publikisht.
“Kroacia është e jashtëzakonshme, është një shembull fantastik i mënyrës se si ta ndjekim këtë ambicie. Zoran është një mik i madh, i kam kërkuar këshillim dhe do t’i kërkoj sa herë ta takoj, më duhet t’i them se ai është kaq i mirë me mua se asnjëherë nuk është i vonë kur jep këshillat e tij” – tha në atë kohë Rama. ©LAPSI.al