• |
ide | kryesore

Gjanica, lumi më i ndotur në vend, kompanitë e naftës dhe të ullirit marrin ndëshkime minimale

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Gjanica



Raporte të ndryshme të agjencive shtetërore, por edhe të OJF-ve, dëshmojnë se Gjanica vijon të mbajë rekordin si një ndër lumenjtë më të ndotur në vend. Kompanitë e hidrokarbureve dhe ato të përpunimit të ullirit kanë marrë ndëshkime minimale, ndonëse janë kapur disa herë duke hedhur mbetjet e tyre në lumë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, 20 mijë tonë naftë përfundojnë në mjedisin përreth dhe në ujërat e lumit Gjanicë.

Autorë: Endri Arizi, Ervis Kuqi dhe Ilmi Saliaj

Nëntorin e vitit 2022 ujërat e lumit Gjanica u ngjyrosën nga llumi i mbetjeve të kompanive të hidrokarbureve dhe fabrikave të ullirit. Kjo situatë zgjati për thuajse 10 ditë me radhë.

3 muaj pas këtij incidenti mjedisor nuk është e qartë, nëse Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) e ka identifikuar kompaninë që derdhi mbetjet gjatë nëntorit, megjithëse që prej asaj kohe është ngritur një task-forcë. Në përgjigjen e saj për Investigative Network Albania-n, ARM thotë se nuk ka vendosur gjoba, pasi nuk ishte ky qëllimi i daljes në terren.

“Grupi i inspektimit ka bërë verifikim në subjektet e përpunimit të ullirit përgjatë lumit Gjanica, për të parë dhe për të verifikuar nga afër shkarkimet e ujërave të ndotura në lumë. Grupi i inspektimit nuk iu ka vendosur gjoba subjekteve, pasi objekti i daljes në terren ka qenë verifikimi i shkarkimeve dhe lënia e detyrave për problematikat që do të hasnin”, – shpjegon ARM, duke renditur edhe detyrat që iu ka lënë.

Ndotja e lumit Gjanica gjatë muajit nëntor 2022

I konsideruar si një ndër lumenjtë më të ndotur në Shqipëri, Gjanica iu nënshtrua përgjatë vitit 2021 një procesi rehabilitimi me vlerë 630 milionë lekë.

Lumi që kalon mes përmes qytetit të Fierit iu nënshtrua edhe më herët një projekti rehabilitimi, si pjesë e projekteve të Rilindjes Urbane, por raporte të ndryshme për cilësinë e ujërave të Gjanicës konfirmojnë se rehabilitimi i fasadës nuk ka mundur ta shpëtojë lumin nga ndotja alarmante.

Si pasojë, 100 mijë banorët e Fierit janë të rrezikuar, ndërkohë që këto ujëra shkojnë edhe për vaditjen e tokave bujqësore.

“Të gjitha mbeturinat në Gjanicë janë. Këtu vetëm infeksion ka. Kur është kohë e mirë, mbytesh nga aroma e tmerrshme”, – thotë Bashkim Kasaj, banor i fshatit Ofiçinë të Mallakastrës, i cili rrëfen se më parë lumi ka qenë me ujëra të kristalta.

“Kur kam qenë i vogël, jam larë në Gjanicë, ka qenë shumë i pastër”, – kujton një banor tjetër.

I ndarë në dy pjesë, nga zona e sipërme e Mallakastrës, nga ku edhe buron e deri në fshatin Panahor, uji është i pastër. Problemi i ndotjes fillon nga ish-uzina e Ballshit e deri në grykëderdhje. Përgjatë këtij segmenti prej dekadash mbetjet e hidrokarbureve, ato të përpunimit të ullirit, por edhe mbetjet urbane derdhen të papërpunuara në lumë, aq sa ambientalistët konsiderojnë se në segmente të tëra të këtij lumi janë zhdukur të gjitha gjallesat, duke e kthyer, jo vetëm në një lumë të vdekur, por edhe të rrezikshëm për shëndetin e banorëve.

“Lumi Gjanica sot është një lumë anormal, është një lumë praktikisht i vdekur, ku nuk jeton asnjë gjallesë”, – argumenton Adriatik Golemi, aktivist në çështjet mjedisore.

 

“Mallkimi” që vjen nga nafta

Gjanica gjarpëron mes përmes një zone të njohur për burimet e mëdha të naftës, por kjo pasuri e madhe është kthyer në “mallkim” për ujërat e këtij lumi, pasi këto kompani i derdhin mbetjet e tyre në lumë. Banorët fajësojnë neglizhencën e autoriteteve shtetërore, që nuk ushtrojnë kontroll mbi kompanitë e naftës

“I hedhin mbeturinat në Gjanicë, ndërkohë që kompanitë e naftës kanë vende të veçanta, ku duhet t’i derdhin. Pse nuk iu kërkon hesap bashkia? Duhet kontroll nga kryetari i bashkisë, ai është babai i qytetit”, – thotë një tjetër banor.

Nga hulumtimi i bërë në terren, rezulton se Gjanica ndotet në disa pika. Ndotja fillon në zonën e njohur si Qafa e Kashit, aty ku derdhet dekantimi i Usojës. Në këtë vend operojnë disa kompani nafte, të kryesuara nga AlbpetrolAnio OilTerra Swiss, si dhe Bankers. Dy prej këtyre kompanive janë gjobitur më herët nga ana e IMT, Fier, si subjekte ndotëse.

Zona e Ofiçinës është një tjetër pikë problematike. Po ashtu, ndotje të vazhdueshme ka edhe në zonën e rafinerisë së Fierit, si dhe pranë përroit të Zharrëzës, që është një vijë artificiale, ujore për vaditje, ku shkarkohet pothuajse e gjithë nafta e Marinzës. Pranë ish-uzinës së Ballshit ndotja është reduktuar pas mbylljes së kësaj të fundit.

“Kemi identifikuar Albpetrolin në Usojë, ndërsa në Ofiçinë të vjetër e kemi pasur shumë të vështirë, pasi nuk kemi pasur akses që të futemi brenda perimetrit të rrethuar të objektit, ku operojnë disa kompani, si Terra OilAlbpetrolSuperstar. Janë shumë kompani, që operojnë, ndaj nuk e vendosim dot gishtin për sa i përket ndotësit real”, – thotë
Qani Rredhi, i cili drejton organizatën Zharrëza, që monitoron prej gjashtë vitesh rrjedhën e lumit Gjanica.

“I kemi dërguar një kërkesë Albpetrolit, por nuk ka një përgjigje përfundimtare. Bëjnë atë lojën, duke ia kaluar kompanive private fajin dhe kompanitë private ia kalojnë Albpetrolit” , – thotë ai.

Qani Rredhi, ambientalist, Shoqata Zharrëza

Ndotja alarmante nga hidrokarburet pranohet edhe nga vetë institucionet shtetërore. Agjencia Kombëtare e Mjedisit në raportin e saj vjetor për vitin 2021 pranon se rreth 20 mijë tonë naftë përfundojnë në mjedisin përreth dhe në lumin Gjanicë.

“Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore ndoten seriozisht nga puset e naftës gjatë nxjerrjes me pompa nga tubacionet dhe nga impiantet e para-trajtimit dhe në ajër shkarkohen hidrokarbure të ndryshme gazi sulfurik. Ujërat e përdorura nga këto impiante shkarkohen në ujërat e lumit Gjanica, ku përveç përbërësve të naftës ka edhe lëndë toksike”, – thuhet në raportin e AKM-së për gjendjen e mjedisit për vitin 2021.

Aktivistët mendojnë se listën e zezë të ndotësve e kryeson Albpetroli, si kompania mëmë, që zotëron të gjitha vendburimet e naftës në Shqipëri.

E krijuar në vitin 1999 dhe në pronësi të plotë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është pikërisht Albpetroli që lidh kontrata me të tretët për shfrytëzimin e burimeve të naftës, si dhe monitoron marrëveshjet shtetërore të naftës në Shqipëri. Si e tillë ajo ka të drejtë t`i kontrollojë kompanitë, me të cilat ka lidhur kontratë, ku mbrojtja e mjedisit është një ndër detyrimet kryesore.

Ndotja e lumit Gjanica gjatë muajit korrik 2022

Albpetroli është pronari i të gjitha vendburimeve në Shqipëri dhe duhet t`i kontrollojë të gjitha kompanitë e tjera më të vogla, nëse ato i zbatojnë kushtet e licencë-marrëveshjeve apo kushtet e lejeve mjedisore”, – shpjegon aktivisti Adriatik Golemi.

Sipas tij, ndonëse kompanitë, që derdhin mbetjet në ujërat e Gjanicës, dihen nga të gjithë dhe numërohen me gishtat e njërës dorë, në fakt institucionet, që e kanë për detyrë t`i monitorojnë, janë një duzinë. Megjithatë, prej dekadash peshorja anon nga kompanitë që i “kanë detyruar” institucionet të heshtin dhe të mos e shohin ndotjen.

Anio OilTerraAlbpetrol dhe Bankers janë kompanitë e naftës që operojnë në rrjedhën e lumit, ndërsa institucionet shtetërore, të cilat duhet të merren me monitorimin e Gjanicës, janë: Albpetrol, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit, AKBN, IKMT, Bashkia e Fierit, Bashkia e Patosit, Bashkia e Roskovecit”, – rendit Golemi institucionet që duhet ta shohin situatën.

“Të gjitha këto institucione janë përgjegjëse për monitorimin e lumit dhe janë vetëm 4-5 kompani; nuk është se janë 100 apo 200 kompani dhe ti nuk e di kush e bën këtë ndotje”, – përfundon ai.

Adriatik Golemi, aktivist i shoqërisë civile

Sipas tij, duke përfituar nga hallka e dobët e kontrollit, të gjitha mbetjet e hidrokarbureve hidhen në Gjanicë, pasi kompanitë nuk bëjnë shpenzime për trajtimin e tyre.

“Duan të rrisin normën e tyre të fitimit dhe çfarë bëjnë? E kanë më për mbarë t`i hedhin në Gjanicë dhe këto derdhje i justifikojnë si aksidente industriale, tip avarish. Por, këto nuk janë avari, janë të qëllimta”, – këmbëngul ambientalisti, Adriatik Golemi.

Lumi Gjanica, që kalon mes përmes qytetit të Fierit

Më tej ai argumenton se këto janë derdhje të programuara dhe të qëllimshme.

“Këto janë derdhje të programuara dhe të qëllimshme dhe Albpetroli është kyçi, është kryesori që i lejon këto derdhje. Nëse Albpetroli ose një nga këto institucione do të bënte punën e vet, atëherë këto derdhje do të reshtnin dhe Fieri do të ishte një qytet me një lumë normal, që do të rridhte mes tij”.

Institucionet shtetërore janë plotësisht në dijeni të kësaj situate. Referuar planit të menaxhimit të vitit 2016 të Bashkisë së Fierit, “basenet ujore të Semanit, Vjosës dhe Gjanicës rezultojnë të ndotura thellë me metale të rënda, siç janë plumbi, kadmiumi, nikeli, hekuri, bakri dhe kromi”.

Kadmiumi konsiderohet mjaft toksik, pasi nuk merr pjesë në formimin qelizor. Kjo lëndë, e cila duhet të jetë në nivel zero në trupin e njeriut, gjendet në zonë në përmbajtje edhe më të lartë se plumbi. (faqe 163)

Po ashtu, ujërat e Gjanicës kanë elektricitet të lartë, si pasojë e aciditetit të ujërave të ardhura nga ndotja e vazhdueshme.

 

Ndotja nuk ndalet

Në janar të vitit 2018 kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, u shfaq buzë lumit me disa epruveta në dorë, ku konfirmoi se Gjanica ishte lumi më i ndotur në Shqipëri dhe se ishin evidentuar 21 pika të ndotjes.

“Lumi i Gjanicës është lumi me ndotjen më të rëndë në Shqipëri, me mbetje me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj. Përgjatë 42 km të këtij lumi pika të tëra derdhjeje hidrokarburesh ndotin ujin, duke shkaktuar erë mbytëse edhe në ajër”, – deklaroi Subashi asokohe, i cili lançoi nisjen e një projekti pilot me kompaninë Recovered Earth Albania. Qëllimi ishte filtrimi i ujit të lumit me një pajisje të posaçme, duke u kthyer gati në gjendje të ujit të pijshëm dhe duke shpëtuar kështu përfundimisht nga ndotja.

Mirëpo 5 vite më pas, jo vetëm që rezultoi se bëhej fjalë vetëm për një demonstrim të aparaturave të një kompanie, por nuk u arrit as të ndaloheshin derdhjet e rrezikshme në ujë.

“Gjithçka e kryer ishte një kërkesë e kompanisë Recovered Earth Albania për të prezantuar aparaturat dhe rezultatin e tyre në pastrimin e ujit të lumit dhe nuk ka patur asnjë investim apo projekt të përbashkët në lidhje me të”, – thotë Bashkia e Fierit në një përgjigje me shkrim për INA MEDIA-n, e cila sqaron se pas përfundimit të këtij demonstrimi kompania i tërhoqi përsëri aparaturat.

Një raport i cilësisë së ujërave të Gjanicës, i realizuar përgjatë dhjetorit që lamë pas nga organizata mjedisore Zharrëza, tregon elemente të forta të ndotjeve përtej limiteve dhe dominim të elementeve hidrokarbure me bazë nafte përgjatë gjithë rrjedhës lumore.

“Normat e kësaj ndotjeje janë tej limiteve. Janë elementet hidrokarbure me bazë nafte, benzenët janë të lartë, ka fenolë, por më problem është përcjellshmëria, që është 10-15 fish më e lartë”, – shpjegon Qani Rredhi.

Analizat e ujit janë kryer në katër pika të ndryshme: mostra e parë është marrë para hyrjes së qytetit të Ballshit, e dyta, pranë përroit të dekantimit Kash, e treta, në Ofiçinë, pranë shkarkimit TOG dhe e katërta, në hyrje të qytetit të Fierit.

Faksimile e analizave të ujit në pikën “Përroi në dekantimin Kash”

Të dhënat laboratorike të matjeve në këto hotspote tregojnë gjithashtu përmbajtje të lartë të metaleve të rënda, si zinku, nikeli, bakri, kromi, si dhe për produkte të naftës, duke kaluar deri në disa herë standardet kombëtare dhe ato të BE-së, si dhe duke shkelur VKM nr. 246, datë 30.4.2014 “Për përcaktimin e normave të cilësisë së mjedisit për ujërat sipërfaqësore”.

Për këtë arsye ambientalistët po përgatiten t’i drejtohen gjykatës, ndërsa paralajmërojnë se do të depozitojnë një kallëzim edhe në SPAK.

“Me faktet që kemi grumbulluar, do t’i drejtohemi edhe gjykatës. Ka gjasa t’i drejtohemi dhe SPAK-ut”, – pohon Qani Rredhi.

 

Ndëshkime minimale

Përveç hidrokarbureve, në listën e ndotësve vitet e fundit janë shtuar edhe kompanitë e përpunimit të ullirit. Pavarësisht se provat nuk mungojnë, autoritetet shtetërore e kanë të vështirë t`i identifikojnë me emër këto kompani.

Për periudhën 2018-2022, sektori i Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT-së së Drejtorisë Rajonale, Fier ka vendosur një total prej 6 masash administrative.

Al Global Oil, një kompani hidrokarburesh, ka marrë dy gjoba me vlerë 100 mijë lekë të reja për shkarkime të ujërave të ndotura, industriale në lumin Gjanica. Me të njëjtën shumë është ndëshkuar edhe kompania tjetër e hidrokarbureve, Anio Oil.

Bankers Petroleum është ndëshkuar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, zyra qendrore, me 2000.000 lekë të reja.

Po ashtu, janë ndëshkuar me gjobë, 100 mijë lekë të reja secila, edhe dy fabrika të përpunimit të vajit të ullirit. Këto subjekte ushtrojnë kryesisht aktivitet sezonal gjatë kohës së vjeljes së ullirit.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Fier dhe Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk iu përgjigjën një shkrese për informacion nga INA MEDIA rreth identifikimit të ndotësve të lumit Gjanica. Këto dy institucione nuk dhanë as informacion, nëse gjobat janë paguar apo janë refuzuar nga kompanitë.

Në një përgjigje të vakët Agjencia Rajonale e Mjedisit, Fier pohon se grupi i inspektimit iu ka lënë këtyre subjekteve disa detyra që duhet t’i plotësojnë, duke pranuar kështu se ajo e di se cilat janë kompanitë që nuk kanë kushte për përpunimin e mbetjeve dhe si pasojë i derdhin ato të papërpunuara.

“Të bëjnë gropat e dekantimit dhe të shmangin derdhjen e ujërave teknologjike në lumin Gjanica; të lidhin kontrata me të tretët për tërheqjen e ujërave teknologjike dhe vendi i depozitimit të bërsisë, që del nga përpunimi i ullirit, të jetë i shtruar dhe i rrethuar me beton rreth 15-20 centimetra, për të shmangur kullimin e ujërave teknologjike”, – thotë ARM në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania-n.

Ndonëse iu ka lënë detyra dhe do të shkojë sërish për ri-kontroll, ARM refuzon të thotë se cilat janë këto subjekte ndotëse, duke evituar pyetjen e INA MEDIA-s për këtë çështje.

Në vitin 2018 shoqëria Albpetrol u gjobit me 100 mijë lekë nga Inspektorati Shtetëror i Pyjeve, Ujërave dhe Mjedisit për shkarkim të mbetjeve në Usojë. Gjoba u kundërshtua në Gjykatën Administrative, Vlorë, por kjo kërkesë u rrëzua, duke e lënë gjobën në fuqi. Çuditërisht, kjo masë disiplinore ndaj Albpetrolit nuk citohet, as në përgjigjet e IKMT-së, as në ato të agjencive të tjera.

Institucionet përgjegjëse refuzuan të japin përgjigje, nëse gjobat e vendosura ndaj Albpetrolit dhe tri kompanive të tjera të naftës janë ekzekutuar apo jo.

Ambientalistët e kanë dërguar çështjen e Albpetrolit edhe në prokurori, por, sipas tyre, organi i akuzës së Fierit ka mbyllur sytë përpara fakteve që ata kanë depozituar.

“Në vitin 2020 bëmë një kallëzim për kompaninë Albpetrol, që është një ndër ndotësit e kapur me shkelje flagrante dhe sot e kësaj dite prokuroria nuk e ka hapur çështjen”, – thotë ambientalisti Rredhi.

Ato që dihen me siguri, janë ndotjet e mëdha që pësoi lumi gjatë muajit prill dhe korrik 2022, që dyshohet se erdhën nga kompanitë e naftës, por ende nuk dihet se cila prej tyre i lëshoi mbetjet.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Fier thotë se i ka duart e lidhura për të ushtruar një inspektim të specializuar ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e nxjerrjes së hidrokarbureve, pasi janë të pajisura me leje mjedisore të tipit A.

“Nga rëndësia e kësaj lejeje për këto kompani kontrollet e specializuara mund të zhvillohen vetëm nga Drejtoria Qendrore, Tiranë”, – thotë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Fier.

Nga ana tjetër, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit largoi çdo përgjegjësi nga vetja, duke ia faturuar kompetencat dhe përgjegjësitë Drejtorisë Rajonale, Fier.

“Po mbahet në monitorim lumi Gjanica në të gjitha pikat e nxehta ku mund të kryhen shkarkime apo mund të konstatohen problematika të tjera mjedisore në kundërshtim me legjislacionin e shtetit shqiptar”, – tha IKMT, duke iu referuar punës së Agjencisë Rajonale të Fierit.

 

Zgjidhja, e thjeshtë

Subjektet, që ushtrojnë kompetencat në fushën e hidrokarbureve, pajisen me leje mjedisi të tipit A. Sipas ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, Agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka për detyrë të monitorojë në terren të gjithë operatorët që e disponojnë këtë leje, për të evidentuar ndotjet mjedisore apo jo. Më pas, rastet e kompanive ndotëse i referohen ministrisë së linjës, e cila iu pezullon licencat.

Por, edhe pse ligji i përcakton qartë detyrat, institucionet shpesh mbyllin sytë dhe bëjnë pingpong me kompetencat. Institucionet rajonale të mbrojtjes së mjedisit e justifikojnë mosndërhyrjen me argumentin se nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për të gjetur ndotësit e vërtetë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka fituar një gjyq kundër Agjencisë Kombëtare të Mjedisit pikërisht për mosndëshkimin e ndotësve të lumit Gjanica.

Ardita Kolmarku, juriste pranë KSHH-së, thotë se ndotja e ujërave përbën vepër penale dhe dënohet me burg. Ajo i referohet nenit 203 të Kodit Penal, që parashikon një dënim nga 1-5 vite burg për personin apo kompaninë ndotëse, por dënimi dyfishohet, nëse realizohet në rrethana cilësuese.

Ardita Kolmarku, juriste, Komiteti Shqiptar i Helsinkit

“Në rastin konkret ose, nëse do ishim në kushtet, që ka sjellë pasoja, do të kishim një…, le të themi, vërtetim të faktit nga ana e prokurorisë, që e gjithë ndotja e shkaktuar nga një apo më shumë operatorë ka sjellë pasoja shqetësuese në shëndetin apo në humbjen e jetës te një apo më shumë qytetarë, do të kishim të bënim me rrethana cilësuese dhe dënimi do ishte nga 5 deri në 10 vite burg”, – nënvizon Kolmarku.

Nëse autoritetet rajonale nuk veprojnë, sipas juristes, Ardita Kolmarku, palët e interesuara mund t’i drejtohen pushtetit gjyqësor.

“Në këtë rast mosveprimi përbën shkelje ligjore dhe paligjshmëri. Dhe kjo e drejtë mund të kërkohet nga secili prej qytetarëve, fillimisht pranë organeve eprore, për të kërkuar marrjen e masave e më pas t’i drejtohen gjykatës, nëse kalojnë të gjitha afatet ligjore, të parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative”, – sqaron ajo.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të ambientalistëve dhe të disa organizatave të shoqërisë civile situata në terren vijon të jetë alarmante. Jo vetëm që ndotësit nuk janë ndaluar, por edhe gjobat e vendosura janë krejt të vogla krahasuar me dëmin e shkaktuar.

Saimir Dine, ambientalistShoqata Zharrëza

“Zgjidhja e problemit është te ndalimi i ndotësve. Mjafton që këta ndotës të mos shkarkohen në lumë. Mjafton të përmirësojnë infrastrukturën dhe të rrisin investimet në drejtim të ndotjes. Lumi e shëron vetë veten”, – përfundon ambientalisti, Saimir Dine.

Ky artikull u botua pranë “Investigative Network Albania” 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *