• |
ide | kryesore

Video/ Goleadë e Dortmund, Haller shënon pas 269 ditësh: Union Berlin merr kryesimin e Bundesligës

-Instant, Sport, Video
Haller



Në javën e 19 të Bundesligës, Union Berlin fiton në shtëpi 2-1 kundër Mainz. Kryeqytetasit fluturojnë në krye të renditjes, në pritje të Bayern Mynih. Goli i zëvendësuesit Siebatcheu ishte vendimtar. Provë e madhe edhe për Borussia Dortmund, që mposhti Freiburgu 5-1. Në fitoren me goleadë është edhe firma e Sebastien Haller, i kthyer në fushë në 22 janar. Sulmuesi mposhti dy herë një tumor në testikul dhe shënoi gol pas 269 ditësh. Herën e fundit Haller kishte shënuar në 11 maj 2022, me penallti në fitoren 5-0 të Ajax kundër Heerenveen. Leipzig ngadalësoi ritmin, duke barazuar 0-0 në Këln. Dygolëshi i Kolo Muani rinis Eintracht, 3-0 ndaj Hertha Berlin. Pika të rëndësishme për Bochumin, që shpartallon 5-2 Hoffenheim.

UNION BERLIN-MAINZ 2-1

Union Berlin mundi 2-1 Mainz dhe fluturoi në krye të tabelës, në pritje të Bayern. Në pjesën e parë të lojës, një ndeshje mjaft e ekuilibruar. Vendasit mbajtën më shumë posedimin e topit, duke u treguar më këmbëngulës në anët e Dahmen. Në minutën e 32′ skuadra e Fischer zhbllokoi ndeshjen, me të djathtën e Behrens pas një asisti të Seguin. Në pjesën e parë mbyllet 1-0. Megjithatë, miqtë dolën më mirë nga dhomat e zhveshjes. Menaxhuan topin më shumë dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 78′. Ingvartsen shndërroi nga pika e bardhë penalltinë, e dhënë pas rishikimit nga VAR. Kryeqytetasit reaguan menjëherë dhe arritën të gjejnë golin e fitores në minutën e 84′. Një goditje me të djathtën e zëvendësuesit Siebatcheu. Përfundoi 2-1, me Union që ngjitet në kuotën e 39 pikë. Mainz mbetet me 23.

BORUSSIA DORTMUND-FREIBURG 5-1

Për titull është edhe Borussia Dortmund, që mposhti Freiburg 5-1 me Haller të kthyer te goli. Ndeshja shkoi drejt ngjyrave verdhezi duke filluar nga minuta e shtatëmbëdhjetë. Miqtë mbetën në inferioritet për shkak të përjashtimit të Sildillia (dy të verdha në tre minuta). Në minutën e 25′, BVB kaloi në epërsi përmes Schlotterbeck. Gjithçka u duk e shtruar për vendasit, por në fund të pjesës (46′) Holer barazoi pas një kaosi të dyshes qendrore të Dortmund. Në fillim të pjesës së dytë, Borussia bëri diferencën, duke shënuar dy gola të shpejtë. Fillimisht 2-1 i Adeyemi, në minutën e 48′, pas një shkëmbimi me Bellingham. Pastaj, në minutën e 51′, goli i 3-1 me kokë i Haller. Ivoriani mori duartrokitjet e të gjithë Sigal Iduna Park. Vendasit shfrytëzuan epërsinë numerike dhe shënuan edhe dy herë të tjera. Fillimisht (69′) me goditjen e fuqishme dhe precize të Brandt nga jashtë zonës. E pastaj (83′) me finalizimin e vyer të zëvendësuesit Reyna. Borussia ngjitet në kuotën e 37 pikëve në renditje, Freiburg mbetet me 34.

Lexo më tej: Dy operacione e katër cikle kimio, Haller rrëfen makthin e sëmundjes: “Trupi im ishte shkatërruar përbrenda”

EINTRACHT-HERTHA BERLIN 3-0

Fiton edhe Eintracht Frankfurt, me një 3-0 ndaj Hertha Berlin. Shtatë minuta i mjaftuan Randal Kolo Muani për të drejtuar ndeshjen për vendasit. Në minutën e 21′ ai fitoi dhe konvertoi penalltinë për avantazhin 1-0. Shtatë minuta më vonë ai mori pasimin e Lindstorm dhe dyfishoi shifrat. Gjërat nuk ndryshuan në pjesën e dytë, me skuadrën e Frankfurt që menaxhoi epërsinë. Ata rrumbullakosën rezultatin në shtesë. Zëvendësuesi Buta e mbylli ndeshjen në minutën e 94′. Përfundoi me rezultatin 3-0, me Eintracht që ngjitet në 35 pikë në renditje. Hertha mbetet me 14, në zonën e rënies.

KOLN-LEIPZIG 0-0

Leipzig ngadalëson ritmin, me 0-0 në Këln. Vendasit shtynë fort në pjesën e parë, ku do ta kishin merituar epërsinë. Rasti i dyfishtë në minutën e 37′ ishte i bujshëm, me dy shtyllat radhazi të goditura nga Ljubicic dhe Maina. Leipzig duket se nuk reagonte dot dhe, në pjesën e dytë, skenari mbetet i njëjtë. Me përjashtim të golit të Werner të anuluar nga VAR. Miqtë kërkuan avantazhin vetëm në minutat e fundit, por ndeshja përfundoi 0-0. Leipzig arriti në 36 pikë në renditje dhe kalohet nga Borussia. Këlni ngjitet në 23.

BOCHUM-HOFFENHEIM 5-2

Pikë të rëndësishme për Bochum, që imponohet 5-2 ndaj Hoffenheim. Në 45 minutat e para errësirë totale e miqve, të cilët pësuan tre gola dhe ofruan një paraqitje inekzistente. Në minutën e 22′, skuadra e Letsch kaloi në avantazh me Hofmann. Anësori ganez u kthye protagonist edhe në minutën e 30′, kur shërbeu për golin e Forster. 3-0 erdhi në minutën e 40′, me një veprim të mirë personal të Takuma Asano. Në pjesën e dytë Hoffenheim shkurtoi diferencën, duke gjetur golin 3-1 në minutën e 49′ me Baumgartner. Megjithatë, shpresat e formacionit të Breitenreiter u shuan njëzet minuta më vonë në golin e Forster që i coi shifrat 4-1. Në fund skuadrat u zgjatën dhe miqtë në minutën e 77′ bënë 4-2 me Dabbur. Por gjashtë minuta më vonë erdhi 5-2 i Broschinskit, që mbylli llogaritë. Bochum ngjitet në 19 pikë në renditje, duke arritur Hoffenheim.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *