Presidenti Bajram Begaj thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Edi Rama për përzgjedhjen e kreut të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, Begaj u shpreh se ende nuk kanë ardhur propozime konkrete për kreun e SHISH, por theksoi se në drejtim të këtij institucioni duhet të jetë një njeri me integritet dhe profesionist.
Pyetje: U bënë disa javë që jeni në konsultime me kryeministrin për emrin e drejtuesit të ri të Shërbimit Informativ. Pse po vonoheni kaq shumë? Kaq e vështirë është të gjendet dikush me integritet dhe profesionist për këtë post delikat?
Bajram Begaj: Dua të sqaroj se aspak nuk është e vështirë që në vendin tonë të ketë kapacitete njerëzore me profesionalizëm të lartë, me integritet të lartë për të qenë drejtues i SHISH. SHISH është një institucion mjaft i rëndësishëm i sigurisë sonë kombëtare dhe procesi i përzgjedhjes, natyrisht, që do të kalojë hallkat institucionale.
Pyetje: Ju ka sjellë kryeministri një emër?
Bajram Begaj:Nuk kam një emër konkret në tavolinë. Ju thashë, përzgjedhja e emrit do të bëhet në bazë të meritave individuale, kapaciteteve profesionale dhe integritetit njerëzor. Jemi në proces.
Pyetje: Po konsultohet kryeministri me ju ndërkohë, pra përpara se ta sjellë emrin?
Bajram Begaj: Patjetër, e thashë dhe në një intervistë të mëparshme që konsultimi është i domosdoshëm.