Pas tre ndeshjeve pa fitore mes kampionatit e Kupës, Vllaznia heq qafe Kukësin në javën e 20 të Superiores, duke u ngjitur në vendin e dytë. Sukses 2-0 i kuqebluve kundër të besuarve të Hallaçit që kthehen në zonën e rënies, pas tre fitoreve radhazi. Një gol fantastik i Markut dhe gafa e Halimit vendosën ndeshjen në Loro Borici. Teuta, në anën tjetër, fitoi sfidën mbijetesë 1-0 ndaj Bylis me golin e Goxhaj.
VLLAZNIA 2-0 KUKËSI
Vllaznia vinte nga një periudhë e vështirë, ndërsa Kukësi me besim. Në fushë megjithatë u pa e kundërta. Blutë tentuan të impononin lojën në fillim. Pas tentativës së Xhonson erdhi përgjigja e kuqebluve, por diagonalja e Balajt tundi vetëm rrjetën e jashtme. Në minutën e 18, Herald Marku shpiku një nga trajektoret e tij të cuditshme, duke shtangur Halimin. Kukësi u trondit dhe luajti një gjysëm orë vuajtje, duke u munduar vetëm të pengojë sulmuesit shkodranë. Episodi vendimtar erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Halimit i shpëtoi nga duart goditja e fortë por qendrore e Jonuzit. Skenari nuk është se ndryshoi në të dytën, me kuqeblutë që mbajtën inisiativën. Mala nuk gjeti kuadratin në minutën e 50’, ndërsa Balaj pa goditjen e tij të bllokohet nga Bytyci edhe në të 71’, duke fituar zëvendësimin me Kaina Nunes. Vllaznia është e dyta, në shoqërinë e Partizanit, por 6 nga Tirana.
Lexo më tej: Video/ Gafë skandaloze në mbrojtje, Erzeni humb dy pikë: Kastrioti rikthehet me dy gola në pesë minuta
TEUTA 1-0 BYLIS
Sfida mbijetesë i përket Teutës, që mposhti 1-0 Bylis. Parakalim i durrsakëve në renditje falë golit të Goxhaj. Pas dy fitoresh radhazi, por pa Shensoin në pankinë, ballshiotët vuajtën në Niko Dovana. Në minutën e 23’ të sfidës Teuta mund të kalonte në avantazh me Beqjan, por traversa i mohoi golin e sigurt. Mundësia më e mirë për Bylisin ishte në minutën e 32’ me japonezin Doi. Goditja e tij u bllokua nga portieri Qirko. Pas një pjese të parë pa gola në “Niko Dovana” e dyta dhuroi emocione. Dy rastet më të mira për ballshiotët ishin në minutën e 69’ dhe 70’ me Felipe Soza dhe Esquerdinha të cilët gabuan me shënjestrën. Sfida u zhbllokua në të 77 me autor Goxhaj, pas një krosimi të Arbër Çyrbjas. Përpara se të mbyllej koha e rregullt, Lajthia pati mundësinë që të barazonte rezultatin por goditi mbi traversë. Me këtë fitore Teuta ngjitet në vendin e 7, jashtë zonës së rënies. Ndërsa Bylis është në zonën playout.