Fulham kualifikohet në FA Cup, duke eliminuar Sunderland 2-3 në raundin e katërt të kompeticionit. Londinezët ishin pothuaj gjatë gjithë kohës në avantazh të dy golave, ndërsa vendasit pavarësisht përpjekjeve vetëm sa zgjatën agoninë. Golat e Wilson, Pereira dhe Kurzawa bënë të pavlefshëm realizimet e Clarke e Bennette.
Një ndeshje që nisi më mirë nuk mundej për Fulham, në avantazh që në minutën e 8. Wilson mposhti Patterson duke e bërë të thjeshtë për të besuarit e Marco Silva. Sunderland nuk gjeti forcë të reagonte dhe shpresoi shumë të rigjente energjitë pas pushimit. Vetëm se gjërat u komplikuan menjëherë me golin e dyfishimit të Pereira. Lojtari i futur në pjesën e dytë bashkë me Mitrovic, kombinoi me serbin për të bërë 2-0 në minutën e 59′.
Clarke rihapi ndeshjen në minutën e 77 me një gol që ngjante shpresëdhënës për Sunderland. Por presioni ultraofensiv i vendasve krijoi hapësira prapa dhe Fulham i shfrytëzoi. Kurzawa fiksoi trisin në minutën e 82, duke shfrytëzuar asistin e Duffy. Vetëm në minutën e dytë shtesë, vendasit ngushtuan edhe njëherë diferencën me Bennette, por shumë vonë për të shpresuar për dicka më shumë.