• |
ide | kryesore

Nisma në Kuvend/ Gazetarët të kenë mbrojtje ligjore si mjekët dhe policët

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka depozituar në Kuvend një projektligj i cili synon të ashpërsojë dënimet penale në rastet e dhunimit apo kanosjes së gazetarëve apo punonjësve të medias.

Sipas këtij propozimi, mbrojtja ligjore që i jepet gazetarëve është e barabartë me atë të mjekëve dhe punonjësve të policisë.

Gazetarëve dhe punonjësve të medias i duhet dhënë mbrojtje ligjore njësoj si mjekëve apo punonjësve të policisë. Këtë parashikon projektligji i depozituar në Kuvend nga deputetja Ina Zhupa, e cila e argumenton nismën duke nënvizuar se rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shtuar:

‘Në kushtet kur legjislacioni penal aktual nuk ka parashikuar për gazetarët dhe punonjësit e media asnjë lloj mbrojtjeje tjetër nga ajo e qytetarëve të zakonshëm të vendit, si dhe në kushtet kur rastet presioneve, kanosjes apo dhunës fizike ndaj gazetareve për shkak të detyrës janë shtuar ndjeshëm, jemi të bindur se kjo nismë vjen në kohën e duhur.

Nëpërmjet kësaj nisme, nuk po kërkohet asgjë më tepër sesa të barazohet niveli i mbrojtjes të gazetarëve dhe punonjës vetë medias, me atë të mjekëve apo punonjësve të policisë’.

Projektligji synon dënime nga një deri në pesë vjet në rastet e goditjes për shkak të detyrës dhe një deri në tre vite në rastet e kanosjes, për të cilën deputetja demokrate shprehet se do të japë impakt pozitiv edhe në indeksin e lirisë së medias në vend:

‘Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të rrisin mbrojtjen ligjore të gazetarëve, fotoreporterëve, operatorëve dhe punonjësve të tjerë të medias në vend, duke ndëshkuar më ashpër në Kodin Penal çdo kërcënim, kanosje apo dhunë e çfarëdolloj forme e drejtuar drejt këtyre të fundit’.

Drafti pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, nga ku më pas do të duhet të marrë votëbesimin e deputetëve në seancë plenare. /A2



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *