• |
ide | kryesore

Studentja që rrezikon 10 vjet burg për një postim në Instagram

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
studentja



Studentja ruse Olesya Krivtsova ka munguar në shumë orë mësimi. Kjo pasi 20-vjeçarja është në arrest shtëpiak. Ajo ka një byzylyk elektronik në këmbë. Policia mund të monitorojë çdo lëvizje të saj. 

Krimi i saj? Olesya u arrestua për postime kundër luftës në mediat sociale. Një prej tyre kishte të bënte me shpërthimin e tetorit të kaluar në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.

“Unë postova një “story” në Instagram për urën duke reflektuar se si ukrainasit ishin të kënaqur me atë që kishte ndodhur” – i thotë Olesya BBC-së. Ajo kishte shpërndarë edhe postimin e një miku të saj për luftën.

Pas kësaj filloi drama.

“Unë po flisja në telefon me nënën time kur dëgjova hapjen e derës kryesore. Shumë policë hynë brenda. Më morën telefonin dhe më bërtitën të shtrihesha në dysheme” – kujton Olesya. Ajo u akuzua për justifikimin e terrorizmit dhe diskreditimin e forcave të armatosura ruse. Ajo rrezikon tashmë deri në 10 vjet burg.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush mund të merrte një dënim kaq të gjatë me burgim për postimin e diçkaje në internet. Kisha parë raporte për vendime të çmendura në Rusi, por nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje dhe vazhdova të flisja” – thotë studentja. Studente e Universitetit Federal Verior në Arkhangelsk, Olesya tani është pjesë e listës zyrtare të terroristëve dhe ekstremistëve të Rusisë.

“Kur kuptova se isha futur në të njëjtën listë me sulmuesit e shkollave dhe grupin e Shtetit Islamik, mendova se kjo ishte çmenduri”, – kujton Olesya. Sipas rregullave të arrestit shtëpiak, asaj i ndalohet të flasë në telefon dhe të hyjë në internet. Olesya ka një imazh të tatuazhuar në këmbën e saj të djathtë. Presidenti rus Vladimir Putin paraqitet si një merimangë, me një mbishkrim Orwellian: “Big Brother po ju shikon”. Duket se në rastin e Olesyas, nuk ishte Big Brother që e shikonte atë, por shokët e saj studentë.

Olesya Krivtsova's tattoo

“Një mik më tregoi një bisedë për mua për mënyrën se si unë isha kundër operacionit special ushtarak. Shumica e personave në këtë bisedë ishin studentë të historisë. Ata po diskutonin nëse duhet të më denonconin tek autoritetet” – thotë ajo.

BBC ka parë pjesë nga biseda në atë grup. Në një nga komentet, Olesya akuzohet se ka shkruar “postimet provokuese të një karakteri disfatist dhe ekstremist. Kjo nuk ka vend në kohë lufte. Duhet të hiqet në fillim”.

“Së pari le të përpiqemi ta diskreditojmë. Nëse ajo nuk e kupton, le të merren shërbimet e sigurisë. Denoncimi është detyrë e një patrioti”, – shkruan dikush tjetër.

Më vonë, kur lista e dëshmitarëve të prokurorisë u lexua në gjykatë, Olesya njohu emrat nga biseda e studentëve. Është bërë tashmë gati 1 vit që kur Kremlini nisi “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë (termi që u përdor për pushtimin e plotë të Rusisë ndaj fqinjit të saj). Brenda disa javësh nga sulmi, presidenti Putin i bëri thirrje publikut rus që të ndajë “patriotët e vërtetë nga llumrat dhe tradhtarët”.

Që atëherë, në të gjithë Rusinë ka pasur raporte për denoncime të stilit sovjetik kundër kritikëve të luftës. Ato përfshijnë studentë që informojnë mësuesit dhe punëtorë që denoncojnë kolegët.

Kritika publike ndaj pushtimit është e rrezikshme. Autoritetet ruse presin mbështetje të plotë dhe të palëkundur për ofensivën në Ukrainë. Nëse nuk e mbështetni, të paktën qëndroni të heshtur. Nëse nuk heshtni, ka një varg ligjesh represive për ndëshkim. Kjo përfshin ligjet kundër përhapjes së “informacionit të rremë” për ushtrinë dhe “diskreditimit” të ushtrisë.

Në Arkhangelsk, një portret gjigant i një ushtari rus të vrarë në Ukrainë vështron qytetin nga ana e një blloku apartamentesh 9-katëshe, së bashku me fjalët: “Të jesh luftëtar do të thotë të jetosh përgjithmonë”.

A patriotic mural in Arkhangelsk

Mesazhi patriotik është bindës. Në rrugët e Arkhangelsk, ne gjejmë pak simpati për rusët që përballen me ndjekje penale për komentet e tyre kundër luftës.

“Njerëzit që diskreditojnë ushtrinë tonë ose përhapin falsifikime, janë të sëmurë nga mendja. Ata duhet të dërgohen në vijën e parë si mish për top” – i thotë BBC-së, Konstantini.

“Kam një qëndrim negativ ndaj kritikëve të operacionit special”, – thotë Ekaterina.

Por një dënim i gjatë me burg për postimin e diçkaje në internet, a nuk është i ashpër?

“Njerëzit duhet të përdorin trurin e tyre. Nëse ata jetojnë në këtë vend, nëse gëzojnë të gjitha përfitimet që ky vend ka për të ofruar, nëse ata janë patriotë, ata duhet të respektojnë ligjin” – përgjigjet Ekaterina.

Më vonë atë ditë Olesya u lejua të dalë nga banesa e saj. Por vetëm për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. Avokatët e saj mbrojtës po përpiqen të bindin një gjyqtare që të heqë kufizimet në lëvizjen e saj. Megjithatë gjykatësi vendos ta mbajë atë në arrest shtëpie.

Olesya Krivtsova in court

“Shteti nuk ka stomakun për debat, për demokraci apo liri. Por ata nuk mund t’i fusin të gjithë në burg. Në një moment ata do të mbeten pa qeli” – e mbyll Olesya. ©Marrë nga BBC, përshtati në shqip LAPSI.al



4 Comments

  1. Hahahaha edhe ne Perendim ndodh ekzaktesisht e njejta gje, por nuk beht lajm.
    Ne Angli cdo vit denohen me burg mbi 3500 persona per postimet ne rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *