• |
ide | kryesore

“Rolling Stone”: Ish-agjenti i KGB që korruptoi Charles McGonigal

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
kgb



Në ditët e fundit të Luftës së Ftohtë, një diplomat i ri mbërriti në Konsullatën Sovjetike në San Francisko. Agjentët e zyrës së FBI-së në San Francisko po vëzhgonin me vëmendje personelin që hynte e dilte nga konsullata. Ndërtesa 6-katëshe në një nga lagjet më të njohura të qytetit shërbeu për një kohë të gjatë si qendër e aktivitetit të spiunazhit. Diplomati sovjetik i sapoardhur, në të 20-at ishte Evgeny Fokin. Ai ngriti shpejt dyshimet se ishte një oficer i KGB-së që vepronte nën mbulimin diplomatik në rrugën e tij të parë jashtë shtetit. “Më kujtohet që ai ishte oficer i inteligjencës. Ai ishte i KGB-së në atë kohë”, – thotë Rick Smith, një veteran në pension i skuadrës së kundërzbulimit të FBI-së në San Francisko.

3 dekada më vonë, ai diplomat i ri është tani në qendër të një historie tjetër spiunazhi. Kjo histori përfshin edhe Charles McGonigal, një ish-oficer i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, i cili u padit muajin e kaluar për marrjen e parave në mënyrë të paligjshme nga Oleg Deripaska, një oligark rus i sanksionuar me lidhje me Kremlinin dhe shërbimet e inteligjencës ruse. Fokin është pikërisht “Agjenti-1” i përshkruar në dokumentet e gjykatës. Ai punonte edhe për Deripaska, i cili dalëngadalë korruptoi agjentin veteran të FBI-së gjatë një periudhe 3-vjeçare.

I arrestuar muajin e kaluar, McGonigal përballet me akuza federale në Nju Jork për shkelje të ligjeve federale të sanksioneve që e ndalonin atë të merrte para nga Deripaska dhe të pastronte ato fitime të marra në mënyrë të paligjshme. Ai akuzohet gjithashtu në një çështje tjetër të ngritur në Uashington, DC, për pranimin e gati një çerek milion dollarësh në pagesa sekrete nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare. Këtu përfshihen edhe 80 mijë dollarë që u dorëzuan me stilin e bandave në një makinë të parkuar jashtë një restoranti të Nju Jorkut.

“Arrestimi i tij është një keqardhje për FBI-në” – i thotë Rolling Stone një zyrtar i lartë i FBI-së në pension. “Byroja ka marrë goditje vitet e fundit me rastin e Trump dhe të tjerë që e sulmojnë. Arrestimi i tij është gjithçka që na nevojitet.”

Dëmi ndaj imazhit të FBI-së mund të shkojë më thellë nga sa kuptohej më parë. Në vitin 2020, McGonigal mori pjesë në një panel diskutimi të Këshillit Atlantik të titulluar “Si e kapën Kremlinin, Shërbimet e Sigurisë së Rusisë?”

Por pyetje më të mira mund të ishin: “A komprometuan shërbimet e sigurisë ruse një agjent të lartë kundërzbulimi të FBI-së, këtu në Amerikë? Si u kap kaq lehtë një nga spiunët kryesorë të FBI-së? Sa e ekspozuar është FBI-ja, duke pasur parasysh se Fokin, një spiun i dyshuar rus, ishte ai që e futi në kurth?”

Çelësi për të kuptuar çështjen McGonigal sillet edhe rreth një grupi tjetër pyetjesh: “Cilat ishin motivet e ish-agjentit të kundërzbulimit të FBI-së? A po ndiqte ai dollarët që miliarderët si Deripaska shpërndanë në botën e sigurisë private? Apo lakmia e McGonigal-it e shtyu atë t’i jepte sekretet e tij një oligarku dhe ish-oficerit të dyshuar të inteligjencës ruse në listën e tij të pagave?

Lajmet për arrestimin e McGonigal dhe lidhjet e tij me Deripaska ndezën spekulime të shfrenuara se McGonigal ishte njeriu i brendshëm i Rusisë që kishte në dorë hetimet e dyfishta të FBI-së për fushatën e Trump dhe emailet e Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale 2016.

Emri i oligarkut doli shpesh në hetimin e FBI-së për fushatën e Trump. Deripaska kishte lidhje si me kryetarin e fushatës së Trump, Paul Manafort, ashtu edhe me Christopher Steele, ish-spiunin britanik që ishte autor i dosjes famëkeqe (dhe me të meta të thella) mbi Trumpin dhe Rusinë. Manafort fitoi miliona duke kryer operacione ndikimi jashtë shtetit për Deripaska derisa të dy u grindën për një marrëveshje biznesi.

Por një burim me njohuri të drejtpërdrejta të ngjarjeve i tha “Rolling Stone” se McGonigal nuk kishte asnjë rol në hetimin e FBI-së për Clinton. Ai ishte në periferi të hetimit të Trump. Ishte një email që zbarkoi në postën hyrëse të sigurt të McGonigal në korrik 2016 që nisi hetimin Trump-Rusi. Emaili zbuloi se ndihmësi i fushatës së Trump, George Papadopoulos i tha një diplomati australian se rusët kishin informacione të dëmshme për Clinton.

McGonigal ua përcolli mesazhin agjentëve të tjerë dhe ishin ata agjentë, jo McGonigal, që hapën hetimin që u bë i njohur si Uragani Crossfire. Disa muaj më vonë, McGonigal u përmend për hetimin e Carter Page. Ai ishte një këshilltar i Trumpit për politikën e jashtme, i cili ishte subjekt i një përgjimi në lidhje me kontaktet e tij me oficerët e inteligjencës ruse.

Hetimi Uragani Crossfire që përfshiu hetimin ndaj Manafort tani të bën përshtypje që la jashtë McGonigal. Ai qëndronte jashtë rrethit të kufizuar të hetuesve që kishin njohuri për hetimin e gjerë të FBI-së.

McGonigal ka ngritur shqetësime që shkojnë përtej politikës. Detyra e tij e fundit në FBI – nga shtatori 2016 deri në pensionimin e tij 2 vjet më vonë – ishte si agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën në terren të Nju Jorkut. Është një punë që i ka dhënë atij akses në disa nga sekretet më të ndjeshme të vendit dhe detajet intime të hetimeve të FBI-së për spiunët e huaj në tokën amerikane.

Ndër hetimet që sipas prokurorëve federalë, McGonigal mbikëqyri si kreu i kundërzbulimit në Nju Jork, ishte një për punëdhënësin e tij të ardhshëm, Oleg Deripaska. Deripaska u padit vitin e kaluar nga një juri e madhe në Manhattan për evazion sanksionesh dhe pengim të drejtësisë. McGonigal kishte potencialin për ta furnizuar atë me “një minierë ari informacionesh”. Disa nga sekretet më sekrete – emrat e spiunëve, agjentëve të dyfishtë, burimet dhe metodat që Shtetet e Bashkuara përdorën për të mbledhur informacione kaluan në tryezën e tij.

“Ai mund të jetë një nga spiunët më shkatërrues në historinë e SHBA-së, por nuk ka prova të mjaftueshme për ta bërë këtë pretendim,” – thotë oficeri në pension i CIA-s, John Sipher, i cili punoi në hetimin e Robert Hanssen, agjentit të FBI-së që spiunoi për Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë për 2 dekada.

Deri më tani, nuk ka asnjë aluzion për spiunazh në dosjet gjyqësore. “Ajo që po dëgjoj në fund të ditës është …ishte lakmi dhe jo spiunazh,” – thotë një ish-agjent i FBI-së që e njihte McGonigal. Procedura standarde në raste të tilla është kryerja e një vlerësimi të brendshëm për të përcaktuar se çfarë dëmi, nëse ka, mund t’i ketë bërë McGonigal operacioneve të byrosë. FBI nuk pranoi të komentonte nëse një vlerësim i tillë ishte duke u zhvilluar. Por 6 ish-agjentë të FBI-së që folën me Rolling Stone mbetën të shtangur kur mësuan se McGonigal u ngatërrua me një spiun të dyshuar rus dhe shefin e tij.

Dosja e FBI-së për Deripaskën daton në vitet 1990, kur ai doli nga “luftërat e aluminit” të përgjakshme post-sovjetike si drejtor i përgjithshëm i Rusal, një nga prodhuesit më të mëdhenj të aluminit në botë. Departamenti Amerikan i Thesarit vëren se Deripaska u akuzua për urdhërimin e vrasjes së një biznesmeni, i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar dhe është hetuar për kërcënimin e jetës së rivalëve të biznesit, zhvatje dhe shantazh. Ai gjithashtu shërbeu si një “prokurë” për Kremlinin dhe shërbimet e inteligjencës ruse, sipas raportit të Komitetit të Inteligjencës së Senatit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës.

Fokin, i cili ka punuar për oligarkun që nga viti 2007, kishte gjithashtu një dosje të trashë në FBI. Fokin shërbeu në departamentin e Amerikës së Veriut të Ministrisë së Jashtme Sovjetike në vitet 1980 dhe 1990, sipas biografisë së tij zyrtare. Pas 2 vjetësh në San Francisko, detyra e radhës e Fokinit e çoi në Uashington si atashe në Ambasadën Ruse nga viti 1990 deri në vitin 1995. Sipas një raporti në Daily Telegraph të Britanisë, ai punoi në SVR, shërbimin e inteligjencës së jashtme të Rusisë, dhe shërbeu si oficer ndërlidhës me agjencitë e inteligjencës amerikane gjatë asaj kohe.

Lordi Gregory Barker – një anëtar i Dhomës së Lordëve në Parlamentin Britanik, i cili ka qenë shef i Fokinit në EN+, konglomerati i Deripaska i regjistruar në Londër ka thënë më parë se Fokin ka mohuar të jetë spiun. Teksa Deripaska ishte ndaluar të hynte në Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me krimin e organizuar, nuk kishte një ndalim të tillë për Fokin.

“Ai vazhdon të ketë një vizë të hapur për në Mbretërinë e Bashkuar dhe për SHBA,” tha Barker gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Punëve të Jashtme në shkurt 2019. John Mann, i cili e njihte Fokinin nga vitet e tij në Rusi si zëdhënës i Roman Abramovich, një tjetër oligark, thotë: “Unë nuk mendoj se ai është një spiun. Thjesht një djalë PR”.

McGonigal, megjithatë, besonte se Fokin punonte në inteligjencë dhe madje mund të ishte përpjekur ta rekrutonte atë. Sipas aktakuzës, McGonigal i tha një mbikëqyrësi të FBI-së se ai “dëshironte të rekrutonte Agjentin-1” (pra Fokin) i cili ishte, sipas McGonigal, një oficer i inteligjencës ruse.

Sipas një kopjeje të faqes së fshirë të Fokinit në LinkedIn të marrë nga Rolling Stone, Fokin punoi për marrëdhëniet me publikun për një sërë oligarkësh pasi la shërbimin qeveritar. Ai fillimisht punoi për MediaMost, një konglomerat i pavarur mediatik rus në pronësi të Vladimir Gusinsky, i cili u arrestua në vitin 2000 dhe u detyrua të shiste pronat e tij. Fokin më pas trajtoi informacione ndërkombëtare në Yukos, një gjigant rus i naftës. Shefi i Yukos, Mikhail Khodorkovsky, u arrestua në vitin 2003 dhe kaloi 10 vjet në burg ndërsa kompania e tij u ble nga shteti.

Pozicioni më i fundit i Fokin ishte drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar në EN+. “Gjithmonë e kam parë me pëlqim, profesionist, shumë pro-SHBA dhe i arsyeshëm,” – thotë një koleg i vjetër i cili kërkoi të mos i përmendet emri. EN+ ra nën sanksionet e SHBA në 2018, por iu dha një pauzë vitin e kaluar pasi Deripaska ra dakord të reduktonte aksionet e tij në kompani dhe të hiqte dorë nga kontrolli. Kushtet e rrepta të vendosura ndaj EN+ nga Thesari i SHBA-së ndaluan çdo anëtar të kompanisë të kontaktojë me Deripaska pa autorizim, gjë që Fokin nuk e kishte.

Një përfaqësues i Oleg Deripaska i quajti pyetjet e Rolling Stone në lidhje me Fokinin, paraqitjen e tij si spiun dhe McGonigal si “të neveritshme” dhe një “fantazi të sëmurë”. “Kapja e Rolling Stone mbi këtë lloj trillimi të shurdhër në një kohë katastrofash të vërteta humanitare vë në pikëpyetje mprehtësinë mendore dhe morale të shtypit”, – thotë zëdhënësi.

Aktakuza paraqet një pamje mahnitëse të një spiuni veteran të FBI-së duke u komprometuar dalëngadalë nga një tjetër spiun veteran. Favorizimet e vogla u bënë favorizime më të mëdha derisa McGonigal u gjend shumë thellë. Është një lloj modeli spiunazhi që agjentët e kundërzbulimit janë të trajnuar për ta zbuluar dhe penguar.

Filloi kur McGonigal ishte ende në FBI. Fokin kërkoi një prezantim me të nga një përkthyes rus, i cili punonte për prokurorët federalë në Manhatan dhe Brooklyn. “Me kërkesën e zotit Fokin, kontaktova me zotin McGonigal” – thotë përkthyesi, Sergey Shestakov, në vitin 2021 kur u pyet në Departamentin e Drejtësisë si agjent i huaj i Fokinit.

Fokin kishte nevojë për një favor, sipas aktakuzës. A mund ta ndihmonte McGonigal që vajza e tij, Alexandra, të bëjë një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut? Agjenti i FBI-së doli garant dhe Alexandra mori një “trajtim VIP” nga NYPD.

“Unë isha përfshirë në çështje të çmendura, por jashtëzakonisht interesante dhe të vështira. Eksperienca e punës në fushën e antiterrorizmit doli të ishte diçka absolutisht e re dhe unike. Informatat, bisedat dhe sigurisht, faqet e pafundme të analizave” – shkroi Alexandra Fokin në një postim të fshirë në Facebook në korrik 2018, i nxjerrë nga Washington Post. 

Fokin më pas pati një kërkesë tjetër. Ai kishte nevojë për ndihmë ligjore për të luftuar sanksionet që Thesari i SHBA-së i vendosi Deripaska-s në prill 2018. McGonigal ndihmoi në prezantimin e Fokinit me avokatët e një firme ndërkombëtare.

Përpjekja për të hequr sanksionet ishte të paktën pjesërisht e suksesshme. Administrata Trump e lehtësoi presionin mbi kompaninë Rusal të Deripaska, kompania e dytë më e madhe e aluminit në botë, më pak se 4 muaj pasi u vendosën sanksionet ndaj saj dhe liderit të saj famëkeq. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se sanksionet po ndëshkonin “njerëzit punëtorë të Rusal”.

Rrjeti i kontakteve u thellua në vitin 2019 pas daljes në pension të McGonigal nga FBI. Ai u takua me Deripaskën në shtëpinë luksoze të oligarkut në Londër dhe në Vjenë. Në gusht 2021, McGonigal nënshkroi një kontratë me Fokin për të punuar si konsulent sigurie me 41 790 dollarë në muaj për Deripaska, sipas aktakuzës. Nëse qëllimi i Fokinit ishte të komprometonte ish-agjentin e lartë të FBI-së, ai tani e kishte atë. Marrja e parave nga një oligark i sanksionuar ishte një krim.

“Ata mund ta kenë pyetur atë për çdo gjë” – thotë Smith, veteran i kundërzbulimit të FBI-së në San Francisko. Sido që të jetë, çfarëdo ndikimi që Fokin dhe Deripaska kishin ndaj McGonigal ajo mori fund në nëntor 2021 kur FBI-ja sekuestroi telefonin e tij personal me një urdhër të miratuar nga gjykata.

Deri atëherë, dëmi ishte bërë. Asha Rangappa, një ndihmës dekan në universitetin e Yale dhe ish-agjent i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork në vitet 2000, thekson se operacionet ruse që synojnë Perëndimin shpesh janë të strukturuara në mënyrë që Moska të përfitojë pavarësisht nga rezultati. Rasti i McGonigal – një ish-agjent i lartë i FBI-së që pranoi para të paligjshme nga një oligark i sanksionuar – duket se ndjek një model të ngjashëm.

“Kjo është skica. Ata kanë aq shumë ndikim mbi të edhe nëse pagesa për McGonigal nuk del në dritë. Nëse del në dritë, është një turp më shumë për FBI-në. Por sido që të jetë, është një fitore e favorshme për ta”- thotë Rangappa.

©Marrë nga revista “Rolling Stone”, përshtati në shqip, LAPSI.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *