• |
ide | kryesore

Ky iPhone i vitit 2007 u shit për 63 mijë dollarë

-Instant, Arkiva, Lapsi Leaks
iPhone



Amerikania Karen Green mori një iPhone në vitin 2007, por bëri diçka që shumica e njerëzve nuk e bëjnë. Ajo nuk e hapi atë kurrë. iPhone i saj i gjeneratës së parë u shit në një ankand për 63 356 dollarë të dielën që kaloi.

Ankandi i kaloi pritshmëritë se telefoni do shitej për më pak se 50 mijë dollarë. Çmimi i shitjes është më shumë se 100 herë më shumë se kostoja origjinale e telefonit 8GB prej vetëm 599 dollarësh. Por mos prisni që edhe ju të merrni kaq shumë për një iPhone-in tuaj të vjetër. Kjo sepse ai duhet të jetë ende në paketimin origjinal me mbështjellësen e tij.

“Të zbulosh një model origjinal, të hedhur në treg për herë të parë në vitin 2007 dhe që është ende krejt i ri me vulën e tij të fabrikës të paprekur është vërtet e jashtëzakonshme” – tha Mark Montero i LCG Auctions për BBC News.

LCG Auctions që u mor me ankandin e nisi atë me vetëm 2 500 dollarë më 2 shkurt dhe e mbylli atë të dielën pas 27 ofertave. Ishin miqtë e saj që i dhanë telefonin 8 GB si dhuratë zonjës Green në vitin 2007 kur ajo nisi një punë të re. Detajin ajo e zbuloi në një intervistë të vitit 2019. Green sapo kishte blerë një telefon tjetër kështu që e mbajti dhuratën e saj pa e hapur.

“Është një iPhone” – mendoi ajo, “kështu që nuk do të ketë kurrë data skadence”. Për fatin e saj, ajo nuk ishte e gabuar. “Iphone kontrollon të gjitha kutitë që kërkojnë koleksionistët e nivelit të lartë”, – thotë Montero duke nisur nga “relevanca, rrallësia dhe zëvendësueshmëria”.

“Vetëm i ri, i pahapur dhe i gjeneratës së parë, [iPhone] në gjendje të shkëlqyeshme janë të vlefshëm” – thotë ai. Historia e zonjës Green është “thjesht qershia mbi tortë”. Të apasionuarit besnikë të Apple dihet se paguajnë shuma të majme për produkte origjinale. Vitin e kaluar, një prototip i hershëm i kompjuterit Apple i viteve 1970 u shit për mbi 677 mijë dollarë.

iPhone të gjeneratës së parë, në gjendje të ngjashme të pacenuar janë shitur edhe më parë. Njëri u shit për 35 414 dollarë në gusht dhe një tjetër për 39 339 dollarë në tetor. Green tha për Business Insider se do ta mbante telefonin edhe më gjatë për të arkëtuar një shumë edhe më të madhe, por asaj i duheshin paratë për të financuar biznesin e saj në New Jersey. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *