• |
ide | kryesore

Liverpool kërkon hakmarrje për dy finalet, Real me mesfushën ‘copë’: Napoli rigjen Osimhen në Frankfurt

-Instant, F1, Sport
Liverpool



Champions League kthehet me ndeshjet e tjera të vajtjes për 1/8 e kompeticionit. Në fushë zbresin kampionët në fuqi të Europës, në një përsëritje të finales së kaluar. Në Anfield Road, Liverpool kërkon hakmarrjen për dy humbjet në finale të viteve të fundit kundër Real Madrid. Probleme formacioni për Klopp e Ancelotti. Në Frankfurt, ndërkohë, Eintracht pret Napolin. Impresionuesit e Spalletti vizitojnë fituesit e fundit të Europa League.

LIVERPOOL – REAL MADRID

Liverpool dhe Real Madrid do të ofrojnë një përsëritje të finales së Champions 2021-22, kur të rinovojnë armiqësitë e tyre në Anfield. Të besuarit e Jurgen Klopp u renditën të dytët në Grupin A, pas Napolit. Tani përballë janë kampionët në fuqi, që fronin e morën pikërisht ndaj tyre. Blancos mundën Celtic, Shakhtar Donetsk dhe RB Leipzig për vendin e parë në Grupin F.

NUNEZ MBAN NË ANKTH KLOPP

Suksesi i Liverpoolt ndaj Newcastle në fundjavë erdhi me kosto të lartë. Darwin Nunez u detyrua të largohej nga fusha me një problem të dhimbshëm në shpatull. Sulmuesi do t’i nënshtrohet një vlerësimi të mëtejshëm në orët e ardhshme për të përcaktuar disponueshmërinë e tij për ndeshjen. Uruguaiani u pa në stërvitje të hënën, por nëse ai mungon, Diogo Jota dhe Roberto Firmino do të sfidohen për një vend në sulm. Portugezi mund të jetë i favorizuar nëse Klopp vendos të provojë përsëri Gakpo në qendër. Luis Diaz, Ibrahima Konate, Thiago Alcantara dhe Calvin Ramsay përbëjnë pjesën tjetër të mungesave të konfirmuara të Liverpool. Arthur është ende në dyshim pasi po rikuperohet nga operacioni në kofshë. Kështu që adoleshenti i zjarrtë Stefan Bajcetic mund të presë me padurim një start të merituar kundër kampionëve të Evropës.

BENZEMA RIKTHEHET PËR CHAMPIONS

Në mënyrë të ngjashme, Reali mund të jetë frikësuar për gjendjen fizike të sulmuesit të tyre yll, Karim Benzema. Francezi u la jashtë përplasjes me Osasunan për shkak të lodhjes muskulore. Por Ancelotti pret që fituesi i Topit të Artë të jetë rikuperuar plotësisht për të martën pas pushimit të nevojshëm. Më shqetësuese është situata e dyshes kryesore të mesfushës Aurelien Tchouameni dhe Toni Kroos. Të dy kanë vuajtur nga sëmundja dhe janë lënë jashtë skuadrës. Kështu që Eduardo Camavinga dhe Dani Ceballos duhet të bashkohen me Luka Modric në triumvirat. Mbrojtësi i majtë Ferland Mendy po përballet me disa javë të tjera jashtë me një dëmtim në kofshë. Sulmuesi rezervë Mariano Diaz gjithashtu ka pasur një problem të paspecifikuar, i cili e ka bërë atë të padisponueshëm. Por Courtois, i cili bëri nëntë pritje në finalen e vitit të kaluar, është rikuperuar nga një problem abdominal.

FORMACIONET E MUNDSHËM

Liverpool:

Alisson; Alexander-Arnold, Gomez, Van Dijk, Robertson; Bajcetic, Fabinho, Henderson; Salah, Gakpo, Jota

Real Madrid:

Courtois; Carvajal, Militao, Rudiger, Alaba; Ceballos, Camavinga, Modric; Valverde, Benzema, Vinicius Jr

Lexo më tej: Gati ta sfidojë, Jurgen Klopp kujton humbjen me Real Madrid: “E ripashë finalen, ishte një torturë”

FRANKFURT – NAPOLI

Pas shkëlqimit në fazën e grupeve, Napoli kthehet në Champions të martën, me vizitën në Gjermani. Përballë tyre do të jenë fituesit e vitit të kaluar të Europa League, Eintracht Frankfurt. Kryesuesit e Serie A kaluan në 1/8 duke fituar pesë ndeshjet e tyre të para. Vendasit, nga ana tjetër, luftuan deri në ditën e fundit të Grupit D për të rrëmbyer vendin e dytë. Dyshja tani përplaset në ndeshjen e parë të një shorti që vendos se kush do të arrijë në çerekfinale.

LËVIZJET E GLASNER

Pavarësisht fitores së ekipit të tij ndaj Werder në fundjavë, Oliver Glasner mund të bëjë të paktën disa ndryshime në mbrëmje. Tekniku, sidoqoftë, ka një skuadër pothuajse të plotë në dispozicion për përzgjedhje. Eric Dina Ebimbe është ende jashtë fushe për shkak të një problemi me kaviljen. Mungesa e vetme, sepse nuk ka shqetësime të tjera fizike për Frankfurt. Hrvoje Smolcic dhe Aurelio Buta me shumë mundësi do të zbresin në fushë për t’u përballur me Napolin. Smolcic, megjithatë, është një nga tre lojtarët që përballen me pezullim për ndeshjen e dytë nëse ndëshkohen. Dy të tjerët që rrezikojnë janë bashkatdhetari i tij kroat Kristijan Jakic dhe mesfushori Makoto Hasebe. Edhe një herë, Randal Kolo Muani e nis nga fillimi. Sulmuesi francez ka shënuar në dy paraqitjet e tij të fundit në Champions, përveç 10 golave dhe 10 asiste gjatë sezonit të tij debutues në Bundesligë.

OSIMHEN NUK RREZIKON

Ndërkohë, italianët janë të pajisur mirë, pasi shqetësimet rreth Victor Osimhen u shuan shpejt. Nigeriani, që ka shënuar në shtatë ndeshje të njëpasnjëshme të Serie A, çaloi në fitoren e së premtes në Sassuolo. Luciano Spalletti megjithatë i qetësoi të gjithë duke e konfirmuar gati. Një dëmtim muskulor për Giacomo Raspadori, që bëri shumë mirë në fazën e grupeve, e mban atë jashtë fushës. Kështu që Osimhen duhet të mbështetet nga Hirving Lozano dhe Khvicha Kvaratskhelia. Ky i fundit shënoi dhe asistoi në të njëjtën ndeshje dy herë gjatë grupit A të Napolit. Në mesfushë, Piotr Zielinski do të presë të rikthehet në vend të Eljif Elmas. Ndërsa Mario Rui dhe Mathias Olivera kanë dualitet për një vend në krahun e majtë.

FORMACIONET E MUNDSHËM

Eintracht Frankfurt:

Trapp; Smolcic, N’Dicka, Tuta; Buta, Kamada, Sow, Max; Lindstrom, Gotze; Kolo Muani

Napoli:

Meret; Di Lorenzo, Kim, Rrahmani, Rui; Lobotka, Anguissa, Zielinski; Lozano, Osimhen, Kvaratskhelia

Round of 16 Champions League

21:00 Eintracht Frankfurt – Napoli

21:00 Liverpool – Real Madrid



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *