• |
ide | kryesore

Dybala merret në pyetje nga Guardia di Finanza: edhe argjentinasi rrezikon pezullimin

-Instant, Sport
Dybala



Paulo Dybala është marrë në pyetje nga Guardia di Finanza si pjesë e hetimit Prisma për llogaritë e Juventus. Këtë e raporton Repubblica, sipas së cilës hetuesit kanë shkuar enkas në Romë të martën. Në qendër të bisedës ishte një kërkesë për dëmshpërblim prej tre milionë eurosh. Ajo iu paraqit bardhezinjve nga avokati i argjentinasit në maj 2022, pas mosrinovimit të kontratës. Sipas hetuesve, kjo mund të ketë lidhje me manovrën e pagave të sezonit 2020/21.

Sipas avokatëve të tij, Dybala pati iluzionin e rinovimit dhe për këtë arsye kërkoi një dëmshpërblim. Në fund të negociatave, të cilat përfunduan në shtator 2022, Paulo ishte nën kontratë me Romën. Në këtë kohë dyshohet se mbërriti një propozim kompensimi për përgjegjësinë parakontraktore nga Juventus. Atë klubi, më pas, e përfshiu në pasqyrat e reja financiare, si një fond rreziku.

SI LINDI DYSHIMI I HETUESVE

Shtrirja e marrëveshjes i bëri prokurorët të dyshonin. Tre milionët për të cilët u ra dakord janë shumë afër 3,783 milionëve të manovrës së pagave bis. Ajo i përket sezonit 2020/21, kur bardhezinjtë dhe Dybala kishin rënë dakord ta shpërndanin në sezonin e ardhshëm. Ashtu si në rastin e “kartës Ronaldo”, këto ishin marrëveshje të arritura përmes akordeve private dhe jo të transkriptuara në formularë federalë. “Side letter” u garantonte lojtarëve rikuperimin e shumave të pezulluara, edhe në rast lamtumire me klubin. Dybala kishte rënë dakord të shtynte pagesën e 3,783,502 eurove në dy këste. E para do të ishte maturuar nëse do të qëndronte në fund të merkatos së verës 2021. E do t’i ishte paguar, të paktën sipas marrëveshjes, me pagat e gushtit dhe shtatorit 2021. E dyta, duhet të ishte marrë me rrogat e janarit dhe prillit 2022. Gjithnjë në rast se do të mbetej te Juventus pas merkatos së dimrit të vitit të kaluar.

Lexo më tej: Manovra e pagave, Dybala i nxjerr Juventus inatin e largimit: “Komunikata e klubit ndryshe nga akordi”

EDHE ARGJENTINASI RREZIKON SKUALIFIKIMIN

Duhet mbajtur parasysh se çështjet e pagave kanë implikime jo vetëm për klubin, por edhe për lojtarët. Prokurori federal ka hapur tashmë një dosje për manovrën e pagave të bardhezinjve. Neni 31 i Kodit të Drejtësisë Sportive i ndalon klubet të bien dakord ose të paguajnë dëmshpërblim në kundërshtim me rregullat federale. Por gjithashtu ndalon lojtarët të pranojnë ta marrin atë. Prandaj Dybala është gjithashtu një nga ata që mund të marrë një sanksion sportiv. Sipas Repubblica ai rrezikon një skualifikim jo më pak se një muaj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *