• |
ide | kryesore

Ç’po ndodh/ Mbi 700 vajza të helmuara në shkollat e Iranit

-Instant, Arkiva, F1, Lajme, Planet, Të fundit
vajza



Pothuajse 700 vajza janë helmuar nga gazi toksik në Iran që nga nëntori, në atë që shumë besojnë se është një përpjekje e qëllimshme e fshehtë për të detyruar shkollat e tyre të mbyllen. Asnjë vajzë nuk ka vdekur, por dhjetëra kanë pësuar probleme me frymëmarrjen, të përziera, marramendje dhe lodhje.

“U bë e qartë se disa njerëz donin që të gjitha shkollat, veçanërisht shkollat e vajzave, të mbylleshin”,tha të dielën zëvendësministri i Shëndetësisë. Megjithatë, ai më vonë tha se komentet e tij ishin keqkuptuar.

Prokurori i Përgjithshëm njoftoi javën e kaluar se po hapte një hetim penal. Megjithatë, ai tha se informacioni i disponueshëm vetëm tregonte “mundësinë e veprimeve kriminale dhe të paramenduara”. Zhgënjimi publik në vend po vazhdon të rritet.

Helmimi i parë ndodhi më 30 nëntor, kur 18 nxënës nga Shkolla Teknike Nour në qytetin fetar të Qom u dërguan në spital. Që atëherë, më shumë se 10 shkolla për vajza janë vënë në shënjestër në krahinën përreth.

Të paktën 194 vajza raportohet se janë helmuar gjatë javës së kaluar në 4 shkolla në qytetin e Borujerdit, në provincën perëndimore të Lorestanit. Të martën 37 studente të tjera u helmuan në shkollën e vajzave Khayyam në Pardis, pranë kryeqytetit Teheran.

Vajzat e helmuara kanë raportuar erën e mandarinës apo peshkut të kalbur përpara se të sëmuren. Në fillim të këtij muaji, të paktën 100 njerëz protestuan jashtë zyrës së guvernatorit në Qom.

“Ju jeni të detyruar të garantoni sigurinë e fëmijëve të mi! Unë kam dy vajza” – bërtiste një baba në një video të shpërndarë gjerësisht në mediat sociale. “Dy vajza… dhe gjithçka që mund të bëj është të mos i lë të shkojnë në shkollë.”

“Kjo është një luftë! Ata po e bëjnë këtë në një shkollë të mesme për vajza në Qom për të na detyruar të mbyllemi në shtëpi. Ata duan që vajzat të qëndrojnë në shtëpi” – thotë një grua. Disa prindër kanë thënë se fëmijët e tyre ishin të sëmurë për javë të tëra pas helmimit.

Një video tjetër nga një spital tregon një vajzë adoleshente të shtrirë të trullosur në një shtrat, me nënën e saj pranë.

“Të dashura nëna, unë jam nënë dhe fëmija im është në shtratin e spitalit dhe gjymtyrët e saj janë të dobëta”, – thotë nëna e shqetësuar. “Unë e shtrëngoj atë, por ajo nuk ndjen asgjë. Ju lutemi mos i dërgoni fëmijët tuaj në shkollë” – shton ajo.

Në një konferencë për shtyp të dielën, zëvendësministri i Shëndetësisë, Younes Panahi tha se vajzat ishin helmuar nga kimikate që “nuk janë të shkallës ushtarake dhe janë të disponueshme për publikun. Nxënësit nuk kanë nevojë për ndonjë trajtim invaziv dhe është e nevojshme të ruhet qetësia”, – shtoi ai.

Komenti i Panahi se ishte “e qartë se disa njerëz donin që të gjitha shkollat… të mbylleshin” dukej se konfirmonte se qeveria besonte se helmimet ishin të paramenduara. Mohimi i tij i mëvonshëm tregoi një përplasje mes zyrtarëve mbi mënyrën se po trajtohet zemërimi publik teksa nuk është identifikuar asnjë i dyshuar.

Helmimet janë përqendruar veçanërisht në Qom, një qytet që është shtëpia e faltoreve të rëndësishme myslimane shiite dhe udhëheqjes fetare që përbën shtyllën kurrizore të Republikës Islamike.

Që nga shtatori, struktura klerikale e shtetit është sfiduar nga protesta masive që shpërthyen pas vdekjes në paraburgim të një gruaje të re kurde, Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia e moralit pasi dyshohet se nuk mbante shaminë e saj “siç duhet”.

Disa iranianë kanë spekuluar se vajzat e shkollave po helmohen si “shpagim” për rolin e tyre në trazira. Mediat sociale u mbushën me video që tregonin nxënëse duke hequr shamitë e tyre dhe duke brohoritur parulla anti-establishment.

Të tjerë kanë spekuluar se helmimet janë vepër e forcave të vijës së ashpër që duan të “kopjojnë” talebanët në Afganistan dhe grupin militant islamik Boko Haram në Nigeri duke terrorizuar prindërit për të ndaluar dërgimin e vajzave të tyre në shkollë.

“A ka ardhur Boko Haram në Iran?” – pyet ish-zëvendëspresidenti Mohammad Ali Abtahi pyeti në një postim në Instagram. Politikani reformist paralajmëroi gjithashtu se “ekstremistët po interpretojnë kufijtë e qeverisë dhe fesë në favor të tyre”.

Udhëheqësit e Iranit kanë refuzuar tradicionalisht kritikat për kufizimet e tij ndaj grave, siç është shamia e detyrueshme, dhe në vend të kësaj mburren me numrin e grave që ndjekin universitetin. Por nëse vajzat e reja nuk mbarojnë shkollën, universiteti është vetëm një ëndërr.

Komentet e një nxënëseje, e cila thotë se është helmuar dy herë, në takimin me guvernatorin e Qomit në fillim të këtij muaji, theksuan se sa të paqarta dhe mashtruese kanë qenë disa nga deklaratat nga autoritetet.

“Ata [zyrtarët] na thonë: “Gjithçka është mirë. Ne kemi bërë hetimin tonë”. Por kur babai im pyeti në shkollën time, ata i thanë: “Më falni, kamera ka një javë që nuk funksionon dhe ne nuk mund ta hetojmë këtë”, – tha ajo duke shtuar: “Dhe kur u helmova për herë të dytë të dielën, drejtoresha e shkollës tha: “Ajo ka sëmundje të zemrës, prandaj është shtruar në spital”. Por unë nuk kam asnjë sëmundje të zemrës!”. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *