• |
ide | kryesore

Video/ Esquerdinha iluzionon Bylis, Kahrimanovic i arrin 4 minuta nga fundi: nuk ka fitues në “Adush Muça”

-Instant, Sport, Video
Esquerdinha



Një barazim që nuk i bën punë askujt, por që natyrisht i prish më pak punë Erzenit. 1-1 në Adush Muça, për javën e 24 të Superiores, vazhdon të mbajë Bylis në zonën e rënies nga kategoria. Esquerdinha iluzionoi të gjithë në Ballsh me golin e avantazhit. Administrimi i rezultatit nuk shkoi si duhet pastaj. Skuadra e Shensoit u arrit nga një penallti e Kahrimanovic 4 minuta nga fundi, në një episod plot tension.

Mallakastriotët kishin nevojë për një fitore për të dalë nga zona e ftohtë. Shensoi e orientoi skuadrën që në fillim përpara, por Bylis u përplas me mbrojtjen e organizuar të Erzenit. Kapllani preferoi të dilte pa dëme, nga presingu vendas e në fakt pas 45 minutave të para rezultati ishte i pandryshuar.

Sfida u zhbllokua në minutën e 62’ me Bylis që pa përpjekjet e tyre të kurorëzoheshin. Esquerdinha kontrolloi në zonë dhe me të majtën e dërgoi topin në rrjetë. Ballshiotët në avantazh dhe Shensoi u mundua të ruante rezultatin. U duk se strategjia po funksiononte, deri kur në minutën e 86’ të akordohej një penallti për prekje me dorë të topit nga Lajthia. Nga pika e bardhë nuk gaboi Kahrimanovic që vulosi 1-1 përfundimtar.

Lexo më tej: Video/ Dwamena tërheq Egnatian drejt luftës për titull: me 10 lojtarë vendasit fundosin Kastriotin

Në fund situata u tensionua mes futbollistëve teksa hynë në fushë stafi dhe tifozë. Por kjo nuk lëviz Bylis nga zona e rënies me 27 pikë. Erzeni ndërkohë mban mesin e artë me 33 pikë, edhe pse Europa e mbijetesa nuk janë aq larg.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *