• |
ide | kryesore

Talebanë dhe ajatollahë/ Vendet ku burrat urrejnë gratë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
gratë



“Nuk kam frikë nga kërcënimet me vdekje. Janë ata që kanë frikë. Përndryshe ata nuk do të donin të vrisnin një grua të vogël si unë”. Janë këto fjalët e Shirin Ebadi, gruaja e parë muslimane që u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2003. Duke thirrur “Grua, jetë dhe liri” mijëra vajza dhe djem kanë dalë në rrugë në çdo qytet të Iranit për më shumë se 160 ditë. Ishte 16 shtatori kur Mahsa Amini u arrestua dhe më pas u rrah për vdekje në Teheran për shkak të mosmbajtjes së duhur të shamisë së kokës. Që atëherë, së bashku me protestat nga gratë, ka filluar llogaritja e turpshme e vdekjeve.

Në shumë raste kemi të bëjmë me gra shumë të reja, të torturuara dhe të dhunuara para se të vriteshin nga “policia e moralit”. Mes tyre Nika Shakarami (17 vjeç), Hadis Najafi (20 vjeç), Hannaneh Kia (23 vjeç), Ghazaleh Chalavi (32 vjeç), Mahsa Moguyi (18 vjeç), Aida Rostami (36 vjeç), mjekja që mjekonte të plagosurit. Sipas OJQ-ve të të drejtave të njeriut që janë ende aktive në Iran, më shumë se 100 protestues janë në burg. Ditët e fundit janë raportuar edhe raste të helmimit të qëllimshëm të qindra vajzave në shkollat e Qomit. Dyshohet se kjo është një praktikë për të dekurajuar arsimimin e femrave.

525 të vdekur në 5 muaj

Të rinjtë iranianë megjithatë nuk e ndalin luftën e tyre. Regjimi nuk ka asnjë mëshirë për ta. Mehdi Zare Ashkzari, ish-student i Universitetit të Bolonjës, ishte pak më shumë se 30 vjeç. Ai vdiq në paraburgim në Iran, ku ishte kthyer për t’u kujdesur për nënën e tij të sëmurë, pasi u arrestua në një demonstratë. Ankthi vazhdon për fatin e atyre që mes mijëra të rinjve të arrestuar rrezikojnë të përfundojnë në dënim me vdekje ose tashmë janë dënuar me dënim kapital.

Mohammad Boroghani, u arrestua në shtator me akuzën se ishte një nga drejtuesit e revoltës dhe më pas u gjykua për krimin e “luftës kundër Zotit”. Dënim i dyfishtë me vdekje për protestuesin 18-vjeçar, i arrestuar gjatë protestave dhe i cili nuk pati mundësi të mbrohej nga një avokat.

Më 8 dhjetor, autoritetet varën protestuesin Mohsen Shekari, pas një gjyqi tejet të padrejtë me akuzën e “armiqësisë kundër Zotit”. 4 ditë më vonë të njëjtin fat pati edhe Majidreza Rahanvard, pas një gjyqi show ndaj tij. Më 7 janar ndodhën ekzekutimet e Mohammad Mehdi Karami dhe Seyed Mohammad Hosseini.

Televizioni shtetëror transmetoi “rrëfimet” e detyruara të të paktën 9 të pandehurve përpara se të zhvillohej gjyqi. Sipas Amnesty International, 525 protestues, duke përfshirë 71 fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 19 mijë njerëz janë arrestuar që nga shtatori.

Lufta nuk ndalet

Pavarësisht represionit, pavarësisht se frekuenca e protestave është ulur, demonstratat vazhdojnë. Gratë luftojnë kundër një regjimi që ushtron shtypje të dyfishtë: politike dhe gjinore. Dhe ato e bëjnë këtë duke hequr mbulesat e tyre në funeralet e shokëve të tyre të vrarë, duke rrezikuar jetën e tyre, ose duke prerë flokët e tyre. Ky është një gjest i huazuar nga një zakoni kurd që e bëjnë gratë që privojnë veten nga feminiliteti i tyre si një shenjë zie. Të rinjtë nuk kanë frikë nga Ajatollahu. Dhe ka shumë të rinj në Iran. Mosha mesatare është 27 vjeç.

Detyrimi për të veshur mbulesë është kthyer në një simbol të represionit femëror. Në realitet është vetëm një nga çështjet që lind në shumicën e vendeve ku feja përdoret nga regjimet teokratike për të kontrolluar popullsinë, veçanërisht atë femërore. Në Islam, sheriati është gurthemeli mbi të cilin bazohet edhe diskriminimi. Një instrument i kontrollit të drejtpërdrejtë është policia morale. Ajo iraniane ka fituar famë ndërkombëtare, por nuk është e vetmja polici fetare islame në botë e akuzuar për keqtrajtim të qytetarëve.

Vende të tjera në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore ka policë të përkushtuar që monitorojnë të ashtuquajturat aktivitete jo-islame. Në Indonezi, për shembull, Wilayatul Hisbah ka juridiksion mbi myslimanët vetëm në provincën gjysmë autonome të Aceh që nga viti 2001. Këtu, ashtu si në Iran, gratë duhet të mbajnë veshje të gjera dhe shami. Dhe, teksa shkelja e kodit të veshjes mund të mos çojnë në paraburgim siç ndodh në Iran, shkelje të tjera të ligjit islam, duke filluar me tradhtinë bashkëshortore, çojnë rregullisht në burgim ose fshikullim publik.

Gratë dhe nënat egjiptiane

Në Egjipt ka shumë vajza të arrestuara dhe/ose të dënuara me gjoba për publikimin e imazheve të konsideruara të papërshtatshme në rrjetet sociale. Nga njëra anë, lëvizja feministe egjiptiane duket se po bën përparime të mëdha, me gratë e reja që shpikin forma të reja aktivizmi për të tërhequr vëmendjen ndaj dhunës seksuale endemike që i mundon ato si në shtëpitë e tyre ashtu edhe në rrugë, por në vitin 2021 qeveria e Egjiptit miratoi një projekt-ligj për statusin personal që do u kërkonte grave të merrnin pëlqimin e një kujdestari mashkull për t’u martuar, për të regjistruar lindjen e një fëmijë ose udhëtim jashtë vendit. Një projektligj që gjithashtu u jep përparësi baballarëve në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve (aktualisht përparësi u jepet nënave).

Talibanët kanë frikë nga gratë e arsimuara

Nëse e zgjerojmë horizontin e vëzhgimit në parametra të tjerë, duke përfshirë arsimin dhe drejtësinë, sipas Indeksit të Paqes dhe Sigurisë së Grave (WPS Index), vendi më i keq në botë për të qenë grua është Afganistani.

Një vend ku gratë, pavarësisht se rrezikojnë turpërimin, gjuajtjen me gurë, arrestimin dhe torturën, kanë protestuar që nga 15 gushti 2021, data e kthimit të talebanëve në pushtet pas marrëveshjeve të Dohas të nënshkruara nga administrata amerikane e Donald Trump. Ndërmjet viteve 2001 dhe 2018, gjatë periudhës së pushtimit nga forcat ndërkombëtare, numri i grave me arsim të lartë ishte rritur pothuajse 20-fish dhe 1 në 3 të reja ishte regjistruar në universitet.

E pra, që nga shtatori 2021, kthimi në shkollë për të gjithë adoleshentët dhe vajzat afgane mbi moshën 12 vjeç është shtyrë për një kohë të pacaktuar, duke lënë 1.1 milion gra të reja pa akses në arsimin formal. Aktualisht, sipas UNESCO-s, 80% e vajzave të reja afgane të moshës shkollore (2.5 milionë njerëz) nuk shkojnë në shkollë. Gati 30% e vajzave në Afganistan nuk kanë ndjekur kurrë arsimin fillor.
Universiteti i ndaluar

Pavarësisht kësaj, mijëra njerëz morën kankorin, provimin pranues në universitet, në nëntor. Por më 20 dhjetor, talebanët – duke shpërfillur premtimet e bëra në Doha – ndaluan regjistrimin e grave në universitete dhe privuan mbi 100 mijë studente femra nga mundësia për të përfunduar studimet e tyre.
Është e lehtë të kuptosh pse që kur talebanët u kthyen në pushtet, përqindja e grave mbi 15 vjeç që ndihen të sigurta në komunitetin e tyre është ulur nga 35.5% në 9.8%.

Megjithatë ato nuk u mbyllën në shtëpi. Pas 20 dhjetorit, dhjetëra vajza u kthyen në sheshet e Kabulit dhe Nangaharit, për të demonstruar përbuzjen e tyre për mjekrat e zeza dhe për të kërkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar. Ky 8 Mars u kushtohet grave iraniane dhe afgane dhe vajzave të minoritetit kurd Yazidi, të përdhunuara dhe vrarë nga kasapët e ISIS. ©Marrë nga Corriere Della Sera, përshtati në shqip LAPSI.al



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *