• |
ide | kryesore

“I puth në ballë, i qeras me bakllava e largohem”: Shensoi spektakël në konferencë, Hallaçi “frikë” nga shtëpia

-Instant, Sport
Shensoi



“Ne bëjmë lojën, kundërshtarët fitojnë. Lojtarët nuk marrin përgjegjësi. E anulova pushimin, duhet të flasin hapur ku është problemi. Nëse jam unë largohem, se nuk kam ardhur këtu për karrierë. Nëse s’janë të kënaqur me mua i puth në ballë dhe i qeras me bakllava nga Stambolli dhe largohem”. Naxhi Shensoi nuk ndalet në konferencën për shtyp pas humbjes 2-0 me Kukësin. Tekniku i Bylis nuk i kapërcen dot pyetjet që e ngacmojnë për të ardhmen në pankinë. Kosovaro-turku i tregon qartë të gjithë atyre që mendojnë shkarkimin e tij se mendon vetëm për të mirën e ekipit. Referenca është për drejtuesit, edhe pse ishte vetë Kapllanaj që e thirri në krye të skuadrës. Bylis është në pozita të vështira dhe kur e pranoi Shensoi e kishte të qartë situatën. Ndaj ndoshta luan edhe më karta të hapura: “Mungon profesionalizmi dhe përgjegjësia. Kundërshtari luan mirë aq sa e lejon ti, ne nuk e lejuam pjesën e parë. Por në pjesën e dytë e lejuam, nuk kisha çfarë të bëja unë. Nuk është vetëm kjo me Kukësin, por janë 3 radhazi”.

Lexo më tej:Video/ Ndreca e Taipi dënojnë Bylis: Kukësi i Hallaçit fitorja e shtatë në 10 ndeshjet e fundit

Shensoi e bën të qartë, edhe pse në fakt ngjan si një sinjal lamtumire: “S’kam ardhur për të investuar për veten. Unë dua të transformoj djemtë – tha tekniku -. Unë jam i sinqertë, nëse s’më duan të ma thonë. Por nëse po punoj mirë, le të flasin. Askush nuk do bëjë pushim se na pret ndeshja me Tiranën. Kapiteni nuk është i fiksuar, do e fiksojmë më vonë, kemi lojtarë si Maçolli, Ruçi, Teqja. Kapiteni është si gjysmë trajneri”, e mbylli Shensoi.

HALLAÇI E STRATEGJIA QË I “MËSOI” TIRANA

“Fitorja të jep qetësinë e duhur. Por duke e ditur gjithmonë që skuadrat janë të ngjeshura duhet të bëjmë kujdes e të marrim sa më shumë pikë. Në fillimin e analizës i thashë ekipit që të jemi të kujdesshëm e të mos bëjmë presion lart. Ndoshta u çuditën, por u thashë që duhet të presim kundërshtarin. I kujtova ndeshjen me Tiranën, kur ishim në fushën tonë dhe rrezikonim të na merrte vrulli. Kundërshtari ishti i rrezikshëm dhe ka lojtarë të shpejtë që mund të na ndëshkonin”. Rrahman Hallaçi është i kënaqur nga rezultati që i dha strategjia e ndryshuar. Një taktikë ja shumë e zakonshme për ndeshjet në shtëpi, sidomos kur luan kundër skuadrave inferiore. Por për sa kohë gjërat shkojnë sipas parashikimeve është e drejtë ta provojë. “Skuadra bëri detyrat që kërkova – vazhdoi Hallaçi -. Edhe në pushim i komunikova që ekipi po bënte mirë dhe vazhduam njësoj, duke shënuar edhe golat. Jam i kënaqur me mbrojtësit, mesfushorët, anësorët që po bëjnë gjërat që kërkoj. Shpresoj të mbajmë këtë ritëm e ecim përpara. Më pëlqen forma e kapitenit, i cili po tregon në ndeshje e stërvitje që është një kapiten lider”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *