• |
ide | kryesore

Investigimi/ Si u kthye Ekuadori në bazën e narko-trafikantëve shqiptarë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Ekuadori



Gjatë dekadës së fundit, Ekuadori është kthyer nga një vend tranzit, në një vend transportues drọge. Ky ndryshim, sipas analistëve është nxitur kryesisht nga reformat e dështuara, mungesa e politikëbërjes, korrupsioni institucional dhe braktisja që shteti u ka bërë disa sferave të jetës publike.

Dinamika e re e trafikut të drogës, nën komandën e grupeve të krimit të organizuar meksikan dhe shqiptar, e ka ngjitur vendin e Andeve të tretin me numrin më të lartë të konfiskimeve të kokainës në mbarë botën. Europa është destinacioni kryesor i pluhurit të bardhë. Kjo situatë ka sjellë një valë dhune të paprecedentë. Ajo ka ndikuar në jetën e përditshme të ekuadorianëve dhe ka çuar në një eksod masiv të njerëzve që ikin në veri të kontinentit.

“Gjatë dekadës së fundit ka pasur ndryshim në modelin e veprimtarisë kriminale. Një “bum” në prodhimin e gjetheve të kokës në Kolumbi i kanë dhënë Ekuadorit një rol më të madh në këtë zinxhir furnizimi me drogë. Tani ai ka shtuar angazhimin në prodhimin, rafinimin, ruajtjen dhe transportin e drogës”, – shpjegon Glaeldys González, anëtar i Grupit të Krizave, i specializuar për vendet e Ekuadorit, Perusë dhe Bolivisë.

Krahasuar me 82 tonë kokainë të kapur në vitin 2019, Ekuadori ka pasur konfiskime rekord të drogës gjatë 3 viteve të fundit. 128 tonë në 2020, 210 tonë në 2021 dhe 175 tonë në 2022. Shifrat e vendosin vendin pas Kolumbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Rruga e trafikut nga Ekuadori ndryshoi destinacionet e drogës të vendosur në vitet 2019-2020. Para atyre viteve, thonë ekspertët, llogaritet se 60 deri në 70% e kokainës shkonte në Amerikën Qendrore ose në Shtetet e Bashkuara. Pjesa tjetër shkonte në Evropë dhe vende të tjera.

“Tani, vetëm 30% e drogës që largohet nga Ekuadori shkon në Shtetet e Bashkuara. 60 dhe 70% e saj shkon në Evropë, kryesisht Belgjikë dhe Holandë,” – thotë González. 

“Është një fenomen shumë kompleks që ka të bëjë edhe me faktin se shteti është dobësuar shumë. Flas për institucionet e viteve të fundit, drejtësinë, vetë qeverinë me policinë dhe ushtrinë” – thotë Arturo Torres, gazetar ekuadorian i specializuar në trafikun e drogës dhe krimin e organizuar.

Zinxhiri i furnizimit mbetet ende nën komandën e karteleve hegjemoniste botërore si karteli meksikan i Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación, por edhe karteli shqiptar i Ballkanit. Këto grupe nënkontraktojnë bandat lokale si në Kolumbi ashtu edhe në Ekuador për transferimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e drogës.

Por mosmarrëveshjet kanë çuar në ngjarje të përgjakshme midis bandave mbi territoret. Kjo ka shkaktuar një krizë të paprecedentë dhune në vend. Sipas të dhënave nga Policia Kombëtare, viti i kaluar u mbyll si më vdekjeprurës në historinë e Ekuadorit. Kishte mbi 4450 vrasje, pothuajse dyfishi i 2464 të regjistruara në 2021 dhe trefishi i 1362 në 2020. Me një normë prej 25.3 vdekje për 100 mijë banorë, Ekuadori bëhet vendi i 6-të më i dhunshëm.

Si ndikoi korrupsioni në këtë situatë

Rreth viteve 1990, për shkak të pozicionit të tij gjeografik, Ekuadori u identifikua si një vend tranzit për gjethet e kokës të prodhuara në Peru dhe të trafikuara në Kolumbi. Ngjarja që turbulloi ujërat u shënua në vitin 2000, kur qeveria e Presidentit të atëhershëm Jamil Mahuad e transformoi vendin në një ekonomi të dollarizuar në përpjekje për të përballuar një krizë të thellë financiare që kishte zhvlerësuar plotësisht monedhën vendase.

Por adoptimi i dollarit si monedhë vendase lehtësoi, nga njëra anë, edhe pastrimin e parave. Bizneset e tjera të paligjshme në vend nisën të marrin formë në fillim në heshtje, por më pas u vunë në dukje. Nga ana tjetër situata ekonomike u rëndua edhe më tej. Të varfrit u varfëruan edhe më tepër ndërsa të pasurit grumbulluan më shumë para.

Ndryshimet në dinamikën kriminale morën vrull pasi Rafael Correa mori detyrën në vitin 2007. Qeveria e tij i dha fund funksionimit të bazës detare të SHBA-së në Manta. Më pas qeveria vendosi të ndërpresë bashkëpunimin kundër drogës me Kolumbinë dhe Shtetet e Bashkuara. Shpërbërja e shërbimeve të inteligjencës dhe shkëputja me këto vende e lanë Ekuadorin me shumë pika qorre, duke u lënë vendin trafikantëve të drogës. Disa vendime të përshkuara si akte korrupsioni zbuluan edhe përfshirjen e zyrtarëve të lidhur me bandat kriminale.

Në të njëjtën kohë, një ngjarje tjetër vendimtare ishte hyrja në fuqi e “shtetësisë universale”. Ajo lejonte çdo person të huaj të hynte në vend pa pasur nevojë për kontroll të së kaluarës së tij. Kjo lehtësonte të hynin në vend njerëz që ishin marrë me të gjitha aktivitetet kriminale, nga armët tek droga.

“Kanë mbërritur në vend përfaqësues apo persona të lidhur me kartelin Sinaloa(…) por që nga ajo kohë kanë ardhur vazhdimisht njerëz nga vende të ndryshme, përfshirë edhe ato të Ballkanit, ku në krye janë shqiptarët”, – thotë gazetari. Sipas tij, shqiptarët janë vendosur të qetë në vend dhe kanë ndihmuar në konsolidimin e Ekuadorit në rrugën e trafikimit të drogës, veçanërisht në Evropë.

“Kjo nuk u monitorua nga afër në atë kohë. Ajo që bëri qeveria ishte mbajtja nën mbikëqyrje e trafikut të brendshëm dhe jo trafikut ndërkombëtar të drogës. Problemi ishte absolutisht i nënvlerësuar që në fillim” – thotë ai. Sipas Torres, grupet e trafikut të drogës kanë përfituar nga kjo për t’u pozicionuar në vend dhe për të krijuar kompani të të gjitha llojeve për të dërguar me anë të rrugëve detare ngarkesa të mëdha me kokainë.

Dobësimi i kontrolleve ka lënë mënjanë edhe monitorimin e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) që vepronin në kufi, dhe që ishin të lidhura me trafikun e drogës. Në vitin 2016, disidentët e ish-gueriljeve kolumbianë të cilët nuk e pranuan marrëveshjen e paqes, u përfshinë më drejtpërdrejt me bandat e trafikut të drogës. Grupi “Oliver Sinisterra Front” kontribuoi në këtë dinamikë kriminale.

Në të njëjtin vit pati hyrjen e tij edhe karteli “Jalisco Nueva Generación”, i cili, si ai i Sinaloas dhe Ballkanit, filloi të vepronte me bandat lokale.
Rajonet e Sucumbíos, Carchi dhe Esmeraldas, në kufi me Kolumbinë, u konsoliduan si pika hyrëse për drogën kolumbiane në Ekuador. Nga aty dërgohej në bregdet për t’u nisur në vende të tjera.

“Në atë kohë do të shiheshin më shumë laboratorë në vend. Aty përpunohet pasta e kokës. Ndërkohë pati më shumë prani të grupeve kriminale lokale në atë zinxhir trafiku” – thotë specialisti i Grupit të Krizave. Sipas Torres, faktori i korrupsionit institucional ishte thelbësor në mënyrë që e gjithë kjo të zhvillohej pa shumë pengesa dhe që droga të kalonte kontrollet dhe filtrat për daljen nga vendi.

Tashmë kriza e sigurisë

Ndarja e bandave dhe mosmarrëveshjet territoriale, me zgjerimin e trafikut të drogës në Ekuador, kanë gjeneruar një valë dhune historike vitet e fundit.
Bandat më të fuqishme në vend janë “Los Choneros”, të cilët punojnë për kartelin Sinaloa dhe Los Lobos. Ato janë të lidhura më kartelin Jalisco Nueva Generación. Por disidentë nga ato grupe që kanë formuar qeliza më të vogla krimi. Chone Killers dhe Tiguerones punojnë për shqiptarët. Në fakt ato ofrojnë shërbime të ndryshme pavarësisht se për cilin kartel punojnë.

Disa prej këtyre bandave të vogla janë të përfshira edhe në krime të tjera kundër popullsisë si zhvatje, grabitje dhe rrëmbime.
Vala e dhunës u intensifikua pas ndërrimit të qeverisë në 2018, me arrestimin e disa drejtuesve të bandave lokale dhe rifillimin e bashkëpunimit kundër drogës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liderët kryesorë të kartelit lokal edhe pse në burg kontrollojnë vetë kartelet. Dhuna u zhvendos nga burgjet në rrugë, me një sërë ngjarjesh të dhunshme që kërcënonin jetën e përditshme. Bomba në makina, shpërthime, prerje koke me njerëz të armatosur kudo.

“Kjo dhunë po përhapet në zona të tjera të vendit, si në Quito, ku trazirat kanë përfshirë tani edhe burgun El Inca. Që nga nëntori i vitit të kaluar janë 3 revolta të tilla”, – nënvizon González. “Ne shohim një rritje të dhunës me armë. Aktualisht 80% e vdekjeve të dhunshme janë nga armët, pavarësisht se përdorimi i tyre është i ndaluar këtu” – thotë Torres.

Për shumë sektorë kjo duket si një rrugë pa krye në mungesë të alternativave nga shteti. Ardhja e pandemisë në vitin 2020 ka goditur ekonomikisht shtresat sociale më të varfra. Veçanërisht në zonat kufitare rurale dhe të margjinalizuara ku droga kalonte. Përfshirja në krimin e organizuar ishte një arsye mbijetese për shumë njerëz në ato komunitete.

“Në ato zona kufitare ka 60% të njerëzve nën kufirin e varfërisë. Këta njerëz e panë çështjen e trafikut të drogës, njëlloj si trafikun e karburanteve apo trafikun e armëve, një burim të ardhurash”, – nënvizon Torres.

Ngritja në pushtet e presidentit Guillermo Lasso në vitin 2021 hapi një luftë më të drejtpërdrejtë me grupet e krimit të organizuar. Megjithatë, në këtë skenar, përballja me krizën është një sfidë afatgjatë.

Masat e para të shpallura prej tij ishin krijimi i Ministrisë së Brendshme dhe një Sekretar i Sigurisë Publike dhe Shtetërore për të koordinuar përpjekjet për të luftuar krimin në Ekuador.

Kjo e fundit ka për mision të hartojë një plan për të adresuar dështimet institucionale në fushën e sigurisë dhe të vlerësojë veprimet në këtë drejtim në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, një plan i tillë nuk është bërë i ditur deri më tani.

Masa tjetër e përdorur ka qenë vendosja e një sërë gjendjesh të jashtëzakonshme gjatë vitit të kaluar. Ato ndonëse kanë ndihmuar në reduktimin e krimeve të tilla si grabitja apo rrëmbimi, kanë bërë pak për të frenuar numrin e vdekjeve të dhunshme.

“Ekuador ishte laboratori”

Dinamika e re kriminale në Ekuador ka ndryshuar edhe destinacionet e trafikut të drogës. Kjo e nxitur edhe nga operacionet e shqiptarëve. Kërkesa në Evropë ka gjeneruar fitime më të mira për grupet kriminale sesa kërkesa në Shtetet e Bashkuara.

“Pak a shumë, 1 kilogram kokainë nga Ekuadori, le të themi se mund të kushtojë 1500 ose 1700 dollarë. Kur arrin në Evropë ajo kushton 28 mijë, 35 mijë apo 40 mijë dollarë. Ndërsa në SHBA mund të kushtojë rreth 20 mijë dollarë ose ndoshta pak më pak. Prandaj kërkesa jo vetëm është rritur në Evropë, por edhe fitimi është shumë më i mirë”, thotë ai.

Kërkesa ka ndryshuar gjithashtu në Amerikën Latine. Tani Kili është marrësi kryesor i kokainës. Dhjetorin e kaluar, qeveria Lasso nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e presidentit të ri kolumbian, Gustavo Petro, për të rivendosur kontrollet kufitare. Plani duhet të rishikohet në këto javë dhe të prezantohet muajin e ardhshëm.

Përveç kësaj, sipas Torres, pritet të instalohen skanerë në portet e vendit në mars për të ekzaminuar dërgesat dhe për të zbuluar në kohë drogën.
Teksa përpiqet të frenojë situatën, ajo që mund të thuhet është se Ekuadori po luan një rol kyç në çështjen se si operojnë kompanitë transnacionale të trafikut të drogës dhe çfarë potenciali kanë ato për të përsëritur këtë model në vende të tjera dhe për të zgjeruar më tej tregun.

“Ekuadori është laboratori tani për tani se si funksionon krimi i organizuar, si mund të funksionojë krimi i organizuar në dimensionet e tij të ndryshme dhe kjo mund të përsëritet në vendet e tjera të rajonit, në afat të mesëm ose afatgjatë. Besoj se kjo do të ndodhë” – përfundon Torres. ©Marrë nga ADUC, përshtati në shqip LAPSI.al



1 Comment

  1. Po si zoteria qe dhe interviste te Fevziu, qe kishte emigruar ne nje vend Americano Latin dhe qe u takua me KM, ć´ishte valle¿¿¿

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *