• |
ide | kryesore

Kurti mbërrin në Ohër: Jam gati për marrëveshje me Vuçiç

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Kurti UÇK Kosovës



Kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Ohër, aty ku do të mbahet takimi i dytë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarët e BE-së. Ai është shprehur optimist se marrëveshja do të arrihet.

“Jam i interesuar për një marrëveshje, po shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe besimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. S’mund të ketë kapitullim të Serbisë në Ohër, pasi që kjo ka ndodhur tashmë në Kumanovë më 9 korrik, 1999”, – ka thënë Kryeministri Kurti për televizionin Alsat.

Kurti, gjithashtu ka komentuar edhe deklaratat pesimiste të presidentit serb, Vuçiç se nuk shkon për otë firmosur diçka në Ohër.

“Dëgjova deklaratat se çdo marrëveshje në Ohër është e refuzuar apriori. Nuk mendoj se kjo është një qasje konstruktive. Unë nuk them që nëse nuk ka nënshkrim, atëherë kemi nënshkruar një mosmarrëveshje, por nuk mund të them që edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje e njëmendtë.

E përsëris se do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe se do të shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë, por sigurisht që nuk mund t’ia garantoj marrëveshjen palës tjetër”, – theksoi Albin Kurti.

Krerët e Kosovës dhe Serbisë takohen nesër me ndërmjetësimin e BE-së. I pranishëm do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit. Escobar u takua sot me krerët shtetërorë të Kosovës dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes dy vendeve. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *