Pak vite më parë, Edi Rama mburrej me nënshtrimin e punëtorëve shqiptarë. Deklarata mes disa biznesmenëve italianë, të cilët kryeministri i joshte publikisht që të përfitonin nga mungesa e sindikatave për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës në Shqipëri ishte flagrante.
Kur Rama e bëri këtë deklaratë ishte viti 2015. Ai sapo pati marrë pushtetin, ndërsa ikja e dytë më e madhe e shqiptarëve që pas viteve 90, sapo kishte nisur.
Janë qindra mijëra familje që kanë braktisur vendin vitet e fundit përmes azilit, rrugëve të paligjshme të emigrimit apo përmes programeve të punës jashtë. Opozita thotë që janë mbi 900 mijë të larguar që nga viti 2013. Mazhoranca e shmang këtë temë. Në një intervistë në vitin 2019, deputeti i PS, Erjon Braçe tha se: “Nga 2013 unë besoj që mund të jenë gjysmë milioni njerëz që mund të jenë larguar….”.
Nuk ka ende një shifër të saktë të të larguarve, por tashmë disa fshatra janë braktisur totalisht, në disa qytete banorët janë rralluar ndjeshëm, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa është që është gjithnjë e më e vështirë të gjesh punëtorë, hidraulikë, elektriçistë, mjekë etj.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit të vitit 2021, Rama pati një qasje cinike ndaj këtij fenomeni. Pronarit të fabrikës në Shkodër, që ankohej se nuk gjente punëtorë, kryeministri i dha një përgjigje që tregonte mungesë reflektimi.
“Kanë filluar të marrin edhe të tjerët, punëtorë të huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, India. I ke pronto, nuk dinë as shqip të merren me thashetheme. Kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet. U hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria. Janë punë, punë dhe nuk ka llafe” tha ai.
Siç e kishte parashikuar vetë, “iu hodhën në fyt” për këtë deklaratë, por pavarësisht kësaj, ai i fitoi një mandat të tretë, ndërsa ikja e shqiptarëve jashtë vendit nuk u ndal.
Në prag të zgjedhjeve lokale, Rama duket se ka ndryshuar retorikë. Nuk flet më me përçmim për punëtorët shqiptarë, por duket se i justifikon për largimin nga vendi.
E bëri këtë në një takim me biznesmenë, të cilëve u prezantoi vendimin e qeverisë për të rritur pagën minimale në 40 mijë lekë të reja.
Me 5 mijë lekët shtesë në dorë, kryeministri u soll me biznesmenët si të ishte sindikalist. U kërkoi t’i vlerësojnë punëtorët, duke përdorur anekdotën e atij që kishte mësuar gomarin të mos hante më.
“Vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes duke bërë atë që bëri ai që tha në fund: Sapo e mësova gomarin, pa ngrënë më ngordhi. Ujku ka filluar që t’ju hajë, është thjesht në procesin që po e sheh si t’ju sistemojë në pjatë. Po e latë veten tek pjata, ka mbaruar kjo lojë” u tha sot Rama biznesmenëve.
Pas kësaj u tha se punëtorët po largohen nga vendi, ndaj po vjen dita që ata të jenë më të rëndësishëm se të mirat materiale.
“Punonjësi është gjëja më e rëndësishme. Është më i rëndësishëm se vetura e re, jahti, vila tjetër në det. Nuk ekziston në sektorin e ndërtimit pagë minimale 40 mijë lekë të reja, janë gënjeshtra. Nuk do ta kenë të ardhmen të sigurtë sepse do të mbeten pa punëtorë” u shpreh ai.
Retorika e Ramës ka ndryshuar katërcipërisht. Rama nuk mburret më për mungesën e sindikatave, as nuk i këshillon biznesmenët të marrin bangladeshas, indianë e pakistanezë, por po u kërkon të rrisin rrogat. Por a është i sinqertë kreu i qeverisë në ato që thotë?
Kuptohet se shqiptarët nuk ikin për 5 mijë lekët që u shtoi qeveria në pagën minimale. Nuk ikin vetëm për mungesën e parave, por edhe për shkak të korrupsionit, për problemet në sistemin shëndetësor, për nivelin e ulët të mësimdhënies, për çmimet e larta, taksat e rënduara, diferencimin e ligjit apo për shkak të mungesës së sigurisë.
Por reflektim për këto dhe të tjera nuk ka. Ndaj solidariteti i Ramës me punëtorët ngjan më shumë me aktrimet boshe në prag të fushatës, që sapo ka filluar për zgjedhjet e 14 Maji./Lapsi.al