• |
ide | kryesore

“Kasapi fitoi mishin, bagëtia ka të drejtë të jetojë”: Shensoi thumbon Shehin pas barazimit në shtesë

-Instant, Sport
Shensoi



“Kasapi jeton për të pasur mish, por bagëtia do të jetojë. Edhe kasapi fitoi mishin sot, edhe bagëtia ka të drejtë të jetojë. Do të ishim të kënaqur më shumë që si bagëti të merrnim tre pikë dhe të vazhdonim të jetonim dhe kasapi të mbetej pa mish. Por fati e ndihmoi Tiranën. E merituam plotësisht trepikëshin”. Naxhi Shensoi vazhdon të zgjedhë fraza të cuditshme për t’i përshtatur në futboll. Kosovaro-turku ka shkuar rëndë me fjalët pas 1-1 me Tiranën, që shpëtoi nga humbja vetëm në fund, me një autogol të Bylis: “Po të vinin skautë të shihnin ndeshjen sot, nuk do ta besonin se kush lufton për vendin e parë dhe kush për mbijetesë. Sidomos në pjesën e parë kemi dominuar totalisht. Vetëm një goditje kishte Tirana nga 22 metra dhe e ndali Teqja, ndërsa ne kishim mundësi për të paktën 3-4 gola”.

Lexo më tej: Ish-mbrojtësi i Partizanit shpëton Tiranën: Damchevski shënon në portën e tij në shtesë, 1-1 me Bylis

Shensoi ka patur sërish rezerva në lidhje me arbitrimin: “Ishte një faull ndaj Eskerdinjës e nuk u pa në VAR. Të ishte kundër do ia jepnin 100% Tiranës penallti. Në çdo vend të botës ky është faull, por edhe Ena Jorgji si arbitër i FIFA-s ka të drejtë të bëjë gabime, edhe lojtarët e trajnerët” e mbylli Shensoi.

SHEHI: AQ KEQ SA ISHIM E MERITONIM TË NDËSHKOHESHIM

“Pjesa e parë është për t’u harruar dhe meritonim të pësonim ndonjë gol për mënyrën se si u vendosëm. I dhamë mundësinë të na rrezikonin, por e dyta ishte plotësisht në kontrollin tonë”. Orges Shehi nuk kërkon alibi pas ndalesës në Ballsh, por mundohet të motivojë të tijtë. Pjesa e parë nuk i ka pëlqyer fare teknikut, që pa të tijtë të dalin 1-1 nga Ballshi. Golit të Esquerdinha iu përgjigj autogoli i Damchevski, në një pjesë të dytë, ku Tirana u duk se i kishte marrë masat. “Pësuam gol me goditje standarte, por pastaj ushtruam presion me çdo mënyrë. Arritëm të shënonim e kishim raste – tha Shehi -. Por i tillë është futbolli. Me atë që dhamë në pjesën e parë dhe të dytën, nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën”.

Shehi mundohet të ngrejë në këmbë bardheblutë, dukshëm të demoralizuar pas 1-1 me Bylis: “Nuk ka arsye të mërzitemi dhe qajmë çfarë ndodhi, se 10 javë janë. Duhet të përmirësohemi në detaje që të mos pësojmë gola të lehtë. Me këtë kontingjent që kemi, pa Patrik, shpresojmë që të na vijë në formë Abazaj, por duhet të fillojmë të luajmë që nga poshtë. Nëse nuk e bëjmë, kemi vështirësi si në pjesën e parë me dy qendrat tona”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *