• |
ide | kryesore

“Ja bëmë punën të thjeshtë Laçit me gabimet tona”: Josa nervoz me lojtarët, Mezani luajti “sipas kundërshtarit”

-Instant, Sport
Josa



“20 minutat e para po kontrolloheshim, nuk patëm probleme. Ne ja bëmë punën e thjeshtë Laçit me gabimet tona. Duhet të ishim më agresivë në fushë”. Mirel Josa është shfaqur nervoz pas humbjes 2-0 në Laç, që e largon Vllazninë nga kreu i renditjes. Tekniku i shkodranëve pranon limitet e skuadrës së tij. Josa gjithnjë flet për gjëra që duhen përmirësuar, por vazhdimësia mbetet një makth. “Ne kemi probleme me vazhdimësinë. Duhet të jemi më seriozë, duhet të arrijmë objektivat. Kemi gabime individuale, u bënë ndryshime pjesën e dytë. Nuk dua asnjë lloj justifikimi. Ka shumë mënyrë për të rregulluar këto probleme”.

Lexo më tej: Video/ Guindo fut në telashe Josën: nuk fitonte në shtëpi prej 4 javësh, Laçi likuidon 2-0 Vllazninë

Josa pastaj i del në krah Gurishtës, që duke luajtur në qendër vuajti shumë fizicitetin dhe zhdërvjelltësinë e Guindo: “Nuk mund të them se ka ardhur fundi i misionit të Gurishtës. Kundërshtari të sulmon – tha Josa -. Problemi ishte që ne bëmë gabime individuale. Na ndikoi psikologjikisht dhe në fushë. Gurishta di ta bëjë mirë punën, nuk kishte mënyrë për të vepruar”.

MEZANI: OBJEKTIV KEMI EUROPËN

“I kënaqur pa diskutim se morëm tre pikë pas shumë rezultateve negative. Kjo i bën mirë skuadrës. Ajo që më pëlqeu më shumë ishte disiplina që treguan në fushë dhe dëshira që treguan në këtë ndeshje. Padyshim edhe tre pikët se në pozicionin që jemi, nuk na falet asnjë hap fals”. Gentian Mezani mund të marrë frymë, pas fitores 2-0 me Vllazninë. Tekniku vazhdon të mendojë për Europën, por me daljen nga Kupa gjërat janë vështirësuar. “Eliminimi nga kupa, duke ditur që objektiv kemi Europën, është padiskutim një goditje për ne. Ishim përgatitur për të shkuar më tej. Por gjithsesi mendoj se skuadra në ditët më pas, reagoi mirë. Më shumë ishte mendoj një ngërç psikologjik. I kemi analizuar gjërat gjatë javës. Kemi folur së bashku të gjithë dhe shpresoj që të mos jetë vetëm një trepikësh, por të ketë vazhdimësi”.

Tekniku i kurbinasve shpreson tani te pauza e kampionatit që do ti japë mundësinë të rikuperojë në aspektin fizik. Mezani e ka të qartë mënyrën si do të funksionojë nga tani e tutje: “Çdo ndeshje do interpretohet sipas kundërshtarit se kjo iku. Në këtë kampionat kemi shfaqur shumë herë karakterin që neglizhojmë, jemi neglizhentë. Dua të flas me çunat që të kemi vazhdimësi. T’i marrim ndeshjet një nga një se mendoj se ka pikë shumë dhe skuadrat janë aty-aty. Me këta djem duhet të flas shumë se kalojnë shumë shpjet në eufori”, tha Mezani.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *