• |
ide | kryesore

Video/ Partizani poker Kastriotit për kreun e renditjes: çfarë goli Mba

-Instant, F1, Sport, Video
Partizani



Ndalesa e Tiranës ishte një asist që nuk mund të cohej dëm. Mesazh i kuptuar dhe aplikuar në fushë nga Partizani, që likuidoi Kastriotin me një 4-1 që nuk lë asnjë dyshim. Të besuarit e Colella nuk gabojnë me të fundit të renditjes dhe arrijnë vendin e parë, në shoqërinë e pakëndshme të bardhebluve. Cara hapi serinë e golave, pastaj Matondo e Selmani siguruan rezultatin. Shpresa e Mihanës, që shënoi golin e vetëm për krutanët, u shua nga super goli i Mba. Shpejtësi, forcë e qetësi për të shmangur portierin e mbrojtësin pas 50 metrash vrap.

Të kuqtë marrin tashmë kryesimin e Superiores, bashkë me Tiranën në kuotën e 44 pikëve, pas javës së 26. 4-1 ndaj Kastriotit ishte rezultati i katërt pozitiv radhazi për teknikun Colella, që vazhdon përpara pa u ndalur, që nga derbi i fituar me Tiranën. Sinjale pozitive për italianin, që pa të shënojnë të tre lojtarët e linjës ofensive. Partizani nuk kishte fiuar kurrë këtë sezon me Kastriotin që kishte siguruar dy barazime në dy ndeshjet e mëparshme.

Ekuilibri, edhe në raste madje, mbizotëroi rreth gjysmë ore lojë. Krutanët e rrezikuan jo pak portën e Rexhepit, ndërsa Sali u desh të mbrohej nga tentativat e Selmanit e Atanaskoskit. Situata ndryshoi kur Cara zhbllokoi ndeshjen, duke arritur i pari në topin e grushtuar nga Sali, në goditjen e fuqishme të Rrapajt. 1-0 në minutën e 35 dhe lojtarët u zgjidhën nga taktikat.

Pesë minuta më pas Matondo siluroi nga jashtë zonës, duke dyfishuar rezultatin. Kastrioti reagoi, duke u rifutur në lojë me golin e Mihanës në minutën e 44. Por përpara se skuadrat të shkonin në pushim, Selmani bëri tris. Goli i parë i tij me fanellën e të kuqve, që e veshi në janar.

MBA, GOL PËR MANUAL

E dyta ishte akademi e pastër. Partizani administroi, ndërsa Kastrioti ishte më ngulmues, por jo i qartë. Shumë gabime, pak vertikalizime e asnjë gol. Kështu, Partizani shfrytëzoi kundërsulmin për të gjetur pokerin. Topi i gjatë për Mba, që përdori gjithë aftësitë e tij fizike e teknike për të bërë 4-1 që i kthen të kuqtë në vendin e parë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *