• |
ide | kryesore

Kundërshtoi luftën në Ukrainë, zyrtari rus dënohet me 7 vite burg

-Instant, Lajme, Planet



Një oficer rus i sigurisë, i cili u largua nga vendi i tij për shkak se kundërshtoi pushtimin rus të Ukrainës, është dënuar me 6.5 vjet në një burg të sigurisë së lartë.

Mikhail Zhilin, 36 vjeç u arratis në Kazakistan vitin e kaluar kur Rusia shpalli mobilizimin ushtarak dhe kaloi ilegalisht kufirin përmes pyjeve, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij kaluan me makinë përmes një postblloku.

Zhilin aplikoi për statusin e refugjatit në këtë ish-republikë sovjetike, por kërkesa e tij u refuzua dhe autoritetet e ndaluan të largohej për në Armeni. Kazakistani e ekstradoi atë në Rusi në fund të vitit të kaluar, duke çuar në një dënim të rrallë të një oficeri për dezertim.

Një gjykatë në qytetin e Barnaul e shpalli Zhilin, i cili kishte punuar në departamentin e komunikimit në një objekt sigurie në Siberi, fajtor për dezertim dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Një zyrtar i gjykatës Barnaul konfirmoi se Zhilin ishte dënuar, por nuk pranoi të jepte informacione të mëtejshme.

Qindra mijëra rusë janë larguar nga vendi i tyre për shkak të rekrutimit vitin e kaluar dhe shumë prej tyre janë vendosur në Kazakistan, i cili ndan kufirin më të gjatë me Rusinë.

Por ndryshe nga ata, Zhilin kishte akses në informacione të klasifikuara për shkak të punës së tij në agjencinë përgjegjëse për sigurinë e Presidentit Vladimir Putin dhe Moska ishte e interesuar për kthimin e tij në vend, tha familja e tij për Reuters vitin e kaluar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *