• |
ide | kryesore

Fondi i pagave/ Transporti ajror, hotelet, ndërtimi, energjia me rritjen më të lartë

-Instant, Lajme, Të fundit



Tregu i pagave është përfshirë në zhvillime të vrullshme kohët e fundit nga zgjerimi i kërkesës në disa sektorë, mungesa e fuqisë punëtore dhe politikat e qeverisë për pagën minimale. Në disa sektorë indekset e fondit të pagave janë rritur me shpejtësi gjatë vitit 2022, por vërehet edhe rënie. Indekset e fondit të pagave tregojnë fondet totale për pagat sipas sektorëve, dhe jo pagat për punonjës. Por nëpërmjet ndryshimeve të fondeve totale kuptojmë se cilët sektorët kanë perspektiva më të mira për punësim dhe paga.

Në tremujorin e fundit të vitit 2022 rritjen më të madhe të indeksit të fondit të pagave e patën bizneset në prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri me 286%.

Më pas sektori i transportit ajror shihet të ketë rritur fondin e pagave me 203 për qind në harkun kohor të një viti. Kjo rritje justifikohet me rënien që kishte transporti ajror gjatë pandemisë Covid-19 që u shtri deri në fund të vitit 2021. Rikthimi i punonjësve në punë dhe rritja e aktivitetet bëri që indeksi i pagave në sektorin ajror të pësojë rritje me mbi 200% nga tremujorit i fundit 2021 në tremujorin e fundit 2022.

Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje edhe në sektorin e prodhimit dhe tregtimit të energjisë, ujit dhe gazit. Kriza globale energjetikë që çoi në çmime të larta të produkteve dhe investimet e reja në HEC-et vendase krijuan kushte për rritje vjetore me 171 të fondit të pagave ne tremujorin e fundit të vitit.

Indeksi i fondit të pagave gjithashtu pësoi rritje vjetore me 145 për qind në sektorin e hotelerisë për të njëjtën periudhe krahasimi. Rritja u nxit nga zgjerimi i sektorit me njësi të reja hoteliere dhe rritja e punësimit në strukturat ekzistuese për shkak të zhvillime pozitive në sektorin e turizmit.

Me mbi 135 % ishte rritja edhe për sektorin e ndërtimit si pasojë e zhvillimeve të vrullshme në këtë sektor sidomos në kryeqytet dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Farmaceutika dhe prodhimi koksit shënuan rritje vjetore të fondit të pagave me 109 % në tremujorin e fundit 2022. Agjencitë e udhëtimit e rriten fondin e pagave me 85% si rrjedhojë e rikthimit në normalitet pas kufizimeve erdhën nga pandemia në 2020-2021.

Industria tekstile dhe e veshjeve pati rritje të fondit të pagave me 27 për qind duke reflektuar rritjen e pagës minimale në shtator 2022 dhe politikat e brendshme për stimulimin e burimeve njerëzore.

Në ana tjetër indekset e fondit të pagave kanë pësuar rënie ne transportin hekurudhor, në transportin urban me 75%, në aktivitet e publikimit me -41%, në transportin ujor me 24%, informacioni dhe komunikimi me -18, aktivitet inxhinierike me -16%. Rënia në këto sektorë më së shumti lidhet me tkurrjen e aktiviteteve./Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *