• |
ide | kryesore

Shehaj prezanton projektligjin: Shteti të ndalojë kontratat me kompanitë offshore

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Shehaj



Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj nga Komisioni për Çështjet Ligjore, foli për projektligjin kundër kompanive offshore.

Shehaj tha se qëllimi i projektligjit është që shteti të ndalojë së bëri kontrata me kompani offshore, pasi pas tyre fshihen ministrat dhe potencialisht kryeministri.

Deputeti përmendi disa nga koncesionet dhe kontratat e krijuara me shtetin shqiptar që lidhen me kompani offshore.

Shehaj pati një debat me deputeten e PS, Klotilda Bushka, e cila i’u drejtua duke i thënë ‘nuk keni pse bëni fushatë politike, mund ta bëni në seancën parlamentare’. 

Pjesë nga fjala e Shehajt: 

“Ky projektligj vjen si një nevojë imediate për të adresuar një çështje madhore, transparencën e përdorimit të fondeve publike dhe luftën kundër korrupsionit. Sic jeni në dijeni, një pjesë e madhe e kontratave publike, veçanërisht atyre koncesionare, por jo vetëm, janë fituar nga kompani offshore me pronarë të panjohur. 

Mund të përmenden këtu koncesioni i inceneratorëve, ai i laboratorëve në spitalet publike, Porti I Durrësit dhe sa e sa kontrata të tjera. Pra, qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë që shkojnë në llogari të panjohura offshore, pas të cilave mund të jetë kushdo. Mund të jenë zyrtarë të lartë, ministra të qeverisë dhe potencialisht edhe vetë kryeministri. 

Ashtu sikurse ekziston rreziku, që pas këtyre kompanive mund të qëndrojnë njerëz të botës së krimit, persona të cilët ndodhen nën sanksione ndërkombëtare apo në listën e terrorizmit. 

Edhe pse Shqipëria ka një ligj në fuqi për regjistrimin e pronarëve fundorë përfitues, ky ligj nuk ka arritur të ndalojë kompanitë me pronarë të fshehtë që të marrin kontrata publike nga qeveria shqiptare siç jemi të gjithë dëshmitarë. Kjo është arsyeja, që bashkë me një grup kolegësh kemi propozuar këtë nismë ligjor mjaft të domosdoshme. Skandalet korruptive të njëpasnjëshme ku përfshihen ministra, deputetë, kryetarë bashkish dhe vijimi i të njëjtave praktika kanë thelluar mosbesimin qytetarëve tek klasa politike në përgjithësi. 

Në Shqipëri, aktualisht janë mbi 1 miliardë euro nga paratë dhe pronat publike që sot shkojnë për kompani offshore, për të cilat mbahet i fshehur përfituesi fundorë. 

Qëllimi i këtij projektligji është: Të ndalojë shtetin shqiptar të bëjë kontrata me kompani offshore, sepse nuk ka dyshim se sot, pas çdo kontrate offshore fshihet një politikan. 

Ky projektligj ndalon rrjedhjen e parave publike drejt politikanëve përmes kompanive guaskë.” – u shpreh mes të tjerash Agron Shehaj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *