• |
ide | kryesore

VOA: 5 dhoma tregtie kërkojnë luftë ndaj korrupsionit dhe transparencë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
dhoma



Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Franceze e Tregtisë dhe Confindustria Albania publikuan të martën një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se mjedisi aktual i biznesit në Shqipëri ka nevojë për përmirësime të konsiderueshme. Ato i bënë thirrje Kuvendit, qeverisë dhe agjencive të tjera publike që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse në ekonomi dhe investime.

Drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi, thotë se deklarata e përbashkët është një kambanë alarmi mbi problemet e vërteta të ekonomisë, që fakti që kaq shumë dhoma tregtie janë bërë bashkë për të renditur pengesat njëzëri tregon se situata shumë shqetësuese. Por, sipas saj, ka një kontrast të thellë mbi mënyrën si e shohin ekonominë investitorët e huaj, – si një ekonomi me rritje të paqëndrueshme – dhe mënyrës se si e sheh qeveria, e cila mbahet pas disa shifrave për rritje ekonomike, që vjen nga ndërtimet dhe pasuritë e paluajtshme.

“Ne kemi një ekonomi që në fasadë të gënjen, sepse duket sikur po rritet, por nga brenda është që, për të mos thënë e kalbur, është një ekonomi primitive, e vjetëruar, ekonomi që nuk prodhon mirëqenie. Ka shifra rritje, por nuk sjell mirëqenie. Sa kohë që ne nuk i shohim gjërat nga A-ja, duke bërë reforma strukturore në ekonomi, sa kohë që ne nuk shohim të dënohet korrupsioni, situata do të vazhdojë po njësoj”, thotë zonja Liperi.

Dhomat e Tregtisë me anëtarësi biznesesh të lidhura me SHBA-të, Gjermaninë, Italinë dhe Francën kërkuan “miratimin e një strategjie investimi për të reduktuar ndjeshëm pengesat burokratike”, një sistem për lëshimin e lejeve si dhe nxitjen e projekteve të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ato kërkuan zbatimin e një pakete për luftën kundër korrupsionit, me masa kundër ryshfetit sipas standardeve të OECD-së dhe me transparencë të agjencive publike. “Kjo do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri”, theksohet në deklaratë.

Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se klima e biznesit në vend është përkeqësuar gjatë dekadës së fundit dhe kjo pranohet gjerësisht nga ekspertët e ekonomisë, sidomos në pjesën që lidhet me korrupsionin, me institucionet, me ligjet, me rregullimin e tregjeve dhe garantimin e konkurrencës. Korrupsioni mbetet, sipas tij, emëruesi i përbashkët i deklaratës së pesë Dhomave të Tregtisë, sepse ai ka arritur në kapjen e shumë niveleve të shtetit.

“Nuk flasim më për korrupsion të policit, të mjekut, të mësuesit, që kanë përhapur në të shkuarën e afërt, por tani flasim për ligje që hartohen për individë dhe kompani, për penetrim në infrastrukturën publike të krimit të organizuar dhe kapitale me origjinë kriminalitetin. Flasim tani për para të pista në ndërtime, në lojërat e fatit e ndoshta në sistemin banker. Këto veprime ngrejnë pikëpyetje shumë të mëdha për ardhmërinë mbi normalitetin ekonomik dhe demokratik të vendit”, thotë zoti Preçi.

Midis kërkesave prej pesë Dhomave të Tregtisë renditet edhe nevoja për një reformë që të rritet besueshmëria dhe rezultatet e prokurimeve publike.

“Duhen miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët. Krahas transparencës me gazetarët dhe shoqërinë civile mbi procesin e prokurimeve, ata kërkuan konsultime publike me qytetarët dhe grupet e interesit gjatë zbatimit të ligjeve dhe vendimeve të qeverisë.

Ekspertët pohojnë se Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europë, me pagën mesatare më të ultën në Europë, por qeveria nuk reflekton ndaj vështirësive të biznesit, nuk e merr seriozisht situatën, justifikohet pas disa shifrave, që nuk sjellin nuk mirëqenie të vërtetë, duke propozuar zgjidhje sipërfaqësore, dhe duke nënvlerësuar largimin masiv të forcës punëtore, një shqetësim i madh për të gjithë. Zonja Liperi e revistës Monitor thotë se Shqipëria po ndjek modelin e zhvillimit rastësor të ekonomisë, me korrupsion të lartë dhe kjo ka sjellë gjendjen aktuale problematike.

“Çështjet e ngritura dihen nga të gjithë. Dihet shumë mirë që prej shumë vitesh Shqipëria ka nevojë për një model të ri të ekonomisë. Dihet se avantazhi konkurrues nuk mund të jenë më kostoja e ulët e fuqisë punëtore. Dihet që korrupsioni është shumë i lartë. Dihet që ne duhet të tërheqim investime të huaja me vlerë të shtuar. Dihen të gjitha, por nuk bëhen, sepse ka një mungesë vullneti nga qeveria, apo ka një vetëkënaqje nga ato shifra rritje, që janë vetëm një lustër e asaj që ndodh realisht në ekonominë shqiptare”, thotë zonja Liperi.

Dhomat e Tregtisë kërkuan goditjen e informalitetit në ekonomi, mosndryshimin e ligjeve tatimore në periudha më pak se 4 vjet, si dhe modernizimin e sistemit të taksave sipas standardeve ndërkombëtare.

“Kjo reformë do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Dhomave. Organizatat e sipërmarrjeve propozuan që një Këshill i ri Ekonomik Kombëtar të mbështesë investimet e huaja të drejtpërdrejta, duke shërbyer si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh.

“Këto reforma të propozuara do të krijojnë një mjedis biznesi më të favorshëm në Shqipëri, do të tërheqin investime të huaja të drejtpërdrejta dhe do të lehtësojnë tranzicionin e Shqipërisë në BE dhe tregjet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Dhoma ve të Tregtisë.

Zoti Preçi thotë se shqetësimet e qarqeve të biznesit lidhen me mungesën e strategjive zhvillimore, si dhe moszbatimi i atyre strategjive që janë hartuar me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Goditjen më të madhe, sipas tij, e ka marrë konkurrueshmëria, e cila ka rënë në nivele shqetësuese. Po ashtu, rritja e borxhit e fokusuar tek kontratat PPP, shton zoti Preçi, ka ndikuar në faktin që vendi është më pak tërheqës për investime, sepse po largohen investitorë me origjinë nga vendet e europiane dhe perëndimore dhe ata po zëvendësohen me kompani nga Turqia, Kina dhe vendet arabe.

“Për një numër arsyesh kryesisht të brendshme, qeverisja ka notuar në tehun midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë dhe tani në janë në rendin e ditës problemet që kanë të bëjnë me strategjitë e zhvillimit, me respektimin e kuadrit ligjor sa i takon pronës, me nevojën për një luftë efikase kundër korrupsionit, si dhe me një dialog të vërtetë dhe jo fals me komunitetin e biznesit”, thotë zoti Preçi.

Raportet ndërkombëtare e përmendin korrupsionin në Shqipëri si një dukuri e vazhdueshme në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimet publike si dhe partneritetet publike – private. Përfaqësuesit e qeverisë pohojnë se përgjegjësia e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion është individuale para gjykatës, dhe se lufta kundër korrupsionit po jep rezultatet e para pas reformës në sistemin e drejtësisë, prej të cilit kanë pritshmëri të larta qytetarët dhe institucionet vendase e ndërkombëtare. /VOA



3 Comments

  1. Confidustria e Buxhukut nuk ka anetare kurse keto “dhomat” e tjera jane zeri i ambasadave te huaja. Shikohet kush flet per to. Ca zyrtare te ngordhur, qe paguhen me fondet e ambasadave Duhet me shume qe zeri i biznesit te jete i besueshem keto kukulla nuk i sherbejne biznesit shqipetar qe ka halle te tjera..

  2. Dhoma Italiane e Tregetise drejtohet dhe ka disa evazore fiskal brenda.

    E pabesueshme dhe kriminale veprimtaria e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *